9 dëshmorët në Kizikë (Theognidi, Rufusi, Antipatri, Theostiki, Artemasi, Magno, Theodhuli, Thavmasi, Filemoni).

 

Këta martirë të shenjtë dhe të lavdëruar ishin nga vende të ndryshme dhe u arrestuan në Kizikë për besimin e tyre. Kur i pyetën, u përgjigjën me shumë guxim, duke u tallur me mashtrimet idhujtare. I torturuan me mënyra të ndryshme, por parapëlqyen ta dënonin veten si therore të gjallë për Perëndinë e vërtetë dhe u prenë kokën. Pas vdekjes, ata shërbejnë si mjekë të padukshëm të pasioneve të trupit dhe të shpirtit, për ata që shkojnë me besim tek varri i tyre.

 

* * * * *

Oshënar Memnon Mrekullibërësi.

 

Ati ynë oshënar Memnoni hoqi dorë nga bota për hir të dashurisë për Perëndinë dhe shkëlqeu si në betejat asketike, ashtu edhe në bindjen e shenjtë. U zgjodh igumen dhe i drejtonte murgjit me urtësi dhe dashuri. Zoti Krisht i dha dhuratën e mrekullibërjes.

Një ditë, një re e madhe karkalecash ra mbi manastir. Igumeni i shenjtë doli jashtë qelisë së tij dhe nisi të lutej. Karkalecat u larguan në çast, sikur t’i kishte përpirë zjarri.

Me anë të lutjes, bëri të dilte një burim uji të ftohtë, për të freskuar murgjit dhe pelegrinët. Ai iu shfaq edhe disa marinarëve që i ishin lutur kur i zuri një shtrëngatë e madhe, dhe e çoi anijen e tyre në një port të sigurt.

Gjatë gjithë jetës, shenjtori ishte burim mrekullish dhe ngushëllimesh hyjnore për të gjithë ata që rendnin tek ai me besim. Pasi bëri një jetë të tillë shpirtërore dhe të pëlqyer te Zoti, gjeti prehjen e premtuar për të gjithë ata që pasurohen me thesaret e virtytit.