– Ungjilli – Joani 17:1-13.
Këto foli Jisui; pastaj ngriti sytë e tij në qiell e tha: Atë, erdhi ora, lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir, siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme gjithë atyre që ia ke dhënë. Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë; edhe Jisu Krishtin që dërgove. Unë të lavdërova mbi dhe, punën që më dhe të bëj e mbarova. Edhe tani lavdëromë ti, o Atë, pranë teje, me lavdinë që pata pranë teje para se të ishte bota.
Emrin tënd ua zbulova njerëzve që më dhe prej botës. Të tutë ishin e m’i dhe, dhe fjalën tënde e ruajtën. Tani e njohën se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje. Sepse fjalët që më dhe, ua dhashë atyre; edhe ata i morën dhe e njohën me të vërtetë se prej teje dola; edhe besuan se ti më dërgove.
Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, po për ata që më dhe, sepse janë të tutë. Edhe gjithë të miat janë të tuat, edhe të tuat janë të miat; edhe u lavdërova në to. Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, edhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne. Kur isha bashkë me ata në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që më dhe i ruajta, edhe asnjë nga ata s’humbi, veç i biri i humbjes, që të përmbushet Shkrimi. Edhe tani po vij tek ti, edhe i flas këto në botë, që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre.