– Apostulli – Veprat e Apostujve 1:1-12.

 

Tregimin e parë, o Theofil, e bëra për gjithë sa nisi Jisui edhe të bëjë edhe të mësojë, deri në atë ditë që u mor lart në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime me anë të Frymës së Shenjtë apostujve që pati zgjedhur; tek të cilët edhe e tregoi veten e tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të tij, duke iu shfaqur atyre dyzet ditë, e duke folur për punët e mbretërisë së Perëndisë. Edhe duke ndenjur bashkë me ata i porositi të mos largohen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit “që e dëgjuat, u tha, prej meje. Sepse Joani pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymë të Shenjtë jo pas shumë ditësh”.

Ata pra, kur u mblodhën bashkë me të, e pyesnin duke thënë: Zot, vallë, në këtë kohë do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit? Edhe ai u tha atyre: Nuk është për ju të njihni kohët a motet, që Ati i ka vënë në pushtetin e vet. Por do të merrni fuqi, kur të vijë Fryma e Shenjtë mbi ju; edhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut.

Edhe si tha këto, ndërsa ata po shihnin u ngrit lart, dhe një re e mori nga sytë e tyre. Edhe ndërsa ata ishin duke vështruar në qiell, kur po shkonte ai, ja dy burra me rrobë të bardhë tek qëndruan pranë tyre, të cilët edhe u thanë: O burra Galileas, pse rrini e vështroni në qiell? Ky, Jisui që u mor prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, siç e patë atë duke shkuar në qiell.

Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullishtes, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune.