– Ungjilli – Joani 8:12-20.

 

Jisui pra, përsëri u foli atyre, duke thënë, Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.

Farisenjtë pra, i thanë: Ti dëshmon për veten tënde. Dëshmia jote nuk është e vërtetë. Jisui u përgjigj e u tha atyre: Edhe në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse e di nga erdha e ku shkoj; por ju s’e dini nga vij e ku shkoj.

Ju gjykoni sipas mishit; unë nuk gjykoj asnjeri. Po edhe në gjykofsha unë, gjyqi im është i vërtetë; sepse nuk jam vetëm, por unë dhe Ati që më dërgoi. Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.

Unë jam ai që dëshmoj për veten time, edhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua. I thoshin pra: Ku është Ati yt? Jisui u përgjigj: As mua s’më njihni, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim. Këto fjalë i foli Jisui tek vendi i thesarit duke mësuar në tempull; edhe asnjë nuk e zuri, sepse ende s’i kishte ardhur ora.