E Diela e të Verbrit, Familja, “Kisha Në Shtëpi”, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 29.05.2022 (Tekst)
“Edhe përnjëherë u pagëzua ai dhe gjithë ata të shtëpisë së tij” (v. 33)
I
Apostull Pavli gjendej në Filipë. Kur po shkonte, pra, një ditë, për tu falur, u takua me një shërbëtore të re që kishte “frymë Pitoni”. Ishte e demonizuar dhe me parashikimin e së ardhmes u sillte shumë të ardhura zotërinjve të saj.
Ajo, pra, i shkonte prapa apostull Pavlit dhe Silës, bashkëpunëtorit të tij, duke thirrur: Këta njerëz janë “shërbëtorë të Perëndisë së lartë” dhe ju shpallin “udhën e shpëtimit”! Apostulli i shenjtë, në fillim, heshti dhe nuk i dha rëndësi. Por kur pa se ajo po e bënte këtë gjë për shumë ditë me radhë, iu kthye asaj i mërzitur dhe i tha shpirtit të lig: Të urdhëroj “në emër të Jisu Krishtit” të dalësh prej saj. Dhe me të vërtetë, në atë moment, demoni u largua.
Edhe zotërinjtë e shërbëtores kur panë se humbi “shpresa e fitimit të tyre”, i cili ishte i madh, zunë “Pavlin dhe Silën” dhe i tërhoqën zvarrë në shesh të qytetit. Atje i nxorën para udhëheqësve, të cilët quheshin “gjeneralë” dhe i denoncuan se gjoja turbullojnë qytetin duke shpallur zakone hebrenjsh, të reja dhe të papranueshme për romakët. I gjithë populli u hodh në anën e akuzuesve dhe i shtynë gjeneralët të ushtrojnë dhunë mbi Apostujt e shenjtë. Ua grisën rrobat menjëherë, me zemërim, dhe urdhëruan t’i rrahin me shkopinj. Dhe pas shumë goditjesh i futën në burg, duke porositur rojen e burgut t’i ruajë me siguri. Atëherë ai i futi në qelinë më të thellë, sikurse e kishin urdhëruar, dhe ua lidhi këmbët në një zgjedhë druri, në mënyrë që të mos lëviznin aspak.
Keqtrajtimi ishte me të vërtetë i ashpër. Mundimi i paimagjinueshëm. Por Apostujt e shenjtë nuk u hidhëruan. Filluan të luten dhe të himnojnë Perëndinë. Arriti mesi i natës dhe ata psalnin, ndërkohë që të burgosurit i dëgjonin me habi.
Por, papritur, “u bë një tërmet i madh”. Burgu u trondit nga themelet. Njëkohësisht u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat. Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, mendoi se të burgosurit kishin ikur. I pështjelluar dhe i dëshpëruar, nxori thikën për të vrarë veten. Por Pavli i thirri me zë të lartë: “Mos i bëj keq vetes”! Jemi të gjithë këtu!
Atëherë roja i burgut kërkoi dritë, nga shërbëtorët e tij, dhe u hodh brenda në burg dhe, duke u dridhur, ra në këmbët e Apostujve të shenjtë, për t’iu falur i përulur. Pastaj i nxori jashtë dhe me shumë respekt i pyeti: “Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtoj? Ata i shpjeguan të vërtetat kryesore të Besimit dhe i kërkuan të besojë “Zotin Jisu Krisht”, në mënyrë që të shpëtojë ai dhe ata të shtëpisë së tij. Dhe me të vërtetë ai besoi dhe me shumë mirënjohje nxitoi të kujdesej për Apostujt e shenjtë. U lau plagët dhe menjëherë u pagëzua ai dhe gjithë ata të shtëpisë së tij. Më pas “u vuri përpara tryezë” e u shtroi drekë. Dhe ishte i mbushur me gëzim dhe ngazëllim ai njeri, sepse kishte besuar Perëndinë e vërtetë.
II
Besimi, si një ngjarje personale, e ndërgjegjshme, e jetës së njeriut, përbën një mrekulli të madhe. Është vepër e hirit të gjithëfuqishëm të Perëndisë, i cili vepron brenda dhe rreth nesh në mënyra të mrekullueshme. Perëndia e fton njeriun pranë Tij. Perëndia e rilind nëpërmjet pagëzimit të shenjtë. Perëndia e tregon pjesëtarë të trupit të Kishës së Tij dhe pjesëmarrës të jetës së Tij hyjnore. I gjithë ky rreth shpëtues, përbën një mrekulli të vërtetë, e cila është futja e një familjeje konkrete, të gardianit të burgut të filipëve, në Trupin e Kishës.
Dihet se familja përbën një institucion shumë të lashtë, i cili u shfaq menjëherë pas krijimit të njeriut të parë. Institucion që arriti të mbijetojë, pa ndryshime thelbësore, deri më sot, duke kaluar gjithë shkallët e zhvillimit kulturor të njeriut. Familja përbën rezultanten e historisë së botës. Nuk e takojmë vetëm në popuj të kulturuar dhe shoqëri të organizuara, por edhe në popujt më primitivë dhe të pakulturuar.
Kisha e krishterë, që në hapat e saj të para, përfshiu me një interes të veçantë këtë institucion të rëndësishëm (Efes. 5:26-27, I Kor. 7:12 etj). Për besimin e ri, kjo qelizë e shoqërisë reshti së qeni një institucion i thjeshtë dhe merr një karakter mistik, përderisa prej tij njerëzit ftohen -të gatuar si imazhe të Perëndisë- të arrijnë ngjashmërinë me Perëndinë, nëpërmjet hirit dhe virtytit. Martesa dhe si rrjedhim familja, është takim njerëzish, që krijojnë një shoqëri dashurie. Është vendi ku zhduket individualizmi dhe kultivohet dhimbsuria, ndërsjellshmëria, përgjegjësia, ndjeshmëria dhe dashuria. Brenda saj, dy njerëz krejtësisht të panjohur midis tyre, bashkohen për të përparuar në mrekullinë e krijimit.
Familja e krishterë, duke pasur si fillesë misterin e kurorëzimit, ecën drejt përjetësisë, duke u dhënë vlerë relative mbitokësoreve dhe të prishshmeve të kësaj bote. Apostull Pavli e quan “kisha në shtëpi” (I Kor. 16:19), e cila, nënkuptohet, nuk mund të ekzistojë e shkëputur nga ndjekja e shërbesave dhe nga Kisha vendore.
Prindërit, të cilët vendosin të thyejnë lidhjet, që duhet të bashkojnë familjen me enorinë, dënojnë fëmijët e tyre me gjymtim shpirtëror, duke u privuar atyre transmetimin e bekimit dhe hirit të Perëndisë. Ata prindër nuk mund ta tejkalojnë dashurinë për veten e tyre dhe nuk e kanë mundësinë, duke ngritur kryqin e jetës më Perëndinë, të arrijnë bashkimin e tyre me Perëndinë. Bëjnë idhull familjen, duke mbyllur njëkohësisht sytë para së vërtetës, e cila dëshmohet nga të gjithë, se njeriu nuk është vetëm mish dhe, si rrjedhim, nuk ka vetëm synime dhe nevoja materiale.
Gardiani i pastrehë i burgut, u tregua gur i qëndrueshëm, mbi të cilin, ndërton lumturinë personale dhe familjare. Në të njëjtin gurë, qëndruan dhe qëndrojnë, edhe sot, aq e aq familje të krishtera dhe u rezistojnë rrymave shpërbërëse të epokës. “Edhe ky gurë është Krishti” (I Kor. 10:4). Krishti që në çdo familje ku hyn, dhuron harmoninë, sepse hierarkizon dhe harmonizon çdo pjesëtarë të saj. I jep përparësinë burrit, si “krye e gruas”, jo për t’i dhënë të drejta më të shumta, por detyra më të rënda. I jep përparësi, por përparësi përgjegjësish dhe përkujdesjesh. Dhe si këmbim të saj, krishtërimi i imponon pjesëtarëve të tjerë të familjes, bindjen dhe respektin. Dhe kështu familja, në vend të një fushëbeteje për fitimin e të drejtave, shndërrohet në liman sigurie, në qelizë krijuese të trupit shoqëror. Në një organizatë të disiplinuar, të bashkuar “në lidhjen e dashurisë”, që del në udhëtimin e rrezikshëm të jetës, për të përballuar stuhi dhe të mbijetojë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Në krizën e sotme të familjes, një shumicë familjesh gjenden në të njëjtin dëshpërim, që u gjend gardiani i filipëve, i cili “nxori thikën e donte të vriste veten”, dhe presin të dëgjojnë zërin shpëtues, “Mos i bëj ndonjë të keqe vetes sate”. Këtë zë e kemi për detyrë ta ngremë ne. Të flasim tek ata njerëz për Krishtin dhe t’ua mbushim me gëzim zemrën e tyre, me dritën e të vërtetave të Tij. Shpërblimi ynë do të jetë t’i shikojmë ato familje të kthehen dhe të kalojnë nga errësira në dritë. Të ndiejnë të zhvillohet diçka e re në jetën e tyre. Atë që ndjeu gardiani i filipëve, i cili “u gëzua me gjithë shtëpinë, sepse besoi Perëndinë”. Amin.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 29.05.2022