E Diela e Grave Miroprurëse.

E Diela e tretë e Pashkës i kushtohet Grave Miroprurëse, të cilat u kujdesën për trupin e Shpëtimtarit në vdekjen e Tij dhe ishin dëshmitaret e para të Ngjalljes së tij. Sot kujtohen edhe Nikodhimi dhe Josifi nga Arimathea, që ndihmuan momentet pas vdekjes së Krishtit dhe varrimit.

Të tre troparet e të Premtes së Madhe (Zezë) këndohen përsëri dhe formojnë temën e ditës:

“Bujari Josif, pasi e zbriti trupin tënd prej Kryqit të Çmuar, e mbështolli me një savan të paqmë, e leu me vajëra erëmirë dhe e vuri në një varr të ri.”

“Zbrite në vdekje dhe në varr për ne, ti o jetë e pavdekshme, Ferrin të vdekur e shtrive kur ndriçove si Perëndi.”

“Një engjëll u qëndroi para grave myrrëprurëse dhe iu tha: Myrra është e përshtatshme për të vdekurit, por Krishti e tregoi veten të çliruar nga prishja! Prandaj shpallni: Zoti u ngjall dhe i fal botës mëshirë e shpëtim.”

 

* * * * *

Apostull Jakovi, vëllai i Joan Ungjillorit.

 

Ky apostull i lavdishëm i Krishtit, bir i Zevedheut dhe i Salomës, vëllai i madh i shën Joan Theologut, ishte nga qyteti Betsaida i Galilesë. Pas ftesës që i bëri vëllezërve Andrea dhe Petro, të bijve të Joanit, për të dëgjuar mësimin e tij, Krishti ftoi dhe Jakovin së bashku me vëllain e tij Joanin. Që të dy vëllezërit lanë të atin, lundrën dhe gjithë pasurinë e tyre dhe pasuan Krishtin. Kjo thirrje ishte përfundimtare, pasi edhe më parë ata e kishin pasuar Zotin, pas pagëzimit të Tij, kur Joan Pagëzori dëshmoi se ai është Mesia.

Siç e shikojmë dhe nga ngjarjet e përshkruara në Ungjill, Jakovi sikurse Pjetri dhe Joani, zinte një vend të veçantë dhe u vlerësua shumë nga Zoti ynë Jisu Krisht. Ai u vlerësua të jetë i pranishëm dhe në shumë mrekulli që bëri Krishti. Kështu, p.sh. ai ishte i pranishëm në ngjalljen e bijës së Jairit nga Jisu, në shpërfytyrimin e Jisuit në Malin Tabor, etj. Joani dhe Jakovi ishin ata të cilët u mbiquajtën bij bubullime. Sipas disave u quajtën kështu për shkak të forcës së predikimit të tyre, ndërsa sipas disa të tjerëve u quajtën kështu për shkak të zemërimit të tyre me disa samaritanë që nuk e besonin dhe nuk e pranonin Jisuin.

Jakovi dhe Joani ishin ata që i kërkuan Jisuit t’i vendoste në lavdinë e Tij, njëri në të majtë e tjetri në të djathtë. Krishti iu bëri të qartë atyre se do të vinte momenti në të cilin ata, do të pinin potirin që do të pinte edhe Krishti, si dhe do të pagëzoheshin në pagëzimin e Tij, duke nënkuptuar se përndjekjet dhe torturat nuk do të ishin të huaja në jetën e tyre.

Për sa i përket Jakovit, profecia u plotësua në vitin 44 pas Krishtit. Apostulli qëndroi në Jerusalem duke predikuar dhe fuqizuar kishën atje. Irodh Agripa, xhaxhai i të cilit ishte Irodhi që kishte urdhëruar prerjen e kokës së Joan Pagëzorit, u informua për aktivitetin e apostullit. Ai, duke mos duruar dot zellin dhe pasionin me të cilin Jakovi predikonte mësimin shpëtimtar të Krishtit, urdhëroi që apostulli të vritej me shpatë në vitin 44 pas Krishtit.