1) NGA UNGJILLI I JOANIT 13:31-18:1.

Si doli pra Juda, Jisui thotë: Tani u lavdërua i Biri i njeriut, edhe Perëndia u lavdërua në të. Nëse u lavdërua Perëndia në të, edhe Perëndia do ta lavdërojë atë në vetvete, dhe menjëherë do ta lavdërojë. Djema, edhe pak jam bashkë me ju. Do të më kërkoni; edhe siç u thashë Judenjve, se ku shkoj unë ju s’mund të vini, po edhe juve jua them tani. Një urdhërim të ri ju lë juve: Të doni njëri tjetrin, siç ju desha unë, që edhe ju të doni njëri tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri tjetrin.

Simon Pjetri i thotë: Zot, ku shkon? Jisui iu përgjigj: Atje ku shkoj unë, ti s’mundesh tani të më vish pas; po pastaj do të më vish pas. Pjetri i thotë: Zot, pse nuk mund të të vij pas tani? Jetën time do ta vë për ty. Jisui iu përgjigj: Jetën tënde do ta vësh për mua! Me të vërtetë, me të vërtetë po të them ty, nuk do të këndojë gjeli, deri sa të më mohosh tri herë.

Le të mos trazohet zemra juaj; besoni Perëndinë, më besoni edhe mua. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe, do t’ju thosha juve: Shkoj t’ju bëj juve gati vend. Edhe si të shkoj e t’ju bëj juve gati vend, vij përsëri, edhe do t’ju marr pranë vetes sime, që të jeni edhe ju atje ku jam unë. Edhe ku shkoj unë e dini, edhe udhën e dini.

Thomai i thotë: Zot, nuk e dimë se ku shkon; edhe si mund ta dimë udhën? Jisui i thotë: Unë jam udha edhe e vërteta edhe jeta. Asnjë s’vjen tek Ati, veçse me anën time. Në qoftë se do të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim; edhe që tani e njihni dhe e keni parë.

Filipi i thotë: Zot, tregona Atin, edhe na mjafton. Jisui i thotë: Kaq kohë jam bashkë me ju dhe s’më ke njohur, Filip? Ai që më ka parë mua, ka parë Atin; edhe si thua ti: Tregona Atin? Nuk beson se unë jam tek Ati dhe Ati është tek unë? Fjalët që ju flas unë, nuk i flas nga vetja; po Ati që rri në mua, ai i bën punët. Besomëni se unë jam tek Ati, edhe Ati tek unë; në mos, besomëni për këto punë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson mua, do të bëjë edhe ai punët që bëj unë, edhe do të bëjë edhe më të mëdha se këto; sepse unë shkoj tek Ati im. Edhe ç’të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që të lavdërohet Ati në Birin. Nëse kërkoni gjë në emrin tim, unë do ta bëj.

Në më doni, ruani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe do t’ju japë juve një tjetër Ngushëllimtar, që të mbetet bashkë me ju për jetë, Frymën e së vërtetës, të cilin bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh, as nuk e njeh; ndërsa ju e njihni, sepse mbetet pranë jush, edhe do të jetë ndër ju. Nuk do t’ju lë jetimë; do të vij tek ju. Edhe pak, dhe bota nuk më sheh më; po ju më shihni; sepse unë rroj, edhe ju do të rroni. Në atë ditë ju do ta njihni, se unë jam në Atin tim, edhe ju në mua, dhe unë në ju. Ai që ka urdhërimet e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; edhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; edhe unë, do ta dua, edhe do të tregoj veten time tek ai.

I thotë Juda, jo Iskarioti: Zot, ç’ndodhi, që do të tregosh veten tënde te ne, e jo tek bota? Jisui u përgjigj e i tha: Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai. Ai që s’më do, fjalët e mia nuk i ruan, dhe fjala që dëgjoni, nuk është imja, por e Atit që më dërgoi. Këto jua fola juve, deri sa gjendem bashkë me ju. Po Ngushëllimtari, Fryma e Shenjtë, të cilin Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’jua mësojë juve të gjitha dhe do t’ju bjerë juve ndër mend gjithë sa ju kam thënë. Paqe po ju lë, paqen time po ju jap juve; jo siç e jep bota jua jap juve. Le të mos trazohet zemra juaj, as të mos frikësohet. Dëgjuat se unë ju thashë: Po shkoj dhe vij prapë te ju. Po të më donit, do të gëzoheshit se thashë: Po shkoj tek Ati; sepse Ati im është më i madh se unë. Edhe tani jua thashë juve përpara se të bëhet, që të besoni kur të bëhet. Më nuk do të flas shumë bashkë me ju; sepse po vjen prijësi i kësaj bote, edhe nuk ka të bëjë asgjë me mua; por që të njohë bota se dua Atin, dhe siç më urdhëroi Ati, kështu bëj. Ngrihuni, le të shkojmë së këtejmi.

Unë jam vreshti i vërtetë, dhe Ati im është bujku. Çdo hardhi në mua që nuk sjell fryt, e këput; edhe çdo hardhi që sjell fryt, e pastron, që të sjellë më tepër fryt.

Tanimë ju jeni të pastër prej fjalës që ju kam folur juve. Qëndroni tek unë, edhe unë tek ju. Sikurse hardhia s’mund të bëjë fryt prej vetes, nëse nuk mbetet në vresht, kështu as ju, në mos mbetshi tek unë. Unë jam vreshti, ju hardhitë; ai që mbetet tek unë, edhe unë tek ai, ky bën fryt shumë; sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse nuk mbetet ndonjë tek unë, hidhet jashtë si hardhia dhe thahet; pastaj i mbledhin e i hedhin në zjarr, edhe digjen. Në mbetshi tek unë, edhe fjalët e mia në mbetshin ndër ju, ç’të doni kërkoni, edhe do t’ju bëhet juve. Im Atë në këtë është lavdëruar, të sillni shumë fryt; edhe kështu do të bëheni nxënës të mi.

Siç më deshi Ati, edhe unë ju desha ju; qëndroni në dashurinë time. Në ruajtshi urdhërimet e mia, do të mbeteni në dashurinë time; siç ruajta unë urdhërimet e Atit tim, dhe mbetem në dashurinë e tij. Jua fola juve këto, që të mbetet gëzimi im tek ju, edhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

Ky është urdhërimi im, të doni njëri tjetrin, sikundër ju desha unë ju. Askush s’ka dashuri më të madhe se kjo, të vërë ndonjë jetën e tij për miqtë e tij. Ju jeni miqtë e mi, në qoftë se bëni sa ju urdhëroj. Nuk ju them juve më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di se ç’bën i zoti; po ju thashë juve miq, sepse ju tregova gjithë sa dëgjova prej Atit tim. Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të sillni fryt, edhe fryti juaj të mbesë; që çfarëdo që t’i kërkoni Atit në emrin tim t’jua japë juve. Këto ju urdhëroj që të doni njëri tjetrin.

Nëse ju urren bota, dijeni se mua më ka urryer më parë se ju. Të ishit prej botës, bota do të donte të sajën; po meqenëse nuk jeni nga bota, por unë ju zgjodha ju nga bota, prandaj ju urren bota. Mbani mend fjalën që ju thashë unë juve, nuk ka shërbëtor më të madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse ruajtën fjalën time, do të ruajnë edhe tuajën. Po të gjitha këto do t’jua bëjnë juve për emrin tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi.

Të mos kisha ardhur e të mos ju kisha folur atyre, nuk do të kishin mëkat; por tani nuk kanë ç’të thonë për mëkatin e tyre. Ai që më urren mua, urren edhe Atin tim. Të mos kisha bërë ndër ata punët që s’i ka bërë asnjë tjetër, nuk do të kishin mëkat; po tani edhe panë, edhe na urryen edhe mua edhe Atin tim. Po kjo u bë që të përmbushet fjala që është shkruar në ligjin e tyre: “Më urryen pa ndonjë shkak”.

Po kur të vijë Ngushëllimtari, të cilin do t’jua dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së vërtetës, që buron prej Atit, ai do të dëshmojë për mua. Po edhe ju dëshmoni, sepse që në fillim jeni bashkë me mua.

Jua thashë juve këto, që të mos skandalizoheni. Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; por vjen një orë, në të cilën kushdo që t’ju vrasë do të pandehë se i bën shërbim Perëndisë. Edhe këto do t’i bëjnë, sepse nuk e njohën Atin, as mua. Por jua thashë juve këto, që t’i sillni ndër mend, kur të vijë ora, se unë jua thashë juve. Edhe nuk jua thashë juve këto që në fillim, sepse isha bashkë me ju.

Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi, dhe asnjë prej jush s’më pyet: Ku shkon? Po sepse jua thashë juve këto, hidhërimi mbushi zemrën tuaj.

Por unë po ju them juve të vërtetën: është mirë për ju të shkoj unë; sepse në mos shkofsha, Ngushëllimtari nuk do të vijë tek ju; por në shkofsha, do ta dërgoj atë tek ju. Edhe ai, kur të vijë, do të qortojë botën për mëkat, edhe për drejtësi, edhe për gjyq; Për mëkat, sepse nuk më besojnë; edhe për drejtësi, sepse shkoj tek im Atë, edhe më nuk më shihni; edhe për gjyq, sepse prijësi i kësaj bote është gjykuar.

Kam ende shumë për t’ju thënë juve, po tani nuk mund t’i mbani. Po kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, do t’ju udhëheqë në gjithë të vërtetën; sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë sa të dëgjojë, edhe do t’ju tregojë juve ato ngjarje që do të vijnë. Ai do të më lavdërojë, sepse prej simes do të marrë, edhe do t’ju tregojë juve. Gjithë sa ka Ati, janë të miat; prandaj thashë, se do të marrë prej simes, edhe do t’jua tregojë juve.

Edhe pak, dhe nuk do të më shihni; edhe përsëri edhe pak, e do të më shihni; sepse unë po shkoj tek Ati.

Atëherë disa nga nxënësit e tij i thanë njëri tjetrit: Ç’është kjo që na thotë: Edhe pak, edhe nuk do të më shihni; edhe përsëri edhe pak, e do të më shihni? Dhe se unë shkoj tek Ati? Thoshin pra: Ç’është kjo që thotë: Edhe pak? Nuk dimë se çfarë flet.

Jisui pra kuptoi se donin ta pyesin, dhe u tha atyre: Për këtë diskutoni njëri me tjetrin, se thashë: Edhe pak, edhe nuk do të më shihni, edhe përsëri, edhe pak, e do të më shihni? Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ju do të qani e do të vajtoni, por bota do të gëzohet dhe ju do të hidhëroheni, po hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim. Gruaja, kur lind, ka hidhërim, se i erdhi ora; por si të lindë foshnjen, s’kujton më shtrëngimin, nga gëzimi se lindi një njeri në botë. Edhe ju pra tani keni hidhërim; po përsëri do t’ju shoh, edhe zemra juaj do të gëzohet, edhe asnjë nuk e ngre gëzimin tuaj prej jush. Edhe në atë ditë nuk do të më pyetni për asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se sa t’i kërkoni Atit në emrin tim, do t’jua japë juve. Deri tani nuk kërkuat asgjë në emrin tim; kërkoni, edhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Jua thashë juve këto me përngjasime; por vjen një orë, kur nuk do t’ju flas më juve me përngjasime, po hapur do t’ju tregoj juve për Atin. Në atë ditë do të kërkoni në emrin tim; edhe nuk ju them juve se do t’i lutem Atit për ju. Se vetë Ati ju do, sepse ju më keni dashur, edhe keni besuar se unë dola prej Perëndisë. Dola prej Atit dhe erdha në botë; përsëri lë botën dhe shkoj tek Ati.

Nxënësit e tij i thonë: Ja tani tek flet hapur dhe nuk thua asnjë përngjasim. Tani e morëm vesh se i di të gjitha, edhe s’ke nevojë të të pyesë ndonjë. Prandaj besojmë se dole nga Perëndia.

Jisui iu përgjigj atyre: Tani besoni? Ja tek vjen një orë, edhe tani erdhi, që të shpërndaheni gjithësecili në të tijat dhe të më lini vetëm; po s’jam vetëm, sepse Ati është bashkë me mua. Jua thashë juve këto, që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngim; po kini guxim, unë e kam mundur botën.

Këto foli Jisui; pastaj ngriti sytë e tij në qiell e tha: Atë, erdhi ora, lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir, siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme gjithë atyre që ia ke dhënë. Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë; edhe Jisu Krishtin që dërgove. Unë të lavdërova mbi dhe, punën që më dhe të bëj e mbarova. Edhe tani lavdëromë ti, o Atë, pranë teje, me lavdinë që pata pranë teje para se të ishte bota.

Emrin tënd ua zbulova njerëzve që më dhe prej botës. Të tutë ishin e m’i dhe, dhe fjalën tënde e ruajtën. Tani e njohën se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje. Sepse fjalët që më dhe, ua dhashë atyre; edhe ata i morën dhe e njohën me të vërtetë se prej teje dola; edhe besuan se ti më dërgove. Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, po për ata që më dhe, sepse janë të tutë. Edhe gjithë të miat janë të tuat, edhe të tuat janë të miat; edhe u lavdërova në to. Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, edhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne. Kur isha bashkë me ata në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që më dhe i ruajta, edhe asnjë nga ata s’humbi, veç i biri i humbjes, që të përmbushet Shkrimi. Edhe tani po vij tek ti, edhe i flas këto në botë, që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre. Unë u dhashë atyre fjalën tënde; edhe bota i urreu, sepse nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota. Nuk të lutem t’i ngresh ata nga bota, po t’i ruash nga i ligu. Nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota. Shenjtëroi ata me të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.

Siç më dërgove mua në botë, dhe unë i dërgova ata në botë. Edhe unë për ata shenjtëroj veten time, që të jenë edhe ata të shenjtëruar në të vërtetën. Dhe nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të më besojnë mua me anë të fjalës së tyre. Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je në mua, edhe unë në ty, edhe ata të jenë një në ne; që të besojë bota se ti më dërgove. Edhe unë u dhashë atyre lavdinë që më dhe, që të jenë një, sikurse edhe ne jemi një. Unë në ata, edhe ti në mua, që të jenë të përsosur në një, edhe që bota të njohë se ti më dërgove, edhe se i deshe ata siç më deshe mua.

O Atë, dua të jenë bashkë me mua atje ku jam unë edhe ata që më dhe; që të vështrojnë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të themelohet bota.

O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, po unë të njoha, edhe këta e njohën se ti më dërgove. Edhe u tregova atyre emrin tënd, edhe do ta tregoj, që dashuria, me të cilën më deshe, të jetë në ta, edhe unë në ta.

Jisui pasi tha këto, doli bashkë me nxënësit e tij përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopësht, në të cilin hyri ai dhe nxënësit e tij.

* * * * *

2) NGA UNGJILLI I JOANIT 18:1-28.

Jisui pasi tha këto, doli bashkë me nxënësit e tij përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopësht, në të cilin hyri ai dhe nxënësit e tij.

Edhe e dinte vendin edhe Juda, ai që e tradhtoi; sepse Jisui shumë herë u mblodh atje me nxënësit e tij. Juda pra, pasi mori togën e ushtarëve, edhe shërbëtorë nga kryepriftërinjtë e nga Farisenjtë, vjen atje me fenerë e me llamba e me armë. Jisui pra duke ditur gjithë ç’do të vinin mbi të, doli e u tha atyre: Cilin kërkoni? Iu përgjigjën: Jisu Nazaretasin. Jisui u thotë atyre: Unë jam. Edhe bashkë me ta rrinte edhe Juda, ai që e tradhtoi. Me t’u thënë atyre se unë jam, u hoqën pas, edhe ranë përdhe. Përsëri pra i pyeti: Cilin kërkoni? Edhe ata thanë: Jisu Nazaretasin. Jisui u përgjigj: Ju thashë juve se unë jam. Në më kërkoni mua pra, lërini këta të shkojnë. Që të përmbushet fjala që tha, se prej atyre që më dhe nuk humba asnjë.

Atëherë Simon Pjetri, i cili kishte një thikë, e hoqi, e i ra shërbëtorit të kryepriftit, edhe i preu atij veshin e djathtë; edhe emri i shërbëtorit ishte Malko. Jisui pra i tha Pjetrit: Vëre thikën tënde në mill. Potirin që më dha Ati të mos e pi?

Toga e ushtarëve pra dhe kryemijësi dhe shërbëtorët e judenjve kapën Jisuin, edhe e lidhën, edhe e çuan atë më përpara te Ana, sepse ishte i vjehrri i Kaiafës, i cili ishte kryeprift i atij viti. Edhe Kaiafa ishte ai që këshilloi judenjtë se është mirë të humbasë një njeri për popullin.

Edhe i vinte prapa Jisuit Simon Pjetri dhe nxënësi tjetër; edhe ai nxënësi ishte i njohur te kryeprifti dhe hyri bashkë me Jisuin në oborrin e kryepriftit. Po Pjetri rrinte jashtë pranë derës. Doli pra nxënësi tjetër që ishte i njohur te kryeprifti, edhe i tha portares, edhe e futi brenda Pjetrin. Atëherë shërbëtorja portare i thotë Pjetrit: Mos je edhe ti nga nxënësit e këtij njeriu? Ai i thotë: Nuk jam. Edhe shërbëtorët e punonjësit po qëndronin duke bërë zjarr, sepse ishte ftohtë, edhe po ngroheshin; edhe Pjetri ishte bashkë me ata duke ndenjur e duke u ngrohur.

Kryeprifti pra, pyeti Jisuin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. Jisui iu përgjigj: Unë i fola hapur botës. Unë përherë mësova në sinagogë dhe në tempull, ku nga të gjitha anët mblidhen judenjtë, edhe në fshehtësi nuk fola asgjë. Pse më pyet? Pyet ata që kanë dëgjuar çfarë u fola atyre. Ja këta e dinë sa thashë unë.

Edhe kur tha ai këto, një nga shërbëtorët që rrinte pranë i ra një shuplakë Jisuit, duke thënë: Kështu i përgjigjesh kryepriftit? Jisui iu përgjigj: Në fola keq, dëshmo për të keqen; po në fola mirë, pse më rreh?

Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kaiafa.

Edhe Simon Pjetri ishte duke ndenjur e duke u ngrohur. I thanë pra: Mos je edhe ti nga nxënësit e atij? Ai e mohoi, e tha: Nuk jam. Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij, të cilit Pjetri i preu veshin, thotë: Nuk të pashë unë në kopësht bashkë me atë? Pjetri pra e mohoi përsëri, dhe menjëherë gjeli këndoi.

Sjellin pra Jisuin prej Kaiafës në pretore; edhe ishte mëngjes, edhe ata nuk hynë në pretore, që të mos ndyhen, po të hanë pashkën.

* * * * *

3) NGA UNGJILLI I MATTHEUT 26:57-75.

Edhe ata, si zunë Jisuin, e prunë te Kaiafa, kryeprifti, atje ku ishin mbledhur shkruesit dhe pleqtë.

Po Pjetri i shkoi prapa për së largu, deri në avllinë e kryepriftit; edhe si hyri brenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, që të shihte fundin.

Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë dhe gjithë këshilli kërkonin dëshmi të rreme kundër Jisuit, që ta vrisnin atë, po nuk gjetën. Edhe ndonëse erdhën shumë dëshmitarë të rremë, nuk gjetën. Po pastaj erdhën dy dëshmitarë të rremë, e thanë: Ky tha: Mund të prish tempullin e Perëndisë edhe për tri ditë ta ndërtoj atë. Edhe kryeprifti u ngrit e i tha: Fare nuk përgjigjesh? Ç’dëshmojnë këta kundër teje? Po Jisui nuk bënte zë.

Edhe kryeprifti u përgjigj e i tha: Të vë në be për Perëndinë e gjallë, të na thuash në je ti Krishti, Biri i Perëndisë. Jisui i thotë atij: Ti e the. Por unë po ju them juve: Që tani do të shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anë të djathtë të fuqisë e duke ardhur mbi retë e qiellit. Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij, duke thënë se: Blasfemoi; ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? Ja tani tek e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket juve? Dhe ata u përgjigjën e thanë: Eshtë fajtor për vdekje. Atëherë e pështynë atë në fytyrë dhe e goditën në zverk, edhe të tjerë i ranë me shuplaka, duke thënë: Profetizona, o Krisht, cili është ai që të ra?

Edhe Pjetri rrinte përjashta në avlli; edhe i erdhi pranë një shërbëtore, duke thënë: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Galileasin. Po ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: Nuk di se ç’thua. Edhe kur ai doli tek porta, e pa atë një tjetër, edhe u thotë atyre që ishin atje: Edhe ky ishte bashkë me Jisu Nazaretasin. Edhe përsëri e mohoi me be se nuk e njoh këtë njeri. Edhe pas pak erdhën pranë tij ata që ishin duke ndenjur e i thanë Pjetrit: Me të vërtetë edhe ti je nga ata; sepse edhe të folurit tënd të tregon ty. Atëherë zuri të mallkojë e të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri. Edhe përnjëherë këndoi gjeli. Atëherë i ra ndër mend Pjetrit fjala e Jisuit që i pati thënë se para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh; edhe doli jashtë e qau hidhur.

* * * * *

4) NGA UNGJILLI I JOANIT 18:28-19:16.

Sjellin pra Jisuin prej Kaiafës në pretore; edhe ishte mëngjes, edhe ata nuk hynë në pretore, që të mos ndyhen, po të hanë pashkën.

Pilati pra doli para tyre, edhe tha: Çfarë akuze sillni kundër këtij njeriu? U përgjigjën e i thanë: Ky po të mos ishte keqbërës, nuk do të ta dorëzonim ty. Pilati pra u tha atyre: Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj. Judenjtë pra, i thanë: Neve nuk na lejohet të vrasim asnjeri. Që të përmbushet fjala e Jisuit që tha duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të vdekur.

Pilati, pra, hyri përsëri në pretore, edhe thirri Jisuin, e i tha: Ti je mbreti i Judenjve? Jisui u përgjigj: Nga vetja e thua ti këtë, apo të tjerë të thanë për mua? Pilati u përgjigj: Mos jam unë jude? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë? Jisui u përgjigj: Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote; po të ishte prej kësaj bote mbretëria ime, shërbëtorët e mi do të përpiqeshin, që të mos jepem në duart e judenjve. Po tani mbretëria ime nuk është së këtejmi. Pilati pra i tha: Mbret je ti, pra? Jisui u përgjigj: Ti po thua se unë jam mbret. Unë prandaj linda dhe prandaj erdha në botë, që të dëshmoj për të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim. Pilati i thotë: Ç’është e vërteta?

Edhe si tha këtë, doli përsëri te judenjtë e u thotë atyre: Unë nuk gjej asnjë faj tek ai. Po është zakon ndër ju, t’ju liroj juve një për pashkë. Doni pra t’ju liroj mbretin e Judenjve?

Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: Jo këtë, po Barabën. Edhe Baraba ishte kusar.

Atëherë pra Pilati mori Jisuin dhe e fshikulloi. Edhe ushtarët thurën një kurorë prej gjembash e ia vunë mbi krye, edhe e mbështollën me një rrobë të purpurt. Edhe thoshin: Përshëndetje, o mbret i Judenjve! Edhe i binin me shuplaka. Pilati pra doli përsëri jashtë dhe u thotë atyre: Ja tek po jua sjell jashtë, që ta dini se asnjë faj nuk gjej tek ai. Jisui pra doli jashtë veshur rrobën e purpurt dhe me kurorën prej gjembash. Edhe Pilati u thotë atyre: Ja njeriu! Kur e panë atë kryepriftërinjtë dhe shërbëtorët, bërtitën duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Merreni ju atë, edhe kryqëzojeni; sepse unë nuk gjej faj tek ai. Judenjtë iu përgjigjën: Ne kemi ligj, edhe sipas ligjit tonë duhet të vdesë, sepse e bëri veten e tij Bir të Perëndisë.

Pilati, pra, kur dëgjoi këtë fjalë, u frikësua më tepër. Edhe përsëri hyri në pretore, edhe i thotë Jisuit: Nga je ti? Po Jisui nuk i dha përgjigje. Pilati pra i thotë: Mua nuk më flet? Nuk e di ti se kam pushtet të të kryqëzoj, edhe kam pushtet të të liroj? Jisui u përgjigj, Nuk do të kishe asnjë pushtet kundër meje, po të të mos ishte dhënë prej së larti; prandaj ai që më jep në duart e tua ka mëkat më të madh.

Që atëherë Pilati kërkonte ta lironte, po Judenjtë thërrisnin duke thënë: Në lirofsh këtë, nuk je mik i Cezarit; gjithkush që bën veten e tij mbret, flet kundër Cezarit. Pilati pra kur dëgjoi këtë fjalë, solli jashtë Jisuin, edhe u ul mbi fronin e gjykimit, në një vend të quajtur Gurshtruar, edhe hebraisht Gabbathà.

Edhe ishte dita e përgatitjes së pashkës, edhe rreth orës së gjashtë; edhe u thotë judenjve: Ja mbreti juaj. Por ata bërtitën: Ngrije, ngrije, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Mbretin tuaj të kryqëzoj? Kryepriftërinjtë u përgjigjën: S’kemi tjetër mbret veç Cezarit. Atëherë pra ua dorëzoi atyre, që të kryqëzohet. Edhe ata morën Jisuin, edhe u nisën.

* * * * *

5) NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:3-32.

Atëherë, kur pa Juda, ai që e dorëzoi, se u dënua, u pendua, edhe ktheu të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, duke thënë: Mëkatova që dorëzova gjak të pafajshëm. Edhe ata thanë: Ç’punë kemi ne? Shikoje vetë. Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var.

Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në arkën e tempullit, sepse janë çmim gjaku. Edhe si bënë këshillë, blenë me to arën e poçarit, për të varrosur të huajt. Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri sot. Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e atij që u çmua, siç u vlerësua nga të bijtë e Izraelit, dhe i dhanë në arën e poçarit, siç më porositi Zoti”.

Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; edhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua. Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë edhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare. Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje? Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, aq sa qeveritari çuditej fort.

Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata. Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba. Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabën apo Jisuin që quhet Krisht. Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.

Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.

Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë u mbushën mendjen turmave që të kërkojnë Barabën, edhe Jisuin ta vrasin. Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga të dy doni t’ju lëshoj juve? Edhe ata thanë: Barabën. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet. Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet. Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër bëhet trazirë, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë. Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne, edhe mbi bijtë tanë.

Atëherë u lëshoi atyre Barabën. Dhe Jisuin, si e fshikulloi me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.

Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore, edhe mblodhën mbi të gjithë kohortën e ushtarëve. Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të kuqe. Edhe thurën një kurorë gjembash e ia vunë mbi krye, edhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; edhe ranë në gjunjë para tij, edhe e përqeshnin, duke thënë: Përshëndetje, o mbret i Judenjve. Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij. Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan ta kryqëzojnë.

Edhe duke dalë, gjetën një njeri kireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrejë kryqin e atij.

* * * * *

6) NGA UNGJILLI I MARKUT 15:16-32.

Dhe ushtarët e prunë brenda oborrit, që është pretorja, edhe mbledhin gjithë kohortën e ushtarëve. Edhe i veshin një rrobë të purpurt, edhe thurën një kurorë gjembash, e ia vënë rreth kokës. Edhe zunë ta përshëndesin: Gëzohu, o mbret i Judenjve. Edhe e goditnin në kokë me kallam, edhe e pështynin, edhe i binin në gjunjë e i faleshin. Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e purpurt, edhe i veshën rrobat e tij, edhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.

Edhe zënë angari, për të ngritur kryqin e atij, një farë Simon Kireneasi, të atin e Aleksandrit e të Rufit, i cili shkonte andej, duke ardhur nga ara. Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”. Edhe i jepnin të pijë verë të përzier me smirnë; por ai nuk e mori.

Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short mbi to, ç’të marrë secili.

Edhe ishte ora e tretë, edhe e kryqëzuan.

Edhe mbishkrimi i shkakut të dënimit të tij ishte shkruar përsipër: Mbreti i Judenjve.

Edhe bashkë me atë kryqëzojnë dy kusarë, një nga e djathta, e një nga e majta e tij. Edhe u përmbush shkrimi që thotë: “Edhe me të paudhët u numërua”.

Edhe kalimtarët e shanin, duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ua, ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten, edhe zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë e përqeshnin në mes tyre bashkë me shkruesit, e thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë. Krishti, mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim dhe të besojmë. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.

* * * * *

7) NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:33-54.

Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës, i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.

Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short. Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje. Edhe vunë të shkruar sipër kokës së tij shkakun e dënimit të tij: Ky është Jisui mbreti i Judenjve.

Atëherë kryqëzohen bashkë me të dy kusarë, një në anë të djathtë, edhe një në anë të majtë.

Dhe kalimtarët, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ti që prish tempullin, edhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi. Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë. Kishte besim në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie. Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e përqeshnin.

Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.

Edhe rreth orës së nëntë Jisui thirri me zë të madh, duke thënë: “Eli, Eli lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?” Edhe disa nga ata që ishin atje, kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian. Edhe menjëherë vrapoi një nga ata, edhe mori një sfungjer, edhe e mbushi me uthull, edhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë . Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.

Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.

Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; edhe toka u tund; edhe gurët plasën; edhe varret u hapën, edhe shumë trupa shenjtorësh që kishin fjetur u ngjallën, edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë, edhe iu shfaqën shumë vetëve.

Edhe kryeqindësi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ato që ndodhën, u frikësuan fort, e thoshin: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.

* * * * *

8) NGA UNGJILLI I LLUKAIT 23:32-49.

Po silleshin edhe dy keqbërës të tjerë që të vriteshin bashkë me të.

Edhe kur shkuan në vendin e quajtur Kafka, atje e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë, dhe tjetrin në të majtë. Edhe Jisui thoshte: O Atë, ndjei ata; sepse nuk dinë se ç’bëjnë.

Edhe duke ndarë rrobat e tij, hodhën short.

Edhe populli rrinte duke e vështruar. Edhe të parët e përqeshnin bashkë me ata, duke thënë: Të tjerë shpëtoi; le të shpëtojë veten e tij, nëse është ky Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë. Edhe e tallnin atë edhe ushtarët, duke iu afruar e duke i dhënë atij uthull, dhe duke thënë: Nëse je ti mbreti i Judenjve, shpëto veten tënde.

Edhe ishte shkruar mbi të edhe një mbishkrim me shkronja greke e latine e hebraike: Ky është mbreti i Judenjve.

Edhe një nga ata keqbërësit e varur, e shante atë, duke thënë: Nëse je ti Krishti, shpëto veten tënde dhe ne. Po tjetri u përgjigj dhe e qortoi atë, duke thënë: As nga Perëndia s’ke frikë ti, edhe pse je në një dënim me të? Dhe ne me të drejtë jemi dënuar; sepse po marrim atë që meritojmë për sa bëmë; po ky asnjë të keqe nuk bëri. Pastaj i thoshte Jisuit: Kujtomë, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde.

Edhe Jisui i tha: Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë.

Edhe ishte afërsisht ora e gjashtë, dhe u bë errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë. Edhe dielli u err; dhe kurtina e tempullit u ça në mes.

Edhe Jisui thirri me zë të madh, e tha: O Atë, në duart e tua dorëzoj shpirtin tim. Edhe si tha këto, dha shpirt.

Edhe kryeqindësi, kur pa se çfarë u bë, lavdëroi Perëndinë, duke thënë: Me të vërtetë ky njeri paska qenë i drejtë.

Edhe gjithë turmat që kishin ardhur bashkë për të shikuar, kur panë se çfarë u bë, ktheheshin duke rrahur krahërorët e tyre. Edhe rrinin për së largu gjithë të njohurit e tij, si dhe gratë që së bashku e kishin ndjekur pas nga Galilea, duke shikuar këto gjëra.

* * * * *

9) NGA UNGJILLI I JOANIT 19:25-37.

Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria e Klopait, edhe Maria Magdalena. Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir. Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.

Pas kësaj Jisui, duke ditur se tani mbaruan të gjitha, që të përmbushet Shkrimi, thotë: Kam etje. Edhe ishte atje një enë plot me uthull; edhe ata mbushën një sfungjer me uthull, edhe e vunë mbi një hisop, e ia prunë në gojë. Jisui pra kur mori uthullën, tha: Mbaroi, edhe uli kryet e dha shpirtin.

Judenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq të shtunën, sepse ishte e premte, sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, edhe të ngrihen andej. Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit, edhe të tjetrit që u kryqëzua bashkë me të. Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë. Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, edhe menjëherë doli gjak dhe ujë. Edhe ai që pa dëshmoi, edhe dëshmia e tij është e vërtetë, edhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni edhe ju. Sepse këto u bënë që të përmbushet Shkrimi: “Eshtër nuk do t’i thyhet”. Edhe përsëri një tjetër shkrim thotë: “Do të vështrojnë në atë që shpuan”.

* * * * *

10) NGA UNGJILLI I MARKUT 15:43-47.

Erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, anëtar i nderuar i këshillit, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; edhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit. Edhe Pilati u çudit, nëse tashmë kishte vdekur; edhe thirri pranë kryeqindësin, edhe e pyeti në ka kohë që ka vdekur. Edhe si mori vesh prej kryeqindësit, i fali trupin Josifit. Edhe ky bleu pëlhurë, edhe e zbriti, edhe e mbështolli me pëlhurën, edhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; edhe rrokullisi një gur në derën e varrit.

Edhe Maria Magdalena, edhe Maria e Josiut, vinin re ku po vihet.

* * * * *

11) NGA UNGJILLI I JOANIT 19:38-42.

Edhe pas këtyre Josifi që ishte nga Arimatea, i cili ishte nxënës i Jisuit, po i fshehtë nga frika e Judenjve, iu lut Pilatit që të marrë trupin e Jisuit; edhe Pilati i dha leje. Erdhi pra dhe mori trupin e Jisuit. Erdhi edhe Nikodhimi, ai që pati ardhur te Jisui herën e parë natën, edhe pruri një përzierje mirre dhe aloe, rreth njëqind litra. Morën pra trupin e Jisuit, dhe e mbështollën me pëlhura bashkë me aromat, siç e kanë zakon judenjtë të varrosin.

Edhe në vendin që u kryqëzua ishte një kopsht, edhe në kopsht një varr i ri, në të cilin ende s’ishte vënë askush. Atje pra vunë Jisuin, ngaqë ishte dita e Përgatitjes për pashkën e judenjve, se varri ishte afër.

* * * * *

12) NGA UNGJILLI I MATTHEUT 27:62-66.

Edhe të nesërmen, që është pas së premtes, u mblodhën kryepriftërinjtë dhe Farisenjtë tek Pilati, duke thënë: Zot, na ra ndër mend, se ai mashtruesi tha kur qe ende i gjallë: Pas tri ditësh do të ngjallem. Urdhëro pra të ruhet mirë varri deri në të tretën ditë, se mos vijnë nxënësit e tij natën edhe e vjedhin, edhe i thonë popullit se u ngjall prej së vdekurish. Edhe gënjeshtra e fundit do të jetë më e keqe se e para. Edhe Pilati u tha atyre: Keni roje, shkoni dhe sigurojeni si të dini. Edhe ata shkuan dhe siguruan varrin, duke vulosur gurin bashkë me rojet.