APOSTULLI – Veprat e Apostujve 10:1-16.
Edhe ishte një njeri në Qesari që quhej Kornel, kryeqindës prej kohortës që quhej Italike. Ky ishte besëtar dhe kishte frikë nga Perëndia bashkë me gjithë shtëpinë e tij, edhe i jepte shumë lëmosha popullit, edhe i lutej Perëndisë gjithnjë.
Ky rreth orës së nëntë të ditës pa qartë në një vegim një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai, e i tha: Kornel. Edhe kur hodhi sytë në atë, e zuri frika, edhe tha: Ç’është, o Zot?
Edhe ai i tha atij: Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua u ngjitën për kujtim përpara Perëndisë. Edhe tani dërgo njerëz në Jopë, edhe thirr Simonin që mbiquhet Pjetër. Ky ka rënë tek njëfarë Simon lëkurëregjësi, i cili e ka shtëpinë pranë detit. Ky do të të thotë ç’duhet të bësh.
Edhe si iku engjëlli që ishte duke i folur Korneilit, thirri dy nga shërbëtorët e tij, edhe një ushtar shpresëtar nga ata që rrinin përherë pranë tij. Edhe si ua tregoi atyre të gjitha, i dërgoi në Jopë.
Edhe të nesërmen, tek ishin duke udhëtuar e po afroheshin në qytet, Pjetri u ngjit në dhomë të lutet, afër orës së gjashtë. Edhe e mori uria dhe donte të hante; po ndërsa ata po e bënin gati, ai ra në ekstazë.
Edhe sheh qiellin të hapur, edhe një enë duke zbritur mbi të si një pëlhurë e madhe, lidhur nga të katër cepat, e duke rënë mbi dhe. Brenda në të ishin gjithë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat dhe zvarranikët dhe zogjtë e qiellit. Edhe erdhi një zë tek ai: Ngrihu, Pjetër, ther e ha. Po Pjetri tha: Qoftë larg, o Zot! Sepse kurrë s’kam ngrënë gjë të ndyrë a të papastër.
Po përsëri për së dyti erdhi një zë tek ai: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra. Edhe kjo u bë tri herë; edhe përsëri ena u mor lart në qiell.