– Apostulli – Veprat e Apostujve 14:20-15:4
Po kur e qarkuan nxënësit, u ngrit e hyri në qytet, dhe të nesërmen doli bashkë me Barsabën në Dervë. Edhe pasi predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë mjaft nxënës, u kthyen në Listër e në Ikoni e në Antioki, duke forcuar shpirtrat e nxënësve, e duke i nxitur ata të qëndrojnë në besim, dhe duke u thënë atyre se me shumë shtrëngime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Edhe si u hirotonisën atyre pleq në çdo kishë, dhe u falën me agjërime, i lanë te Zoti që i kishin besuar. Edhe si shkuan nëpër Pisidi, erdhën në Pamfili; edhe si folën fjalën në Pergë, zbritën në Atali. Edhe së andejmi lundruan për në Antioki, atje ku ishin dhënë në hirin e Perëndisë për punën që mbaruan.
Edhe si erdhën, mblodhën kishën, dhe u treguan atyre sa bëri Perëndia me anë të tyre, dhe se hapi në kombet derën e besimit. Edhe ndenjën atje shumë kohë bashkë me nxënësit. dhe ca veta që zbritën nga Judea mësonin vëllezërit se: Në mos u rrethprefshi sipas zakonit të Moisiut, nuk mund të shpëtoni. Po pasi Pavli dhe Varnava u qëndruan kundër dhe u hëngrën me fjalë jo pak me ata, vendosën që Pavli e Varnava dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten tek apostujt dhe te pleqtë në Jerusalem për këtë çështje. Ata pra si u përcollën nga kisha, shkonin nëpër Finikë e nëpër Samari, duke treguar kthimin e kombeve; dhe u sillnin gëzim të madh gjithë vëllezërve. Edhe kur erdhën në Jerusalem, u pritën prej kishës e prej apostujve e prej pleqve, dhe njoftuan për gjithë sa bëri Perëndia me anë të tyre.