APOSTULLI – Veprat e Apostujve 8:26-39.

Edhe një engjëll i Zotit i foli Filipit duke thënë: Ngrihu e shko nga jugu, në rrugën që zbret prej Jerusalemit në Gazë. Kjo është shkretëtirë. Edhe ai u ngrit e shkoi.

Edhe ja një njeri, Etiopian, eunuk, ofiqar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së Etiopianëve, i cili ishte mbi gjithë thesarët e saj; ky kishte ardhur që të falet në Jerusalem. Edhe në kthim, duke ndenjur mbi qerren e tij, po lexonte profetin Isaia. Edhe Fryma i tha Filipit: Afrohu e ngjitju kësaj qerreje. Edhe Filipi shkoi me vrap afër, e dëgjoi atë duke lexuar profetin Isaia, edhe tha: A i kupton vallë ato që lexon?

Edhe ai tha: E si mundem, në mos më udhëzoftë njeri? Edhe iu lut Filipit të hipë e të rrijë bashkë me të. Edhe pjesa e shkrimit që po lexonte ishte kjo: “U pru si dele për therje, edhe si qengj pa zë përpara atij që e qeth, kështu nuk hap gojën e tij. Në përuljen e tij u ngrit gjyqi i tij; edhe brezin e tij kush do ta tregojë? Sepse ngrihet prej dheut jeta e tij”. Edhe eunuku u përgjigj e i tha Filipit: Të lutem, për cilin e thotë profeti këtë? Për veten e tij, apo për ndonjë tjetër? Atëherë Filipi hapi gojën e tij, edhe duke u nisur nga ky shkrim i dha atij lajmin e mirë për Jisuin.

Edhe tek po ecnin udhës, erdhën pranë një uji; edhe eunuku thotë: Ja ujë, çfarë më ndalon të pagëzohem? Edhe Filipi i tha: Në beson me gjithë zemër, mundesh. Edhe ai u përgjigj e tha: Besoj se Jisu Krishti është i Biri i Perëndisë. Edhe urdhëroi të qëndrojë qerrja; edhe zbritën të dy në ujë, Filipi dhe eunuku; edhe e pagëzoi. Edhe kur dolën nga uji, Fryma e Zotit rrëmbeu Filipin dhe eunuku s’e pa më, por shkonte udhës së tij duke u gëzuar.