E Diela e të Paralizuarit.

 

E Diela III pas Pashkës i kushtohet shërimit të të paralizuarit prej Krishtit (Joani 5). Ky njeri u shërua nga Krishti ndërsa po priste që dikush ta zbriste në pellgun e ujit. Nëpërmjet Pagëzimit në Kishë, ne gjithashtu jemi shëruar dhe shpëtuar nga Krishti për jetën e amëshuar. Kështu, kjo ngjarje na tregon se edhe ne së bashku me ulokun duhet që “të mos mëkatojmë më që të mos na bëhet ndonjë gjë më e keqe” (Joani 5:14).

 

* * * * *

Oshënr Nil Mirovliti.

 

Lindi ndoshta në vitin 1601, në Peloponez të Greqisë. Mësoi shkronjat dhe virtytin pranë xhaxhait të tij, hieromonakut Makarios. Së bashku u ushtruan në Manastirin e Malevit (po në Peloponez), ku Nili u hirotonis dhjak dhe prift. Meqenëse ata kërkonin një jetë të një niveli më të lartë, kërkuan në Malin e Shenjtë dhe gjetën një vend krejt të shkretë, ku ishte ushtruar më parë shën Petro Athoniti (12 qershor) skiti aty afër i Kafsokalivëve u krijua përfundimisht gjatë 100-vjeçarit të mëvonshëm. Pasi blenë vendin nga manastiri i Lavrës, aty afër, ata punuan me ngulm për të rregulluar florën e zonës, ndërtuan dhe pikturuan me dorën e tyre kishën e Ipapandisë.

I nipi, për shkak të vetizolimit të plotë, arriti që të zbriste në një shpellë pranë, në një greminë vertikale që përfundonte në port natyror, aty ku kishte ndalur anija që sillte shën Petron. I marrim me mend përpjekjet e tij të përhershme mbinjerëzore në këtë shpellë, përderisa ai u bë i denjë që të lëshojë miro pas fjetjes më 12 nëntor të vitit 1651. Miroja rridhte nga varri i tij, pranë shpellës, deri në det! Ndaj vinin anijet dhe merrnin nga ai, sepse shëronte sëmundjet.

Por, më pas varri i tij u harrua. Dy etër, duke dashur ta gjenin atë, gërmuan dhe një shkëmb rrëshqiti dhe dërrmoi këmbën e njërit prej tyre. Kur tjetri iku për t’i sjellë ndonjë kafshë pune, shenjti iu shfaq të plagosurit, e qortoi për guximin që kishin ndërmarrë pa bekimin e tij, dhe pastaj e shëroi.

Që atëherë askush nuk e kërkoi më, deri në vitin 1815. Atëherë një murg, i pushtuar nga demonët dhe që gjithashtu vuante nga hernia, u shërua nga oshënari, i cili i tregoi në mënyrë profetike të këqijat që do të pësonte Mali i Shenjtë. Pastaj e nxiti të riparonte shtegun që të çonte drejt shpellës së tij, që të kryheshin liturgji në kishëzën, që kishte krijuar vetë brenda saj.

Atëherë vëllezërit ndërtuan pranë saj një kishëz me emrin e tij. Por, duke gërmuar themelet, gjetën varrin me lipsanin që kundërmonte erë të mirë (7 maj 1815), dhe u shëruan sëmundje të ndryshme. Varri është mbrapa Hierores. Janë ruajtur kodikë me profeci që i dedikohen atij, por nuk duken se janë të tij. Megjithëse festa e tij është më 12 nëntor (dita e fjetjes së tij), kremtohet sot në Malin e Shenjtë për shkak të kushteve më të favorshme të motit.