– Ungjilli – Joani 14:27-15:7.

 

Paqe po ju lë, paqen time po ju jap juve; jo siç e jep bota jua jap juve. Le të mos trazohet zemra juaj, as të mos frikësohet. Dëgjuat se unë ju thashë: Po shkoj dhe vij prapë te ju. Po të më donit, do të gëzoheshit se thashë: Po shkoj tek Ati; sepse Ati im është më i madh se unë.

Edhe tani jua thashë juve përpara se të bëhet, që të besoni kur të bëhet. Më nuk do të flas shumë bashkë me ju; sepse po vjen prijësi i kësaj bote, edhe nuk ka të bëjë asgjë me mua; por që të njohë bota se dua Atin, dhe siç më urdhëroi Ati, kështu bëj. Ngrihuni, le të shkojmë së këtejmi.

Unë jam vreshti i vërtetë, dhe Ati im është bujku. Çdo hardhi në mua që nuk sjell fryt, e këput; edhe çdo hardhi që sjell fryt, e pastron, që të sjellë më tepër fryt.

Tanimë ju jeni të pastër prej fjalës që ju kam folur juve. Qëndroni tek unë, edhe unë tek ju. Sikurse hardhia s’mund të bëjë fryt prej vetes, nëse nuk mbetet në vresht, kështu as ju, në mos mbetshi tek unë. Unë jam vreshti, ju hardhitë; ai që mbetet tek unë, edhe unë tek ai, ky bën fryt shumë; sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.

Nëse nuk mbetet ndonjë tek unë, hidhet jashtë si hardhia dhe thahet; pastaj i mbledhin e i hedhin në zjarr, edhe digjen. Në mbetshi tek unë, edhe fjalët e mia në mbetshin ndër ju, ç’të doni kërkoni, edhe do t’ju bëhet juve.