Burimi Jetëdhënës.
Ishte rreth vitit 450 pas Krishtit, kur një ushtar bizantin i quajtur Leoni shëtiste në një pyll në territorin e mbretërisë së Konstandonopojës. Papritur shikon para tij një djalë të verbër, që kërkonte pak ujë për të shuar etjen e tij. Leoni me gjithë gatishmërinë e tij filloi të gjejë ujë. Kërkoi nëpër pyll, por më kot. Kështu u kthye i mërzitur te djali i verbër. Por dëgjoi një zë gruaje që i thotë: Leon nuk është nevoja që të shqetësohesh e mërzitesh, uji është pranë teje”. Dëgjon sërish zërin e panjohur ta urdhërojë: “Leon mbret, merr nga ky ujë dhe jepi djalit të verbër të pijë e të shuajë etjen, madje edhe diçka tjetër, me këtë ujë lag sytë e tij dhe do të kuptosh menjëherë se cila jam unë që po flas me ty”.
Leoni bëri në të vërtetë sipas këshillës dhe ndodhi ashtu si dëgjoi nga zëri; i verbri fitoi shikimin. Njëkohësisht u hapën dhe sytë e Leonit, i cili kuptoi se ai zë që i foli ishte i Hyjlindëses që bëri dhe mrekullinë për të verbrin. Kështu u gjet Burimi i Ujit Shpëtimtar dhe u realizua fjala e Hyjlindëses, që Leoni do të bëhej mbret, dhe u bë në vitin 486 si Leoni I, ose Markelis. Kisha jonë e nderon si shenjt më 20 janar. Leoni ndërtoi edhe një kishë për nder të Hyjlindëses së Burimit Jetëdhënës që t’i kujtojë dhuratat që ajo i bëri atij dhe gjinisë njerëzore.
* * * * *
Kisha e Burimit Jetëdhënës.
Në këtë Burim të kësaj Kishe të shenjtë gjeti shërim edhe perandori Justinian I, Leoni VI i urti, gruaja e tij mbretëresha e shenjtë Theofano, patriarku Stefan, patriarku i Jerusalemit Joani, madje ky ujë jetëdhënës ka ngjallur edhe të vdekur. Kishën e Burimit Jetëdhënës e shkatërruan turqit, që të ndërtonin me materialet e saj tube për sulltanin Bajazit. Ndërsa të krishterët në vend të saj ndërtuan një kishëz të vogël dhe më vonë në vitin 1835 një kishë të madhe. Kisha e ndërtuar për mrekullinë e Hyjlindëses së Tërëshenjtë të Burimit Jetëdhënës festonte ditën e saj të premten e javës së ndritshme.
Kisha jonë çdo të premte pas Pashkës kremton festën e Burimit Jetëdhënës. Kjo festë u vendos si më poshtë: Në Konstandinopojë në shekullin e pestë u gjet nga mbreti Leon I, Burimi i së Tërëshenjtës, për të cilin ai ndërtoi një kishë madhështore. Kjo kishë e quajtur Kisha e Burimit Jetëdhënës për hir të shën Marisë, ngaqë e Tërëshenjta jonë pranoi në barkun e saj dhënësin dhe mbajtësin e jetës sonë, Krishtin. Kështu për ujin e bekuar që dilte nga burimi dhe shëronte njerëzit ky ishte emri më i përshtatshëm. Përurimi i kësaj kishe u bë të premten e Javës së Ndritshme dhe që atëherë u vendos që kjo e kremte të festohen gjithmonë në këtë ditë.