Apostull e Ungjillor Joan Theologu.
Pas fjetjes dhe varrosjes së apostullit të shenjtë Joan Theologu në Efes (26 shtator), varri, i cili u gjend bosh, u bë një vend mrekullish. Veçanërisht çdo vit në këtë ditë, varri gjendej i mbuluar me një lloj hiri, të cilin të krishterët vendas e quajtën “Manë”. Ata që lyheshin me të me besim, gjenin menjëherë shërim, pasi ajo shëronte nga sëmundje të ndryshme të shpirtit dhe të trupit.
Kjo mrekulli e siguroi edhe një herë Kishën, që të kremtonte solemnisht për herë të dytë çdo vit kujtimin e dishepullit shumë të dashur të Zotit.
* * * * *
Oshënar Arseni i Madh.
Lindi në vitin 354 në Romë, prej prindërve ofiqarë. U dorëzua dhjak nga papa Dhamasi, si i virtytshëm dhe i urtë, këtë e dëshmojnë mësimet dhe ndodhitë e jetës së tij. Më vonë perandori i Perëndimit Gratiani (375-383), e prezantoi te perandori, Theodhosi i Madh (17 janar), i cili kërkonte mësues për bijtë dhe pasardhësit e tij, Arkadhin (395-408) dhe Honorin (395-423). Oshënari u bind, vuri motrën e tij në një manastir dhe shkoi në Konstandinopojë. Edukonte bijtë e mbretit me rreptësi, sipas porosisë së babait të tyre, i cili e nderonte tej mase, si dhe oborri që e quante “Atë mbretëror”.
Megjithatë, pallati nuk i mbushte shpirtin. Duke u lutur, dëgjoi një zë: “Ik nga njerëzit dhe shpëto”. Kështu u arratis (395) dhe u bë murg i Skitit, në perëndim të deltës së lumit Nil. Ushtrohej vetëm, por u bë shumë i njohur dhe bëri për vete masa njerëzish. Me guvernatorin e Aleksandrisë dhe me kryepiskopin e saj, Theofilin, kishte këtë bisedë: “Na thuaj, ava, fjalë shpëtimi. Do ta mbani? Po. Kur të dëgjoni Arsen, të largoheni!” Ai sillej si jomikpritës dhe nuk i pëlqente takimet, sepse e shkëpusnin nga Zoti. Qortoi një anëtare senati të ardhur nga Roma, e cila në fund përfiton dobi dhe kënaqësi shpirtërore.
Krejt pa pronë, ai nuk pranoi një trashëgimi të një të afërmi, duke thënë se kishte vdekur para tij, kreshmonte shumë, flinte vetëm një orë gjatë 24 orëve, vishej shumë keq dhe punonte qëllimisht aty ku mbante erë të keqe, si kundërpeshë e jetës në pallat; lutej në këmbë gjatë gjithë natës, kishte frikë Perëndie, e mbante zi, saqë e lumëroi oshënar Pimeni (27 gusht); por sidomos ai tregonte përulësi. Donte gjithnjë të “vendoste fillim” virtyti, ai i tërëvirtytshmi. Nxiste veten: “Arsen, lufto për atë, për të cilën dole nga bota”. Shkoi më në jug, në Memfidhë, për shkak të një invazioni barbar dhe pas një 10-vjeçari u vendos në Kanopin bregdetar (442).
Fjeti dhe u varros në një vend të fshehtë (rreth v. 445), sepse kishte kërkuar që trupin t’ia hidhnin në humnerë.
Arsen, greqisht do të thotë: mashkullor.