E Diela e Samaritanes, Dora e Perëndisë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 22.05.2022 (Tekst)

 

“Edhe dora e Zotit ishte bashkë me ata” (v. 21)

Njeriu e ka për zakon të shikojë vetëm veprat e duarve të tij. Me to merret, ato mëson, për to flet. Njeriu bashkëkohorë mburret veçanërisht për llojshmërinë dhe shumicën e veprave të tij. Por fjala e Perëndisë, ne pjesën e sotme të Apostullit, vjen të mësojë njeriun se, kryesisht, ai që punon dhe krijon është Perëndia, Zoti, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, Gatuesi i njeriut. Dora e Perëndisë, që nga koha e krijimit të botës deri sot, punon pa zhurmë dhe në fshehtësi. Por, si punon? Pjesa e sotme e Apostullit do të na japë përgjigjen, si punon Perëndia.

* * *

Pas përndjekjes që u bë kundër Kishës, për shkak të veprimtarisë, dëshmisë së guximshme dhe pas martirizimit të martirit të parë dhe kryedhiakonit shën Stefan, shumë besimtarë u larguan nga Jerusalemi. U shpërndanë në Finiq, në Qipro dhe në Antioki, ku edhe predikonin Ungjillin. Ashtu si era e rrit flakën, kështu edhe ajo përndjekje e përhapi fjalën e Ungjillit edhe në krahina të tjera.

Perëndia, nga e hidhura nxjerr ëmbëlsi, dhe nga pikëllimet, dobi shpirtërore. Prandaj, me shumë dëshirë të mirë, duhet t’i pranojmë përndjekjet dhe pikëllimet, që na krijojnë armiqtë e besimit. Të mos rënkojmë, as të mos rraskapitemi. Por të shikojmë tek qëllimi për të cilin na dërgon Zoti i gjithëditur dhe të përparojmë me gatishmëri kudo ku Ai na drejton.

Kështu u përhap fjala e Ungjillit, sidomos në shekujt e parë, brenda persekutimeve dhe martirizimeve. Dhe sot, në disa vende, midis vështirësive dhe përndjekjeve, Kisha vazhdon veprën e saj. Kjo le të mos na trembë. Përkundrazi, le të na ndihmojë të bëhemi më të përkushtuar ndaj Krishtit, guximtarë dhe të patrembur. Dhe le të na parapërgatisë për luftëra dhe sulme të reja. Mungesa e vështirësive dhe rehatia, sjellin shpesh plogështi, dobësim dhe rënie shpirtërore.

Që nga koha, kur Perëndia me duart e Tij e gatoi njeriun, nuk reshti duke e drejtuar, në fshehtësi dhe pa zhurmë, në rrugën e Tij, duke e udhëhequr në virtyt. Perëndia drejton me dorën e Tij, Apostujt, cilën rrugë duhet të ndjekin për ungjillëzimin e botës.

Por edhe çdo gjë që ndodh në gjithësi dhe në jetën e secilit prej nesh, e hidhur apo e gëzueshme, drejtohet nga dora udhëheqëse e Perëndisë. Sepse asgjë nuk është e rastësishme. Të gjitha, edhe ngjarjet e vogla të jetës sonë, kontrollohen nga dora e padukshme dhe e dhimbsur e Atit tonë qiellor. Shumë herë, disa ngjarje të pakënaqshme të jetës, na mbushin me frikë apo dëshpërim. Një sëmundje, një persekutim, një vdekje. E megjithatë, pas tyre fshihet dora e Perëndisë, që di çfarë duhet të na marrë. Edhe kur na merr diçka, në të vërtetë, na ofron diçka tjetër më të lartë. Na heq shëndetin e trupit dhe na jep shërimin e shpirtit. Na merr pasurinë dhe na ofron thesaret e qiellit. Na merr persona të dashur dhe na ofron vetveten e Tij. Dhe të gjitha këto dhe shumë të tjera, tregojnë se dora e Perëndisë është e dhimbsur. Gjithmonë e mbushur dhe e pasur. Gjithmonë bujare.

Dora e Perëndisë na drejton edhe ne, me ngjarjet dhe ndryshimet, që ndodhin në jetën tonë. Ndodhitë e jetës sonë nuk janë të rastësishme. Kontrollohen dhe drejtohen nga dora e Perëndisë. Një pengesë që takojmë në realizimin e planeve tona, nuk është gjithmonë pa kuptim. Një vështirësi, që na pengon të bëjmë diçka, drejtohet nga dora largpamëse e Perëndisë. Njeriu besnik, që sjell pranë nesh Perëndia, ndoshta është lajmëtar i vullnetit të Tij. Le të kujdesemi, le ta dëgjojmë. Botimi i krishterë, i cili bie në duart tona, është letra që dërgon Perëndia, për të na drejtuar në çështjet e jetës sonë. Madje edhe kur në ecurinë e jetës sonë, takojmë dështimin, mundimin dhe vdekjen, le të përpiqemi të zbulojmë, edhe këtu, dorën udhëheqëse të Perëndisë. Ndoshta me këto ngjarje të dhimbshme, dëshiron të na hapë rrugë të reja jete, të na hapë veshët e mbyllur të shpirtit tonë, të na udhëheqë në shpëtimin e Mbretërisë së Tij. Gjithmonë, pikëllimi sjell bekime. Vetëm se duhet të kujdeset dikush për t’i dalluar. Fik dritat e jetës sonë, që të na bëjë të ngremë sytë nga qielli yjeplotë. Ka shumë të fshehta për të na zbuluar nata. Por duhet të vijë errësira, që të bëhet e dukshme madhështia e kupës qiellore, e mbushur me shenja të ndritshme.

* * *

Dora e Perëndisë udhëheq, por nuk imponon, nuk imponon ndryshimin e ecurisë shpirtërore, në jetën e njerëzve. Duhet edhe njeriut të dëshirojë të hapë veshët e shpirtit dhe të dëgjojë mesazhin që i dërgon Perëndia. Sepse ekzistojnë shumë njerëz, të cilët, çdo vështirësi, çdo pengesë, e përballojnë me zemërim. Dhe jo vetëm nuk nxjerrin nga “hidhërimi” dobi shpirtërore, por ashpërsohen më tepër.

Prandaj kushti kryesor, që dora e Perëndisë të na udhëheqë në livadhet e Shpirtit, është të ndiejmë nevojën e ndryshimit shpirtëror dhe moral. Kur ekziston kjo dëshirë, atëherë çdo ngjarje e trishtueshme, çdo dhimbje dhe sprovë, do ta shikojmë si një rast afrimi me Perëndinë.

* * *

Dora e Perëndisë është gjithmonë e mbushur. Gjithmonë ka diçka për të na dhënë. Dora e Perëndisë bekon. E shpërndan të bollshëm hirin dhe fuqinë. Dhe kjo është një mënyrë tjetër me të cilën punon Perëndia. Nxënësit e Krishtit, të përndjekur, arrijnë në Antioki. Antioki! Një qytet i madh dhe i pasur, por edhe mëkatar. I dëgjuar për shthurjen e tij. Jopjellor dukej terreni për mbjellje të krishterë. E megjithatë, fara e Ungjillit, që filluan të mbillnin ata njerëz të thjeshtë të Zotit, kishte frytëdhënie mbresëlënëse. Nuk ka shpjegim tjetër: “Dora e Zotit ishte bashkë me ata”, dhe prandaj “një numër i madh njerëzish besuan, e u kthyen në Zotin”. Dhe dora e Perëndisë e bekoi aq shumë farën në atë vend të pafryt, saqë atje, për herë të parë, nxënësit e Krishtit, marrin emrin të KRISHTERË!!.

“Të pafrytë shpirtrat e fëmijëve tanë”, ankohen shpesh prindërit dhe mësuesit, kur shikojnë të mos japin rezultat apo të dështojnë përpjekjet e tyre për edukimin e fëmijëve, nxënësve. “Një Antioki mëkatare, shoqëria jonë”, përsërisin disa të krishterë të sotëm. “Cili do ta pranojë mesazhin e Ungjillit?”. Dhe të tjerë thonë: “Çfarë mund të bëjmë ne, njerëz me mundësi të kufizuara, pa pozita të rëndësishme, pa njohje?”

* * *

Por, vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, le të lexojmë përsëri atë që u bë në Antioki, me ata nxënës të thjeshtë të Krishtit. Dhe do të shohim se, si të krishterë, disponojmë një armë të fshehtë: Dorën e tërëfuqishme të Perëndisë. Ajo na e siguron suksesin në përpjekjet tona dhe jep dhurata të bollshme në veprën e mbjelljes sonë. Rrjedhimisht ajo që duhet të bëjmë në radhë të parë, është ta vendosim veprën tonë nën mbrojtjen e Perëndisë. Të kërkojmë bekimin e të djathtës së Tij, e cila mund ta rikthejë shkretëtirën në parajsë, dhe çdo gjë që sot ngjan me gurë të thepisur, nesër ta mbushë me lule dhe fryte. Amin.