– Apostulli – Veprat e Apostujve 4:13-22.

 

Edhe duke vështruar guximin e Pjetrit e të Joanit, edhe duke kuptuar, se ishin njerëz të pashkollë e të zakonshëm, çuditeshin, po i njihnin se kishin qenë bashkë me Jisuin. Edhe si shihnin njeriun e shëruar duke ndenjur bashkë me ata, s’kishin se ç’të thoshin kundër.

Atëherë i urdhëruan ata të dalin jashtë këshillit, dhe dhanë e morën në mes tyre, duke thënë: ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve?

Sepse një çudi e njohur u bë me anë të tyre, kjo është e dukshme për të gjithë ata që rrinë në Jerusalem, edhe nuk mund ta mohojmë. Po që të mos përhapet më tepër në mes të popullit, le t’i kërcënojmë fort, që asnjë njeriu të mos i flasin më për këtë emër.

Edhe i thërritën e i porositën të mos flasin fare, as të mos mësojnë në emrin e Jisuit. Po Pjetri e Joani iu përgjigjën atyre, e u thanë: Në është e udhës përpara Perëndisë sonë t’ju dëgjojmë ju më tepër se Perëndinë, gjykoni.

Sepse ne nuk mund të mos flasim për sa pamë e dëgjuam. Edhe ata, si i kërcënuan përsëri, i lëshuan, sepse nuk gjenin se si t’i ndëshkonin ata, për shkak të popullit, sepse të gjithë lavdëronin Perëndinë për atë që u bë.

Sepse njeriu, tek i cili u bë kjo çudi e shërimit, ishte më tepër se dyzet vjeç.