– Ungjilli – Joani 8:21-30.
Jisui, pra, përsëri u tha atyre: Unë po shkoj, edhe do të më kërkoni, edhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini. Judenjtë pra, thoshin: Mos do të vrasë veten, meqenëse thotë: Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini?
Edhe ai u tha atyre: Ju jeni prej atyre që janë poshtë, unë jam prej atyre që janë lart. Ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote. Ju thashë, pra, juve se do të vdisni në mëkatet tuaja; sepse në mos besofshi se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja.
I thoshin pra: Cili je ti? Edhe Jisui u tha atyre: Ai që ju thashë juve që në fillim. Shumë kam për të thënë e për të gjykuar për ju; po ai që më dërgoi është i vërtetë, edhe unë sa dëgjova prej atij, këto i them botës. Ata nuk kuptuan se u thoshte për Atin.
Jisui pra, u tha atyre: Kur të ngrini lart Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, edhe nuk bëj asgjë prej vetes sime, por siç më mësoi Ati im, këto flas. Edhe ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë atij.
Ndërsa ai ishte duke folur këto, shumë veta i besuan.