– Ungjilli – Joani 7:14-30.

 

Edhe tani ndërsa ishte përgjysmë e kremtja, Jisui u ngjit në tempull, dhe i mësonte. Edhe Judenjtë çuditeshin, duke thënë: Si i di ky shkronjat pa mësuar?

Jisui iu përgjigj atyre, e tha: Mësimi im nuk është imi, po i atij që më ka dërguar. Në do ndonjë të bëjë dëshirën e tij, do të njohë për mësimin në është nga Perëndia, apo në flas unë prej vetes sime. Ai që flet prej vetes së tij, kërkon lavdinë e tij; po ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar, ky është i vërtetë, edhe padrejtësi tek ai nuk ka. A nuk ju dha juve ligjin Moisiu? Edhe asnjë prej jush nuk e zbaton ligjin. Pse kërkoni të më vrisni?

Turma u përgjigj e tha: Ke demon. Cili kërkon të të vrasë?

Jisui u përgjigj e u tha atyre: Një punë bëra, edhe të gjithë çuditeni. Prandaj Moisiu ju ka dhënë juve rrethprerjen, jo se është nga Moisiu, por nga etërit, edhe të shtunën rrethprisni njeriun. Në qoftë se njeriu merr rrethprerje të shtunën, që të mos prishet ligji i Moisiut, me mua zemëroheni, sepse një njeri të tërë e shërova të shtunën? Mos gjykoni sipas pamjes, po gjykoni gjyqin e drejtë.

Disa prej jerusalemasve thoshin, pra: A nuk është ky që kërkojnë ta vrasin? Por ja tek flet në sy, dhe s’i thonë asgjë. Mos vallë e njohën me të vërtetë të parët se ky është me të vërtet Krishti? Po këtë e dimë nga është, po kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është.

Jisui pra, thirri duke mësuar në tempull, edhe tha: Edhe mua më njihni, edhe nga jam e dini; edhe s’kam ardhur prej vetes sime, por është i vërtetë ai që më ka dërguar, të cilin ju nuk e njihni. Unë e njoh atë, sepse jam prej atij, edhe ai më dërgoi.

Kërkonin pra ta zënë; po asnjë s’vuri dorën mbi të, sepse ende s’i kishte ardhur ora.