– Ungjilli – Joani 9:39-10:9
Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, dhe të bëhen të verbër ata që shohin. Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të i dëgjuan këto, dhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër? Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim; mëkati juaj pra mbetet. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën që gjetkë, ai është vjedhës e kusar. Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve.
Këtij i hap derën portieri; dhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; dhe i thërret dhentë e tij me emër, dhe i nxjerr. Edhe kur nxjerr dhentë e tij, shkon përpara tyre; dhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij. Po të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve. Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan ç’ishin këto që u fliste atyre. Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve. Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk u dëgjuan atyre. Unë jam dera; në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, dhe do të hyjë, dhe do të dalë, dhe do të gjejë kullotë.