Dëshmorët Timoteu e Maura.
Ishin bashkëshortë në Tebë të Egjiptit dhe u martirizuan në vitin 286. Timoteun, që ishte anagnost (lexues) në kishë dhe predikues i besimit, pa mbushur 20 ditë nga martesa e tyre, e kapën dhe e urdhëruan të dorëzonte librat e shenjtë. Kur ai refuzoi, sovrani i nguli hekura të skuqur në veshë sa i dolën sytë nga vendi. Pastaj e torturuan me “rrotën” dhe, sa herë ajo rrokullisej, thikat poshtë saj shponin trupin e tij. U shërua nga Krishti, por arkondi u inatos: i mbushën gojën me copa lecke si fre, i lidhën në qafë një gur të rëndë dhe e sillnin vërdallë për ta poshtëruar, e varën kokëposhtë. Pastaj e burgosën.
Atëherë tirani solli Maurën. I bëri lajka, i kujtoi rininë e saj të njomë, martesën që kishte shumë pak kohë që kishte ndodhur dhe e këshilloi të zbukurohej e të shkonte ta konvertonte burrin e saj për ta shpëtuar. E reja shkoi, por u kthye ajo nga ai! Kështu i rruan kokën për ta poshtëruar, i prenë gishtërinjtë, e hodhën në ujë të përvëluar. Meqenëse mbeti e paprekur, arkondi, për të verifikuar nëse uji ishte i nxehtë ose jo, i kërkoi ta spërkaste. Vërtet, uji që e spërkati i dogji lëkurën. I zemëruar, urdhëroi ta djegin me llambadhe.
Më në fund i kryqëzoi që të dy përballë njëri-tjetrit. Ata, duke inkurajuar njëri-tjetrin, dhanë shpirt pas 10 ditësh. Djalli i paraqiti me fantazi të kryqëzuarës që digjej nga etja, një gotë me mjaltë dhe qumësht dhe pastaj një lumë të tërë me të njëjtin lëng duke e nxitur të pinte. Por trimëresha e zmbrapsi. Atëherë një engjëll e ngjiti shpirtërisht në Qiell. I tregoi atje një fron të shndritshëm dhe një kurorë të përgatitur enkas për të, dhe të njëjtat gjëra, por më të shndritshme, për burrin e saj, shkaktarin e shpëtimit të saj…
Në një fshat të Zakinthit, ishull në detin Jon, ndodhet një ikonë e saj. Thuhet se shëroi të demonizuar dhe shmangi katastrofë të kishës si edhe të besimtarëve brenda saj, kur në ditën e festës së shenjtorëve në vitin 1801, shpërtheu brenda në kishë një baule me barut.
* * * * *
– Dëshmor i ri Ahmeti, Kaligraf –
Shën Ahmeti ishte me origjinë nga Konstandinopoja dhe prindërit e kishin rritur me besimin mysliman. Ishte kaligrafi i dytë në sekretarinë e sulltanit dhe kishte pozitë sociale me rëndësi. Nuk ishte martuar, por bashkëjetonte me një nga skllavet e krishtera, me origjinë nga Rusia. Një robinjë tjetër ruse, grua e moshuar dhe e perëndishme, e kishte zakon të shkonte në kishë ditët e të kremteve dhe t’i sillte mikes së saj naforë dhe ujë të bekuar. Një të kremte, Ahmeti vuri re se goja e gruas lëshonte aromë të mirë. E pyeti se ç’kishte ngrënë dhe ajo, pas kërkesash të vazhdueshme, iu përgjigj se kishte ngrënë bukën e bekuar që i kishin sjellë.
Ahmeti u pushtua nga një dëshirë e zjarrtë, që të shikonte se si të krishterët e merrnin këtë bukë dhe si ishin ritet që praktikonin në kishat e tyre. U vesh si të krishterët dhe shkoi në kishën e Patriarkanës, që të ndiqte fshehurazi Liturgjinë Hyjnore. Në Hyrjen e Madhe, pa priftin që mbante potirin dhe ecte pa shkelur përtokë, duke shkëlqyer i tëri. Kur patriarku bekoi popullin, pa rreze drite të dilnin nga duart e tij, të cilat preknin kokat e besimtarëve, por atë vetë nuk e preknin. I lumuri besoi me gjithë shpirt dhe, pa ngurruar, filloi të rrëfente besimin e krishterë para të pranishmëve.
Kaligrafi i rangut të tretë, i cili kërkonte të merrte me intriga vendin e Ahmetit, nxiti kundër tij kryesekretarin dhe pjesën tjetër të personelit. E nxorën para gjyqit dhe, kur e pyetën, Ahmeti iu përgjigj se kishte përqafuar besimin e krishterë pas një zbulese që pati dhe u shpreh se dëshironte me gjithë zemër që edhe shokët e tij të bëheshin të krishterë.
Gjykatësi u zemërua dhe e futi në burg bashkë me të dënuar ordinerë dhe dha urdhër ta linin pa bukë e pa ujë për gjashtë ditë rresht. E nxorën përsëri para gjykatësit dhe Ahmeti tha se ky kreshmim e kishte pastruar dhe se Krishti i kishte zbuluar misteret më të thella të besimit, duke e forcuar kaq shumë në vendimin e tij, sa për kadiun ishte më e thjeshtë ta vriste me gurë me duart e tij, sesa ta bënte të ndryshonte mendje. E nxorën para sulltanit, që e kërcënoi me prerje koke, por Ahmeti iu përgjigj se kjo vdekje do ta mbushte plot gëzim. Atëherë sulltani e dënoi me vdekje dhe Ahmetit ia prenë kokën më 3 maj të vitit 1682, duke u pagëzuar kështu me vetë gjakun e tij, me emrin Kristodhul. Trupi i tij u hodh në breg të detit, ku shkëlqeu për ditë me radhë me një dritë të mbinatyrshme.