Profeti Jeremia.

 

I dyti ndër profetët e mëdhenj, biri i priftit Elkia, lindi rreth viti 650 para Krishtit. Në vitin 626 mori thirrjen Hyjnore dhe, nga një njeri i qetë e i druajtur, shndërrohet në një personalitet vital e të mahnitshëm.

Në Jerusalem, ndërkohë që ai ndodhej në prag të skllavërimit, fton bashkatdhetarët në besim e pendim tek i Plotfuqishmi, duke i nxitur të mos hyjnë në aleanca me kombe të huaja, nëse donin të shpëtonin.

Gjithashtu, Jeremia rekomandonte dashurinë edhe për armiqtë babilonas, prandaj hebrenjtë, të cilët ishin korruptuar nga ana morale dhe fetare, u egërsuan. Komplotuan kundër tij, e burgosën herë pas here, madje edhe e hodhën në një gropë me llumë. Profeti ankohej i qetë: “Më mashtrove, o Zot, dhe u mashtrova”, duke pranuar kështu thirrjen profetike.

Fshehu Arkën e Dhiatës në mal. Perandori i babilonasve, Nabukodonosori, pas pushtimit të Jerusalemit (në vitin 587, gjë që profeti e kishte parathënë), e lejoi të ishte në grupin e hebrenjve që nuk u larguan nga Kaldea. Por ata e rrëmbyen dhe e çuan në Egjipt, ku u arratisën pasi vranë sovranin e pushtuesve. Aty, sipas Sinaksarit, në mënyrë mrekullibërëse, vrau gjarpërinjtë helmues dhe krokodilët.

Vdiq i goditur me gurë nga vetë bashkatdhetarët e tij.

Thuhet se Aleksandri i Madh transferoi me respekt lipsanet e tij në Aleksandri.

Me vuajtjet e tij të shumta, parafiguron Krishtin e kryqëzuar.

Libri i tij, i mahnitshëm si nga ana letrare ashtu edhe psikologjike, përmban pjesën më të madhe të jetëshkrimit të tij, dhe profecisë që i referohet Dhiatës së Re, të cilën i Shumëlarti do ta shkruante në zemrat e besimtarëve. Veç kësaj, në 5 vajtimet e tij, vajtohet për shkatërrimin e Sionit, që nuk përbënte çështje fati, por dënim që lartazi, për pastrim shpirtëror.

Së fundmi, në librin e tij të tretë të Dhiatës së Vjetër, i nxiste bashkëkombasit e vet të mos ktheheshin drejt idhujtarisë në Mesopotami.

Emri Jeremia do të thotë ‘Perëndia lartëson’.

 

* * * *

Panareti i Pafos.

Shën Panareti ishte episkopi i Pafos në Qipro, në shek. XVIII. I denjë për emrin e tij (greqisht- i gjithëvirtytshëm), e zbukuronin vërtet të gjitha virtytet; jo vetëm ato të një bariu të kujdesshëm e të dhembshur, por dhe ato të një asketi që luftonte fshehurazi në betejat shpirtërore. Me gjithë shëndetin e dobët, hante shumë pak, një herë në ditë pas Mbrëmësores dhe më pas tërhiqej në dhomën e tij, ku e kalonte gjithë natën në lutje në këmbë.

Kur arriti në fund të jetës (1791), e hapi vetë varrin, u vesh me rroba të bardha dhe thirri ish-mitropolitin e Karpathos, për t’u rrëfyer dhe për të marrë kungimin e shenjtë. Pasi bekoi popullin e tij, fjeti në paqe. Me gjithë porosinë që i dha i fjeturi, protosingjeli, i cili donte ta vishte sipas traditës, u habit kur zbuloi një zinxhir që lidhte trupin e tij në formë kryqi dhe që me kohë kishte hyrë thellë në mish. Kjo dëshmonte për luftërat e ashpra e të fshehta të shenjtorit. Më pas lipsani u transferua në selinë e Kryepiskopit të Qipros, ku ka shëruar shumë të sëmurë që shkuan për ta nderuar.

* * * *

Oshënare Isidora.

 

Shenjti i shekullit të 4-t Pitiruni (29 nëntor), me nxitje engjëllore shkoi në manastirin e grave, në Tavenë, ishull në lumin Nil, për të njohur një shenjtore të madhe të kurorëzuar, që engjëlli nuk i kishte thënë emrin, por që ishte më shpresëtare se ai dhe që rronte duke pasur gjithnjë në mendje Perëndinë, me gjithë kushtet e vështira në të cilat jetonte. Katërqind murgeshat e pritën me nderime asketin e famshëm. “Nuk jeni të gjitha këtu”, u tha ai. “Jemi, ava”, iu përgjigjën ato. “Mungon ajo që kërkoj unë”. “Kemi vetëm një me probleme mendore në kuzhinë”. “Silleni këtu!”.

E sollën duke e tërhequr zvarrë me forcë, sepse ajo e dinte që më parë se çfarë do të ndodhte. Para se Isidora, virgjëresha e leckosur dhe e zbathur, të përkulej e t’i puthte dorën, Pitiruni pa në kokën e saj një leckë në vend të “kukulit” (kapuçit), dhe e kuptoi se kjo ishte kurora. Ndaj, ai ra në këmbët e saj duke i kërkuar bekimin. “Mos, o jeront! Ajo është e marrë!”, i thanë. “Ju jeni të marra!…”, u tha ai.

Atëherë ato e kuptuan se cila ishte ajo e braktisura, që shërbente me dëshirë dhe pa u ankuar në manastir, si një skllave e bindur. Duke qarë, ato rrëfenin sharjet dhe fyerjet që i kishin bërë. Pas disa ditësh, oshënarja u zhduk, me sa duket ngaqë nuk mund të duronte lavdinë. Nuk dimë se ç’u bë me të, ku vdiq, por dimë se ajo rron në Mbretërinë e qiellit.

Isidora në greqisht do të thotë: dhuratë.