– Apostulli – Veprat e Apostujve 9:19-31.

 

Edhe Sauli ndenji disa ditë bashkë me nxënësit që ishin në Damask. Edhe menjëherë predikonte Jisuin nëpër sinagogat, se ky është i Biri i Perëndisë. Edhe të gjithë ata që dëgjonin mahniteshin e thoshin: A nuk është ky ai që prishi në Jerusalem ata që thërrisnin në këtë emër, edhe këtu për këtë kishte ardhur, që t’i çojë ata lidhur te kryepriftërinjtë? Po Sauli më tepër forcohej, edhe i turbullonte Judenjtë që rrinin në Damask, duke treguar se ky është Krishti.

Edhe si shkuan mjaft ditë, Judenjtë u morën vesh ta vrasin. Po vendimi i tyre i ra në veshë Saulit; edhe ruanin dyert ditë e natë që ta vrisnin. Atëherë nxënësit e morën natën, edhe e zbritën nga muri, duke e varur atë në një shportë. Edhe Sauli, si erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënësit; po të gjithë kishin frikë prej tij, sepse nuk besonin se është nxënës. Po Varnava e mori, edhe e pruri tek apostujt dhe u tregoi atyre si pa Zotin në udhë, edhe se i foli atij, edhe si në Damask fliste me guxim në emrin e Jisuit. Edhe ishte duke hyrë e duke dalë bashkë me ata në Jerusalem, edhe duke folur me guxim në emrin e Zotit Jisu. Edhe fliste e hahej me Greqishtarët; po ata kërkonin ta vrisnin. Edhe vëllezërit kur e morën vesh, e zbritën në Qesari, edhe e dërguan në Tars.

Kishat pra nëpër gjithë Judenë e Galilenë e Samarinë kishin paqe, edhe ishin duke u ndërtuar e duke ecur me frikën e Zotit, edhe me anë të ngushëllimit të Frymës së Shenjtë shumoheshin.