– Ungjilli – Joani 4:5-42.

 

Vjen pra në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër vendit që i dha Jakovi Josifit, birit të tij. Edhe atje ishte një pus i Jakovit. Jisui pra, pasi ishte i lodhur nga rruga, ishte ulur kështu pranë pusit. Ora ishte rreth së gjashtës. Vjen një grua nga Samaria të nxjerrë ujë. Jisui i thotë asaj: Jepmë të pi. Sepse nxënësit e tij kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime. I thotë pra atij gruaja samaritane: Si ti, duke qenë Jude, kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane? Sepse Judenjtë nuk shkojnë me Samaritanët.

Jisui u përgjigj e i tha asaj: Po të dije dhuratën e Perëndisë, edhe cili është ai që të thotë: Jepmë të pi, ti do të kërkoje prej tij, edhe ai do të të jepte ty ujë të gjallë. Gruaja i thotë: Zot, as kovë nuk ke, edhe pusi është i thellë; nga e ke ti pra ujin e gjallë? Mos je ti më i madh se ati ynë Jakov, i cili na ka dhënë pusin, edhe vetë ai piu nga ky, edhe të bijtë e tij, edhe bagëtitë e tij? Jisui u përgjigj e i tha asaj: Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë etje përsëri. Por ai që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje për jetë; por uji, që do t’i jap unë, do t’i bëhet burim uji që gufon në jetë të përjetshme. Gruaja i thotë: Zot, jepmë këtë ujë që të mos kem etje, as të mos vij këtu të nxjerr ujë.

Jisui i thotë asaj: Shko, thirr burrin tënd, dhe eja këtu. Gruaja u përgjigj e tha: S’kam burrë. Jisui i tha asaj: Mirë the se s’kam burrë. Sepse kishe pesë burra, edhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e the të vërtetë.

Gruaja i thotë: Zot, po shoh se ti je profet. Etërit tanë në këtë mal u falën, e ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet falur. Jisui i thotë asaj: Grua, besomë se vjen një orë, kur nuk do t’i faleni Atit as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju i faleni atij që nuk dini, ne i falemi atij që dimë; sepse shpëtimi është nga judenjtë. Por vjen një orë, edhe tani është, kur falësit e vërtetë do t’i falen Atit në frymë e në të vërtetë; sepse Ati të tillë i kërkon ata që i falen atij. Perëndia është frymë, dhe ata që i falen duhet të falen në frymë e në të vërtetë.

Gruaja i thotë: E di se vjen Mesia, ai që quhet Krisht; kur të vijë ai, do të na tregojë për të gjitha. Jisui i thotë asaj: Unë që po të flas jam ai.

Edhe në këtë çast erdhën nxënësit e tij, dhe u çuditën se fliste me një grua; po asnjë s’tha: Ç’kërkon? apo: Ç’flet me të?

Gruaja pra la shtambën e saj dhe shkoi në qytet: edhe u thotë njerëzve: Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti? Dolën pra nga qyteti, dhe po vinin tek ai.

Edhe ndërkohë nxënësit i luteshin, duke thënë: Rabbi, ha. Po ai u tha atyre: Unë kam një ushqim për të ngrënë, që ju nuk e dini. Nxënësit pra i thoshin njëri-tjetrit: Mos i pruri njeri të hajë?

Jisui u thotë atyre: Ushqimi im është të bëj dëshirën e atij që më ka dërguar, edhe të mbaroj punën e tij. Nuk thoni ju se janë edhe katër muaj dhe vijnë të korrat? Ja tek po ju them juve, ngrini përpjetë sytë tuaj, edhe shihni arat se janë tashmë të bardha për t’u korrur. Edhe ai që korr merr pagë, edhe mbledh fryt për jetë të përjetshme, që të gëzohen bashkë edhe ai që mbjell edhe ai që korr. Sepse për këtë e vërtetë është fjala, se tjetër është ai që mbjell, edhe tjetër ai që korr. Unë ju dërgova ju të korrni atë për të cilën ju s’jeni munduar; të tjerë u munduan, edhe ju hytë në mundimin e tyre.

Edhe prej atij qyteti shumë nga samaritanët besuan tek ai për fjalën e gruas që dëshmoi se më tha gjithë sa kam bërë. Samaritanët pra, si erdhën tek ai, i luteshin të rrijë pranë tyre. Edhe qëndroi atje dy ditë. Edhe shumë më tepër njerëz besuan për fjalën e tij. Edhe gruas i thoshin se nuk besojmë më për fjalën tënde; se ne e dëgjuam dhe e njohëm se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës, Krishti.