– Pentikostia ose Pesëdhjetorja (Rrëshajet, Zbritja e Shpirtit të Shenjtë. –
Në Dhiatën e Vjetër Pesëdhjetorja (Pentikostia) ishte festa që kremtohej pesëdhjetë ditë pas Pashkës. Ashtu siç Pashka kremton eksodin e Izraelitëve nga skllavëria e Egjiptit kështu edhe Pesëdhjetorja kremton dhënien e dhjetë urdhërimeve nga Perëndia Moisiut, në malin e Sinait. Në Dhiatën e Re të Mesias, ngjarja e Pashkës merr një kuptim të ri, si kremtimi i vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, “eksodi” i njerëzve prej kësaj bote mëkatare në Mbretërinë e Perëndisë. Po, gjithashtu, në Dhiatën e Re, festa e Rushajeve (Pesëdhjetorja) është përmbushur dhe rinuar me ardhjen e “ligjit të ri”, zbritjes së Shpirtit të Shenjtë mbi nxënësit e Krishtit.
Kur erdhi dita e Rushajeve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. Dhe u dukën mbi ata gjuhë si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe qëndronin mbi secilin prej tyre. Edhe u mbushën të gjithë me Shpirtin e Shenjtë… (Veprat 2:1-4). Shpirti i Shenjtë, të cilin Krishti u kishte premtuar nxënësve të tij, erdhi ditën e Rushajeve (Joani 14:26, 15:26; Lluka 24:49; Veprat 1:5). Apostujt morën “fuqi prej së larti” dhe filluan të predikonin dhe të jepnin dëshmi për Jisuin si Krishtin e ngjallur, Mbretin dhe Zotin. Tradicionalisht, ky moment është quajtur ditëlindja e Kishës.
Në shërbesat liturgjike të festës së Rushajeve, ardhja e Shpirtit të Shenjtë kremtohet bashkë me zbulesën e plotë të Trinisë Hyjnore: Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Plotësia e Hyjnisë u shfaq në ardhjen e Shpirtit tek njerëzit dhe himnet e Kishës e kremtojnë këtë shfaqje si veprën finale të vetëzbulesës dhe vetëadhurimit të Perëndisë në botën e krijuar prej Tij. Për këtë arsye, e Diela e Rushajeve në Traditën Orthodhokse është quajtur gjithashtu, Dita e Trinisë së Shenjtë (Shën Trinisë). Shpesh, në këtë ditë, ikona e Trinisë së Shenjtë – veçanërisht ajo e tre figurave engjëllore që iu shfaqën Abrahamit, stëratit të besës së krishterë – vendoset në qendër të Kishës.
Gjithashtu, në këtë ditë përdoret edhe ikona e Rushajeve, e cila tregon gjuhët e zjarrit mbi Shën Marinë dhe Dymbëdhjetë Apostujt, prototipi origjinal i Kishës, të cilët janë ulur në unitet, duke rrethuar një imazh simbolik të “kozmosit”, botës.
Në Rushajet, ne kemi përmbushjen finale të misionit të Jisu Krishtit dhe fillimin e periudhës mesianike të Mbretërisë së Perëndisë, e cila është e pranishme mistikërisht në këtë botë në Kishën e Mesias. Për këtë arsye, dita e pesëdhjetë është fillimi i epokës që është tej kufijve të kësaj bote. Pesëdhjeta, është numri i përmbushjes së përjetshme dhe qiellore, në traditën e devotshmërisë mistike Judeo-Kristiane: shtatë herë shtatë, plus një. Kështu, Pesëdhjetorja është një ditë apokaliptike, që do të thotë dita e zbulesës finale. Ajo është quajtur gjithashtu një ditë eskatologjike, që do të thotë dita e mbarimit final dhe të përsosur (në greqisht eskaton do të thotë mbarim, fund). Sepse, kur do vijë Mesia dhe do të afrohet Dita e Zotit, inagurohen “ditët e fundit”, për të cilat “Perëndia deklaron: …Unë do të derdh nga Fryma ime në çdo mish.” Kjo është një profeci e vjetër, së cilës Apostull Pietri i referohet në predikimin e parë të Kishës së krishterë, që u predikua të Dielën e parë të Rushajeve (Veprat 2:17; Joeli 2:28-32).
Duhet ta themi përsëri që festa e Rushajeve nuk është thjesht kremtimi i një ngjarjeje, që ndodhi shumë shekuj më parë. Ajo është kremtimi i çfarë duhet të ndodhë me ne në Kishë sot. Ne të gjithë kemi vdekur e jemi ngjallur me Mbretin-Mesia dhe të gjithë e kemi marrë Shpirtin e Tij të Tërëshenjtë. Ne jemi “tempujt e Shpirtit të Shenjtë”. Shpirti i Perëndisë banon ndër ne (Romanët 8; 1 Korinthianët 2-3; 2 Korinthianët 3; Galatianët 5; Efesianët 2-3). Ne, nëpërmjet anëtarësisë në Kishë, kemi marrë “vulën e dhuratës së Shpirtit të Shenjtë” në misterin e Mirosjes. Rushajet kanë ndodhur tek ne.
Mesha Hyjnore e Rushajeve na kujton pagëzimin tonë në Krishtin me vargjet nga Galatianët, të cilët përsëri zëvendësojnë Himnin Trishenjtor. Vargje të veçantë nga psalmet zëvendësojnë, gjithashtu, psalmet e zakonshëm të antifonëve të Meshës.
Apostulli dhe Ungjilli na tregojnë ardhjen e Shpirtit tek njerëzit. Shkurtorja flet për përmbysjen e Babelit, meqenëse tani Perëndia i bashkon kombet në unitetin e Shpirtit të Tij. Përlëshorja shpall kapjen e tërë gjithësisë në rrjetën e Perëndisë, nëpërmjet veprës së Apostujve të frymëzuar. Himnet “O Mbret Qiellor…” dhe “Pamë Dritën e Vërtetë…”, këndohen për herë të parë qysh prej Pashkës, duke e thirrur Shpirtin e Shenjtë “të vijë e të banojë ndër ne” dhe duke shpallur që “ne kemi marrë Shpirtin qiellor”. Ndërtesa e Kishës është zbukuruar me lule dhe me gjethet e gjelbëra të verës, për të treguar se Fryma hyjnore e Perëndisë vjen të rinojë të gjithë krijimin si “Shpirti jetëbërës”. Në hebraisht fjala Shpirt, frymë dhe erë është e njëjta fjalë, ruah.
I bekuar je, o Krisht Perëndia ynë, që i tregove peshkatarët të gjithurtë, duke iu dërguar Shpirtin e Shenjtë dhe me anën e tyre rrjetove tërë botën, o Njeridashës, lavdi më Ty! (Përlëshorja).
Kur i Larti zbriti dhe përzjeu gjuhët, i përndau kombet. Por, kur dërgoi gjuhët e zjarrta, të gjithë i thirri në bashkim. Prandaj, me një zë, ne lavdërojmë Shpirtin e Tërëshenjtë (Shkurtorja).
Mbrëmësorja e Madhe e mbrëmjes së Rushajeve përmban tre lutje të gjata, në të cilat besnikët bien në gjunjë për të parën herë qysh prej Pashkëve.
E Hëna mbas Rushajeve, në Kishën Orthodhokse është festa e Shpirtit të Shenjtë dhe e Diela mbas Rushajeve është e festa e Gjithë Shenjtorëve. Kjo është pasojë logjike e Liturgjisë, meqenëse ardhja e Shpirtit të Shenjtë përmbushet në njerëzit me anë të bërjes së tyre shenjtorë dhe ky është qëllimi i krijimit dhe i shpëtimit të botës.
“Kështu thotë Zoti: Shenjtërohuni, pra dhe jini të shenjtë, sepse unë Perëndia juaj jam i shenjtë” (Levitiku 11:44-45; 1 Pietri 1:15-16).
* * * * *
Marta & Maria. Motrat e Llazarit.
Motrat e Llazarit, mikut të Krishtit, jetonin në Betani.
Një ditë, Jisui hyri në shtëpinë e tyre. Marta, më e madhja, po shqetësohej se si t’i shërbente dhe, kur pa se e motra, Maria, po qëndronte e ulur në këmbët e Jisuit dhe po dëgjonte fjalët e Tij, i tha e mërzitur: “Zot, a nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë. Edhe Jisui iu përgjigj e i tha asaj: “Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë. Po për një gjë është nevoja dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj” (Llk. 10:38-42).
Në vazhdim, pak para Pësimit, Llazari u sëmur dhe vdiq. Jisui mbërriti në Betani 4 ditë pas vdekjes së Tij, megjithëse ishte lajmëruar që më parë.
Marta rendi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi, ku shumë veta kishin ardhur për t’i ngushëlluar. Zoti e siguroi se i vëllai do të ngjallej dhe Marta pohoi besimin e saj, se Ai është Biri i Perëndisë. Pastaj ajo shkoi dhe thirri të motrën dhe së bashku shkuan te varri. Me urdhër të Jisuit, i vdekuri u ngrit nga varri, me këmbët dhe duart lidhur me rripa linoje dhe fytyrën të mbuluar me rizë (Jn. 1:11).
Gjashtë ditë pas Pashkës, një banket u organizua në nder të Jisuit në Betani, në praninë e Llazarit. Teksa Marta po shërbente, Maria mori një litër miroje të shtrenjtë, me të cilën i leu këmbët e Zotit dhe i fshiu me flokët e saj. Kur Juda kundërshtoi për këtë shpenzim, Jisui paratha se ajo e kishte ruajtur këtë parfum për hir të varrimit të Tij (Jn.12).
Pas Ngjitjes në Qiell, Martha dhe Maria shoqëruan Llazarin për të përhapur kudo Lajmin e Mirë.
* * * * *
Dëshmor Joan Vladimiri.
Lindi në fshatin Vladimir (nga del dhe emri i tij) të Krajës, në Malin e Zi, afër Shkodrës, dhe u bë mbret. Ishte i drejtë dhe i pastër në moral dhe ndihmoi në shtrirjen e Orthodhoksisë.
Njëherë, kur udhëtonte në shtetin e tij me gjeneralët, dalloi në një pyll afër Elbasanit një shqiponjë. Shqiponja kishte në krahët e saj një kryq të ndritshëm, të cilin e lëshoi në tokë para se të fluturonte dhe të zhdukej. Monarku mori kryqin me devotshmëri e frikë dhe e vendosi në një kishë, që ngriti në vend më vonë. Bashkëshortja e tij e përkushtuar, Kozara, ishte motra e carit Bullgar, Vladisllavit (1015-1018).
Ai, për të zotëruar mbretërinë e Joanit, e ftoi në kryeqytetin e tij, Ohrin, mbasi ky iu betua në Ungjill dhe në një kryq druri shumë të respektuar shenjtit se nuk do t’i bënte keq. Ai u bind, ndërkaq tinëzari e goditi fort me shpatë në qafë, por më kot. Atëherë Joani tolerant i dha kryqin duke i thënë: “E tradhtove. Por merre këtë dhe do të më vrasësh”.
Më pas këshilloi shoqëruesit e tij të mbrojnë Orthodhoksinë, të qeverisin drejt popullin dhe të mos marrin hak për vrasjen e tij që të mos derdhet gjak “vëllazëror”, ndoshta ishte bullgar, pasi e dimë se nuk ishte shqiptar, por i deshi shqiptarët tej mase. Vladisllavi me të vërtetë i preu kokën, ndërkaq “martiri” mori kokën e tij në duar.
Kalëroi kështu deri në kishën e ngritur prej tij në Elbasan, në të cilën edhe u varros më 22.5.1015. Kozara mbeti për gjithë jetën në një godinë që ndërtoi përbri kishës.
Kompleksi u zhvillua në manastir, i cili u shkatërrua dhe u ringrit në mënyrë të përsëritur.
Sot i gjithë kompleksi i manastirit u ringrit përsëri. Në manastir dhe në zonën përqark tij, festohet me madhështi në dt.4 qershor (që me kalendarin julian [kalendari i vjetër] përkon në dt. 22 maj).
Vladimir, rusisht do të thotë zotëruesi i paqes (ose i botës).