APOSTULLI – Veprat e Apostujve 5:12-20.

Edhe me anë të duarve të apostujve bëheshin shumë shenja e çudira në mes të popullit; edhe ishin me një zemër të gjithë në portikun e Solomonit. Edhe nga të tjerët asnjë s’guxonte të bashkohej me ta; por populli i madhëronte ata.

Edhe shtoheshin më shumë duke besuar në Zotin turma burrash e grash; aq sa nxirrnin jashtë nëpër rrugë të sëmurët, edhe i vinin mbi shtresa e mbi shtretër, që kur të shkonte Pjetri të paktën hija e tij të zinte ndonjë nga ata. Edhe mblidheshin në Jerusalem të gjitha qytetet për rreth, edhe sillnin të sëmurët edhe ata që ngiteshin prej frymësh të ndyra, të cilët shëroheshin të gjithë.

Atëhere u ngrit kryeprifti dhe gjithë ata që ishin bashkë me të, të cilët ishin sekt i Saduqenjve, edhe u mbushën me smirë; edhe vunë duart e tyre mbi apostujt, edhe i vunë në burgun publik. Po një engjëll i Zotit natën hapi dyert e burgut, edhe si i nxori jashtë, tha: Shkoni, edhe rrini e i flisni popullit në tempull gjithë fjalët e kësaj jete.