– Apostulli – Veprat e Apostujve 2:22-38.

 

O burra izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë: Jisu Nazaretasin, një njeri të dëshmuar tek ju nga Perëndia me fuqira e me çudira e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të tij në mes tuaj, siç e dini dhe vetë, këtë që ju qe dhënë sipas qëllimit të caktuar dhe sipas paranjohjes së Perëndisë, ju e zutë dhe me duar paudhësie e gozhduat dhe e vratë. Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhimbjet e forta të vdekjes, se nuk mund të mbahej ai prej saj. Sepse Davidi thotë për të: “Shihja Zotin përpara meje gjithnjë, sepse është nga e djathta ime, që të mos tundem. Prandaj u gëzua zemra ime, dhe gjuha ime u ngazëllua; por edhe mishi im do të prehet me shpresë. Sepse nuk do të braktisësh shpirtin tim në had, as do të lesh shenjtin tënd të shohë prishje. Më tregove udhë jete; do të më mbushësh me gëzim me fytyrën tënde”.

O burra vëllezër, mund t’ju them me guxim për kryeatin David, se ai edhe vdiq edhe u varros, dhe varri i tij është tek ne deri në këtë ditë. Po duke qenë profet, dhe duke ditur se Perëndia me betim i premtoi se nga fryti i mesit të tij, do të ngjallë Krishtin, sipas mishit, që ta ulë në fronin e tij, e pa që më përpara dhe foli për ngjalljen e Krishtit, se shpirti i tij nuk u la në had, as mishi i tij nuk pa prishje. Perëndia e ngjalli këtë Jisu, për të cilin ne të gjithë jemi dëshmitarë. Si u ngrit pra lart me të djathtën e Perëndisë dhe mori nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi këtë që ju tani shihni e dëgjoni. Sepse Davidi nuk u ngjit në qiejt; po ai thotë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time, deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”.

Le ta dijë pra fort mirë gjithë shtëpia e Izraelit se këtë Jisuin, të cilin ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot dhe Krisht.

Edhe si dëgjuan këto, u mallëngjyen në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: C’të bëjmë, o burra e vëllezër?

Atëherë Pjetri u tha atyre: Pendohuni, edhe gjithësecili prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; edhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.