– Apostulli – Veprat e Apostujve 3:11-16.
Edhe ndërsa i çali që u shërua mbahej pas Pjetrit dhe Joanit, gjithë populli, i habitur shumë, rendi bashkë drejt tyre në portikun që quhet i Solomonit.
Edhe Pjetri kur pa, iu përgjigj popullit: O burra Izraelitë, pse çuditeni për këtë? Dhe pse na vështroni ngultas, sikur ne me fuqinë ose me besëtarinë tonë e kemi bërë këtë njeri të ecë? Perëndia i Abrahamit dhe i Isakut dhe i Jakovit, Perëndia i etërve tanë, lavdëroi Birin e tij Jisu, të cilin ju e dorëzuat, edhe e mohuat përpara Pilatit, ndonëse ai e pa të udhës ta lëshonte. Po ju e mohuat Shenjtin dhe të Drejtin, edhe kërkuat t’ju jepet juve një burrë vrasës. Edhe vratë kreun e jetës, që Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, të cilit ne i jemi dëshmitarë. Edhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë që shihni dhe e njihni, emri i tij e forcoi, edhe besimi që është me anë të tij i dha këtij shëndet të plotë përpara gjithë jush.