Oshënar Lidia në Filipi.

 

Lindi në qytetin Thiatira dhe, megjithëse ishte pagane, praktikonte judaizmin. Tregtonte purpur dhe jetonte me familjen e saj në Filipi të Maqedonisë. Një ditë të shtunë, shën Pavli erdhi për t’u predikuar grave të devotshme, mbledhur jashtë qytetit pranë një lumi, që të kryenin dhe ritualet.

Kur Lidia dëgjoi të flitej për Shpëtimtarin dhe Mbretërinë e Qiejve, kërkoi të pagëzohej bashkë me familjen e saj. Pas Pagëzimit, iu lut apostullit bashkë me shoqëruesit e tij, Lukën dhe Silën, të shkonin të qëndronin në shtëpinë e saj, por, pasi kundërshtuan, shenjtorja këmbënguli. Pali dhe Sila, si u rrahën me shkopinj dhe u futën në burg, pas një kryengritjeje që ndodhi në popull për shkak të pranisë së tyre, u liruan falë një ndërhyrjeje hyjnore dhe shkuan në shtëpinë e Lidias, ku takuan dhe të krishterë të tjerë.

Pasi i nxitën të qëndronin të fortë në besimin e tyre, vazhduan rrugën për në Selanik. Shën Lidia përfundoi ditët e saj duke qëndruar besnike në mësimin dhe shembullin e apostujve. Mundet të kishte fjetur tashmë, kur Pavli u dërgon letrën e tij Filipianëve (rreth 56-57), pasi ai nuk e zë në gojë.

* * * * *

Dëshmor Thalaleu e të tjerë me të.

 

Thaleleu rridhte nga një familje e krishterë e Fenikisë së Libanit. Ishte rritur me frikë Perëndie dhe me dashuri për virtytin dhe, i nxitur nga dhembshuria për të gjithë njerëzit që vuanin, studioi për mjekësi, të cilën që në rini e ushtronte falas për të sëmurët e çdo shtrese. Shkonte vetë e i merrte në krahë të pamundurit dhe i çonte në shtëpinë e tij, të ci¬lën e kishte kthyer në azil dhe u shërbente me dashuri. Nuk bënte dallim mes të krishterëve dhe paganëve. Këtyre të fundit nuk u kërkonte shpërblim, por vetëm të besonin te Jisu Krishti, te Mjeku i vetëm i shpirtrave e i trupave.

Në kohën e mbretërimit të Numerianit (283-284), kur ishte 18 vjeç, pasi mori nga Zoti të njëjtin hir si apostujt, Thaleleu përshkoi fshatra e qytete duke shpallur Ungjillin, duke shëruar të sëmurë e pastruar të lebrosur dhe duke dëbuar demonë me shenjën e Kryqit. Kur arriti në Egjes, ktheu në Krishterim shumë paganë. Pas një denoncimi e çuan para gjykatës së guvernatorit Theodhor. Gjatë marrjes në pyetje, shenjtori u përgjigj me guxim, prandaj qeveritari urdhëroi t’i shponin kyçet e këmbëve, pastaj ta lidhnin me litar dhe ta varnin kokëposhtë. Por, të verbuar nga një fuqi hyjnore, ushtarët shkuan e varën në vend të tij një copë druri. I tërbuar dhe duke menduar se u tallën me të, Theodhori i ndëshkoi dhe dha urdhër ta fshikullonin Thaleleun. Martiri i shenjtë mbeti i pathyeshëm, sikur të mos kishte pësuar asgjë; dashuria e Perëndisë e lartësonte mbi dhimbjet trupore.

Magjistrati ndërroi taktikë dhe e pyeti shenjtorin nëse i shëronte të sëmurët me magji apo me fuqinë e perëndive. Duke marrë si dëshmitarë ata që kishte shëruar më parë, Thaleleu iu përgjigj se vetëm emri i Krishtit dhe fuqia e Kryqit mund të shërojnë tërë të këqijat, sepse Biri i Perëndisë, nga dhembshuria për natyrën tonë, erdhi mes nesh dhe u bë njeri për të na shpëtuar nga vdekja dhe prishja dhe, në çastin kur u ngjit në qiell, ua dha këtë hir apostujve e pasuesve të tyre.

Kur pa se populli dëgjonte me ëndje fjalët e shenjtorit, Theodhori u sul me furi mbi të, por iu paralizuan krahët. Por as ky ndëshkim nuk e solli në vete, ndaj e dorëzoi Thaleleun në tortura edhe më të frikshme. I fuqizuar nga Krishti, i Cili ishte padukshëm pranë tij, shenjtori duroi me gëzim gremçat prej hekuri dhe flakët, duke thirrur se parapëlqente më tepër të vdiste për besimin sesa të humbiste nga mohimi dhe se donte të sakrifikonte jetën e vet për Atë që ofroi të Tijën për shpëtimin tonë.

Atëherë e braktisën në një varkë në mes të detit të tërbuar, por, sapo Thaleleu u lut, deti u qetësua dhe mundi të kthehej në breg. Menjëherë e morën ushtarët dhe e çuan në Egjes dhe, duke e tërhequr zvarrë, e çuan përsëri në gjykatë, ku ishte mbledhur një turmë e madhe. Mjekët e qytetit, që ia kishin zili sukseset, e nxitën qeveritarin të mbaronte sa më shpejt punë me të. Kështu, ai urdhëroi ta gozhdonin mbi një dërrasë, t’i hidhnin mbi trup zift të nxehtë dhe pastaj ta flaknin në zjarr. I paprekur dhe i fuqizuar nga hiri i Perëndisë, Thaleleu shpalli se i konsideronte vuajtjet si gëzim dhe titull nderi. Atëherë e hodhën te luanët, por bishat luanin me të dhe tundnin bishtin.

Në fund, meqenëse torturat nuk arritën ta mposhtnin, i prenë kokën. Ky fund i lavdishëm çoi në besim shumë nga të pranishmit. Përveç ushtarit Aleksandër dhe rojës së pyllit, Asterit, të cilët u bënë të krishterë që kur shenjtorin e nxorën për herë të parë në gjyq dhe u prenë kokën, u kthyen në besim shumë të tjerë dhe e shpallën me burrëri: mësuesi i Thaleleut në mjekësi dhe bashkëqytetarët Steronas, Filegrios, Timotheu, Makari etj.