E Diela e Thomait.

Në çdo ditë të javës mbas Pashkës, e quajtur nga kisha Java e Ndritshme, shërbesat paskale kremtohen me tërë shkëlqimin e tyre. Procesioni pagëzimor i Pashkës përsëritet çdo ditë. Dyert e Bukura të Hierores qëndrojnë të hapura. Gëzimi i Ngjalljes dhe dhurata e Mbretërisë së jetës së amëshuar vazhdon me bollëk. Pastaj, në fund të javës, të Shtunën në mbrëmje kremtohet kujtimi i shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma “mbas tetë ditësh” (Joani 20:26). Eshtë e rëndësishme të vihet re, që numri tetë ka një kuptim simbolik në traditën shpirtërore Judeo-Kristiane. Ai tregon diçka më tepër se sa plotësinë dhe përmbushjen; ai tregon Mbretërinë e Perëndisë dhe jetën e botës që vjen, meqenëse shtata është numri i kohës tokësore. Sabati, dita e shtatë, është dita e bekuar e pushimit në këtë botë, dita e fundit e javës. “Dita e parë e javës,” dita “mbas Sabatit”; theksuar në të gjithë Ungjijtë si dita e Ngjalljes së Krishtit (Marku 16:1; Mattheu 28:1; Lluka 24:1; Joani 20:1, 19) është pra “dita e tetë”, dita përtej kufijve të kësaj bote, dita që qëndron për jetën e botës së ardhshme, dita e pushimit të amëshuar e Mbretërisë së Perëndisë (Hebrenjtë 4).

E Diela mbas Pashke, e quajtur e Diela e dytë, është kështu dita e tetë e kremtimit paskal, dita e fundit e Javës së Ndritshme, prandaj edhe është quajtur Antipashka, sepse vetëm në këtë ditë në Kishën e vjetër, të porsa pagëzuarit i hiqnin rrobat e tyre të bardha të pagëzimit dhe hynin përsëri në jetën e kësaj bote. Në shërbesat e Kishës i vihet theksi shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma. Rëndësia e ditës vjen tek ne nëpërmjet fjalëve të Ungjillit: Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën e vëre në brinjën time; dhe mos u bëj i pabesë, por besëtar. Edhe Thomai u përgjigj e i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!” Jisui i thotë: “Sepse më pe dhe besove, lum ata që nuk panë dhe besuan” (Joani 20:27-29).

Ne nuk e kemi parë Krishtin me sytë fizikë dhe as e kemi prekur trupin e tij të ngjallur me duart tona, por në Shpirtin e Shenjtë ne e kemi parë dhe shijuar Fjalën e Jetës (1 Joani 1:1-4) dhe kështu ne besojmë. Në çdo shërbesë ditore deri në Ditën e Ngjitjes (Shestja), ne këndojmë Troparin e Pashkës. Në secilën nga shërbesat e të Dielave pas Pashke, duke filluar me të Dielën e Shën Thomait, ne këndojmë kanonin dhe himnet e Pashkës dhe përsërisim kremtimin e “ditës së parë të javës”, në të cilën Krishti u ngjall së vdekurish. Këndimet e Apostullit janë prej Veprave të Apostujve, ku tregohet për të krishterët e parë, të cilët jetuan në Kungim me Zotin e Ngjallur. Këndimet e Ungjillit janë nga Ungjilli i Shën Joanit, konsideruar nga shumë, si një Ungjill që u shkruajt kryesisht për ata që janë të porsa pagëzuar në jetën e re të Mbretërisë së Perëndisë, nëpërmjet vdekjes dhe rilindjes në Krishtin, në emër të Trinisë së Shenjtë. Arsyeja për këtë opinion qëndron në faktin se të gjitha “shenjat”, siç quhen mrekullitë në Ungjillin e Shën Joanit, kanë të bëjnë me temat misterore që përfshijnë ujin, verën dhe bukën. Kështu, secila nga të Dielat mbas të Dielës së Shën Thomait, me përjashtim të së tretës, i kushtohet kujtimit të njërës prej këtyre “shenjave”.

* * * * *

Oshënar Epifani I Qipros.

Atë i madh, shkrimtar shumë i madh antiheretik. Lindi rreth vitit 315 në Palestinë nga të krishterë, me sa duket hebrenj dhe studioi në shumë vende, kështu që mësoi 5 gjuhë. I ri në Egjipt u verbua nga monakizmi, i drejtuar tashmë nga shën Ilarioni (21 tetor). Kur ishte 20 vjeç u kthye në Palestinë dhe themeloi një manastir, në të cilin ishte igumen. Gjithashtu u dorëzua prift. I ditur, i virtytshëm, çudibërës i madh, Epifani (greqisht do të thotë: i dalluar) u zgjodh në vitin 367 kryepiskop i Qipros me qendër Konstandian. U kujdes për murgërinë dhe luftoi kundër arianizmit dhe të gjitha herezive.

Ishte shumë i rreptë kundër çdo gjëje, për të cilën dyshonte se ishte jokonservatore apo jo plotësisht e përputhur me kanonet. Kështu ra në gabime dhe kishte kontradikta me shën Meletin e Antiokisë (12 shkurt) dhe më vonë me Krisostomin (Gojartin) e shenjtë (13 nëntor). Duke mohuar arsimin grek, dënoi në sinod (401) Origjen Theologun, që kishte shkruar shumë vepra, të cilin e konsideronte atë të herezive. Zelli i përhershëm për problemet e Kishës “mëmë”, sipas shprehjes së tij, e drejtoi në Azinë e Vogël, Antioki, Jerusalem, Romë dhe Konstandinopojë, ku dhe ra në gabime antikanonike. Por, me sa duket u pendua, ndaj u largua me nxitim mbas lutjes së kryepiskopit, shën Joan Gojartit. Fjeti gjatë kthimit në ishullin e tij të Qipros, më 12 maj 403.

Në veprat e tij, që ndikuan gjerësisht, trajton sidomos tema dogmatike, duke shpjeguar Shkrimin e Shenjtë jo aq me mend sesa me zemër dhe i mbështetur në Tradita. Vepra e tij “Panari” (d.m.th. kanistra) ekspozon 80 herezi, skizma dhe fe dhe në fund Orthodhoksinë. Kurse vepra e tij “Në lidhje me masat dhe gurët e peshës”, përbën enciklopedi të Dhiatës së Vjetër. Mendohet si shkrimtar i fjalimit virtuoz “Zbritja në Hadh e Zotit (gjatë varrosjes së Tij)”. Por vihet në dyshim origjinaliteti i morisë së veprave me emrin e tij.

Afër tij mësoi dhe shën Jeronimi (15 qershor). Diku është regjistruar një shenjtore Kalitropa, si motër e tij.

 

* * * * *

Shën Gjermani, Kryepiskop I Konstandinopojës.

 

Ati ynë i shenjtë Gjermani ishte bir i një patrici të shquar, pasardhës i perandorit Justinian, të cilin e vrau nga smira perandori Konstandini IV Pogonati (668-685). Më pas, perandori e bëri eunuk Gjermanin e ri, që të mos e lejonte të merrte post në senat dhe e futi në radhën e klerit të Kishës së Madhe.

Duke e kthyer detyrimin në një rrugë lavdie, i lumuri Gjerman jetoi si engjëjt, duke përbuzur çdo kotësi të botës, iu përkushtua studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe lavdërimit të Perëndisë. Në këtë mënyrë fitoi njohuri të thella teologjike, me të cilat mbrojti më pas Besimin e vërtetë. Etërit e Sinodit të Dytë Ekumenik të Nikeas e lavdëruan me këto fjalë: “I përkushtuar te Perëndia që në rini, si profeti Samuel, shkrimet e tij u përhapën në mbarë botën. Lavdërimet e Perëndisë i kishte në buzë dhe fjalët e Tij ishin si shpatë me dy presa (Ps. 149:6), ndaj kundërshtarëve të traditës kishtare”.

U hirotonis mitropolit i Kizikës dhe luftoi kundër mbeturinave të herezisë monothelite. Perandori Filipikos (711-713), i cili synonte ta rigjallëronte këtë herezi, e internoi. Kur u iku tirani, shenjtori u kthye në fronin e vet dhe u zgjodh patriark i Konstandinopojës më 715, duke gëzuar popullin orthodhoks. Fronin patriarkal e zbukuroi me virtytet dhe dhuntinë e profecisë. Në ditën e pagëzimit të Konstandinit, birit të perandorit Leoni III, shenjtori shpalli se ai fëmijë do të bëhej armik i rrezikshëm i Kishës (740-775) dhe i paratha njërit prej klerikëve, Anastasit, se do të uzurponte fronin dhe do bëhej ndër nxitësit e herezisë.

Në fillim të mbretërimit të Leonit III, Konstandinopoja u rrethua nga ushtri të panumërta arabe dhe qyteti shpëtoi nga rreziku vetëm me mbrojtjen e Hyjlindëses dhe nga lutjet e popullit të drejtuara nga shën Gjermani (718). Pas një sundimi 10-vjeçar, perandori foli kundër nderimit të ikonave të shenjta, duke njoftuar se do t’i hiqte nga nderimi publik (726). Patriarku i shenjtë iu drejtua perandorit dhe e qortoi për ndërhyrjen në çështjet e Kishës dhe thyerjen e traditave apostolike. Fjala e Perëndisë u mishërua dhe mori natyrën tonë që të ripërtërinte te ne ikonën e Perëndisë, e cila u dëmtua nga mëkati. Prandaj, duke sulmuar nderimin e ikonave, perandori përmbyste gjithë misterin e Mishërimit. Leoni, i zemëruar dhe pa argumente për t’u përgjigjur, e goditi shenjtorin me shuplakë dhe e dëboi.

Pas episodit me ikonën e Portës së Bronztë, perandori kërkoi t’i sillnin shenjtorin. Më 17 janar të vitit 730 e nxorën para asamblesë së senatorëve dhe funksionarëve të lartë, për ta detyruar të nënshkruante dekretin e perandorit, i cili urdhëronte shkatërrimin e ikonave në mbarë Perandorinë.

Pas një apologjie të shkëlqyer, shën Gjermanoi përfundoi duke thënë: “Nëse jam një Jona i ri, hidhmëni në det. Por ta dish, o perandor, se pa sinod ekumenik, nuk më lejohet të sjell diçka të re në besim!”. Pastaj shkoi në “Shën Sofi”, la omoforin mbi Tryezën e Shenjtë dhe u tërhoq në një banesë të familjes, në Platonio, ku i mbylli ditët e fundit në qetësi e lutje (730 ose 742), duke shkruar ligjërata të ndryshme kundër herezive. Pesë ditë pas dorëheqjes së shën Gjermanoit dhe sipas fjalës së tij profetike, perandori u kujdes që të vendosej patriark pasuesi i tij dinak, Anastasi. Ai u bë bashkëpunëtor me perandorin për të nxitur persekutimin kundër gjithë atyre që nderonin ikonat.

Tregohet se pas dorëheqjes, shën Gjermanoi mori në krahë ikonën e Hyjlindëses dhe e hodhi në det, në vendin që quhej Amantios, duke iu lutur Krishtit që ta çonte larg nga veprimet e perandorit, deri në Romë, në mënyrë që papa i Romës të mund të ruante traditat e shenjta. Në fund të herezisë ikonoklaste (843), ikona u kthye vetë duke lundruar mbi ujë, në Konstandinopojë, ku u prit nga perandoresha Theodhora, e cila e vendosi në kishën e Kalkopratisë.