UNGJILLI – Joani 10:17-28.

Prandaj Ati më do, sepse unë vë jetën time, që ta marr përsëri. Asnjë s’e merr prej meje, po unë e vë prej vetvetes; kam pushtet ta vë, edhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora prej Atit tim.

Përsëri pra u bë një përçarje në mes të judenjve për këto fjalë. Edhe shumë prej tyre thoshin: Demon ka, edhe është i marrë. Pse e dëgjoni? Të tjerë thoshin: Këto fjalë nuk janë prej një të demonizuari; mos mundet një demon t’u hapë sytë të verbërve?

Edhe u bë e kremtja e shenjtërimit të tempullit në Jerusalem, edhe ishte dimër.

Edhe Jisui ecte në tempull, në portikun e Solomonit.

Judenjtë pra e rrethuan, dhe i thoshin: Deri kur do ta mbash pezull shpirtin tonë? Nëse je Krishti, na e thuaj në sy.

Jisui iu përgjigj atyre: Ju thashë juve, edhe nuk besoni. Punët që bëj unë në emrin e Atit tim, këto dëshmojnë për mua. Por ju nuk besoni; sepse nuk jeni prej dhenve të mia, siç ju thashë juve. Dhentë e mia dëgjojnë zërin tim, edhe unë i njoh; edhe më vijnë pas. Edhe unë u jap atyre jetë të përjetshme; edhe nuk do të humbasin për gjithë jetën, edhe nuk do t’i rrëmbejë njeri ato prej dorës sime.