– Apostulli – Veprat e Apostujve 14:6-18.

 

Ata e morën vesh, dhe ikën në qytetet e Likaonisë, Listër e Dervë, edhe në vendet për rreth. Dhe atje predikonin Ungjillin.

Edhe në Listër rrinte një njeri i dobët nga këmbët, sepse ishte i çalë që nga barku i së ëmës, i cili kurrë s’kishte ecur. Ky dëgjonte duke folur Pavlin, i cili, si hodhi sytë mbi të dhe pa se kishte besim për të shpëtuar, tha me zë të madh: Ngrihu drejt më këmbë.

Edhe ai kërcente dhe ecte. Edhe turmat kur panë se ç’bëri Pavli, ngritën zërin e tyre, duke thënë Likaonisht: Perënditë u shembëllyen me njerëz e zbritën te ne. Edhe e quanin Varnavën Zeus, edhe Pavlin Hermes; sepse ky ishte folësi i parë. Atëherë prifti i Zeusit që ishte përpara qytetit të tyre pruri dema e kurora përpara dyerve, dhe bashkë me turmën donte të bënte flijime.

Po apostujt Varnava dhe Pavli, kur dëgjuan, çorën rrobat e tyre e u hodhën në mes turmës, duke thirrur, e duke thënë: O burra, pse i bëni këto? Edhe ne jemi njerëz që pësojmë si edhe ju, dhe ju predikojmë të ktheheni nga këto kotësi në Perëndinë e gjallë, që bëri qiellin e dhenë dhe detin edhe gjithë ç’janë në to; i cili në brezat që shkuan la gjithë kombet të ecin në udhën e tyre; ndonëse nuk e la veten e tij pa dëshmi, duke bërë mirë e duke na dhënë neve nga qielli shira e kohëra frutdhënëse, e duke mbushur zemrat tona me ushqim e me gëzim. Edhe duke thënë këto, mezi ndaluan turmën që të mos u bëjnë atyre flijime.