– Apostulli – Veprat e Apostujve 5:21-32.
Edhe si dëgjuan, hynë në tempull ndaj të gdhirë, edhe mësonin. Po kur erdhi kryeprifti dhe ata që ishin bashkë me të, thirrën kuvendin dhe gjithë pleqësinë e bijve të Izraelit, edhe i dërguan në burg, që t’i sillnin ata. Po shërbëtorët, kur shkuan, nuk i gjetën ata në burg; edhe u kthyen e i njoftuan duke thënë se burgun e gjetëm të mbyllur me çdo siguri, edhe rojet duke ndenjur jashtë përpara dyerve; po kur e hapëm, brenda nuk gjetëm asnjeri.
Edhe kur dëgjuan këto fjalë edhe kryeprifti i vitit, edhe kryeroja i tempullit dhe kryepriftërinjtë, vrisnin mendjen për ta se si do t’i bëhet kësaj pune. Atëherë erdhi një njeri e i lajmëroi ata, se ata burra që vutë në burg ja tek janë duke qëndruar në tempull e po mësojnë popullin.
Atëherë shkoi kryeroja bashkë me shërbëtorët e i pruri, por jo me dhunë, se kishin frikë nga populli se mos i vrasë me gurë. Edhe si i prunë, i nxorën përpara këshillit; dhe kryeprifti i pyeti ata, duke thënë: A nuk ju porositëm rreptësisht të mos mësoni në këtë emër? Dhe ja tek mbushët Jerusalemin me mësimin tuaj, edhe doni të hidhni mbi ne gjakun e këtij njeriu.
Atëherë Pjetri dhe apostujt u përgjigjën e thanë: Duhet t’i bindemi Perëndisë më tepër se njerëzve. Perëndia i etërve tanë ngjalli Jisuin, të cilin ju, si e varët mbi dru, e vratë. Këtë Perëndia e lartësoi me anë të së djathtës së tij, si prijës dhe shpëtimtar, që t’i japë pendim Izraelit dhe ndjesë mëkatesh. Edhe ne jemi dëshmitarët e atij për këto fjalë, si edhe Fryma e Shenjtë, të cilin Perëndia ua dha atyre që i binden atij.