NGA LIBRI I EZEKIELIT 1:21-28.
Kur ata lëviznin, edhe rrotat lëviznin; kur këto ndaleshin, edhe ato ndaleshin, dhe kur ngiheshin nga toka, edhe rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma i qënieve të gjalla ishte në rrota.
Mbi kokat e qënieve të gjalla ishte ngjashmëria e një kupe qiellore, që i përngjiste ngjyrës së një kristali të madhërishëm të shtrirë mbi kokat e tyre. Poshtë kupës qiellore shtriheshin drejt krahët e tyre, njëra ndaj tjetrës; secili kishte nga dy që mbulonin një anë dhe dy të tjera që mbulonin anën tjetër të trupit. Kur ata lëviznin, unë dëgjoja zhurmën e krahëve të tyre, si zhurmën e ujrave të mëdha, si zëri i të Plotfuqishmit, si zhurma e një rrëmuje të madhe, si oshtima e një ushtrie; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre. Dhe dëgjohej një zhurmë nga kupa qiellore lart që ishte mbi kokat e tyre; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre.
Mbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ndodhej një gjë që i ngjante një froni që dukej si një gur safiri, dhe mbi këtë lloj froni, në pjesën e sipërme të tij, ishte një figurë që i përngjiste një njeriu. Nga sa tregonin ijët e tij lart, unë pashë gjithashtu diçka si ngjyra e bronzit inkandeshent që dukej si zjarr brenda tij rreth e qark; dhe nga sa tregonin ijët e tij poshtë pashë diçka që i përngjante zjarrit dhe që lëshonte rreth e qark një shkëlqim të madh. Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit. Kur e pashë, u rrëzova me fytyrë dhe dëgjova zërin e dikujt që fliste.
* * * * *
NGA LIBRI I EKSODIT 2:5-10.
Por vajza e Faraonit zbriti për t’u larë në lumë, ndërsa shërbëtoret e saj shëtisnin buzë lumit. Ajo pa kanistrën në kallamishte dhe dërgoi shërbëtoren e saj ta marrë. E hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: “Ky është një fëmijë hebre”. Atëherë motra e fëmijës i tha bijës së Faraonit: “A duhet të shkoj të thërras një tajë nga gratë hebre që ta mëndë këtë fëmijë për ty?”. E bija e Faraonit iu përgjegj: “Shko”. Dhe vajza shkoi të thërrasë nënën e fëmijës. Dhe bija e Faraonit i tha: “Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde”. Kështu gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi. Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj dhe ajo e quajti Moisi, duke thënë: “Sepse unë e nxora nga uji”.
* * * * *
NGA LIBRI I JOVIT 1:13-22.
Kështu një ditë ndodhi që, ndërsa bijtë e tij dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, erdhi nga Jovi një lajmëtar për t’u thënë: Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër, kur Sabejtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them”.
Ai ishte duke folur ende, kur arriti një tjetër dhe tha: “Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them”.
Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: “Kaldeasit kanë formuar tri banda, u sulën mbi devetë dhe i morën me vete, vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them”.
Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: “Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them”.
Atëherë Jovi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra pëmbys dhe adhuroi, dhe tha: “Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit”.
Në të gjitha këto Jovi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.
* * * * *
NGA UNGJILLI I MATTHEUT 24:36-26:2.
Edhe për atë ditë e për atë orë, asnjë nuk di gjë, as engjëjt e qiejve, veç Ati im vetëm.
Edhe siç ishin ditët e Noes, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Sepse siç ishin njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, që hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë, edhe nuk e kuptuan deri sa erdhi përmbytja dhe i ngriti të gjithë; kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Atëherë dy veta do të jenë në arë; njëri merret e tjetri lihet. Dy gra do të bluajnë në mulli; njëra merret e tjetra lihet.
Rrini zgjuar pra, sepse nuk dini në ç’orë vjen Zoti juaj. Po këtë e dini, se ta dinte i zoti i shtëpisë, në ç’kohë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar, edhe nuk do të linte të shpohej shtëpia e tij. Prandaj edhe ju bëhuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në atë orë që nuk jua pret mendja juve.
Cili vallë është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e vuri kujdestar mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë atyre ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, ta gjejë duke bërë kështu. Me të vërtetë po ju them juve, se do ta vërë atë kujdestar mbi gjithë pasurinë e tij. Por në thëntë ai shërbëtori i lig në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë; edhe të zërë të rrahë shokët e tij shërbëtorë, edhe të hajë e të pijë bashkë me ata që dehen, i zoti i atij shërbëtori do të vijë në atë ditë që ai nuk e pret dhe në atë orë që ai nuk e di; edhe do ta ndajë më dysh, edhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me hipokritët; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
Atëherë mbretëria e qiejve do të ngjajë me dhjetë virgjëresha, të cilat morën llambat e tyre dhe dolën të presin dhëndrin. Edhe nga ato, pesë ishin të mençura dhe pesë të marra. Ato të marrat, kur morën llambat e tyre, nuk morën vaj me vete. Po të mençurat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat e tyre. Edhe si u vonua dhëndri, dremitën të gjitha edhe flinin. Edhe në mes të natës u bë një thirrje: Ja dhëndri tek po vjen; dilni për ta pritur atë. Atëherë, gjithë ato virgjëreshat u ngritën dhe ndreqën llambat e tyre. Po të marrat u thanë të mençurave: Jepnani nga vaji juaj, sepse llambat tona po shuhen. Edhe të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Jo, se ndoshta nuk do të na mjaftojë neve dhe juve; po më mirë shkoni tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj.
Edhe kur po shkonin të blinin, dhëndri erdhi; edhe ato që ishin gati hynë bashkë me të në dasmë, edhe u mbyll dera. Po pastaj vijnë edhe virgjëreshat e tjera, e thonë: Zot, zot, hapna. Por ai u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, nuk ju njoh.
Rrini zgjuar pra, sepse nuk e dini ditën, as orën, në të cilën vjen Biri i njeriut. Sepse do të vijë pikërisht si një njeri, që kur po largohej në dhe të huaj, thirri shërbëtorët e tij e u dorëzoi atyre pasurinë e tij. Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; secilit sipas fuqisë së tij; edhe menjëherë iku në dhe të huaj. Atëherë ai që mori të pesë talantat, shkoi e tregëtoi me ato, edhe bëri pesë talanta të tjera. Kështu edhe ai që mori dy, fitoi edhe ai dy të tjera. Po ai që mori njërën, shkoi e gërmoi në dhe, edhe fshehu argjendin e të zotit.
Edhe pas shumë kohe vjen i zoti i atyre shërbëtorëve, edhe bën llogari me ta. Edhe si i erdhi pranë ai që pati marrë të pesë talantat, pruri pesë talanta të tjera, duke thënë: Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti. Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë të dy talantat, edhe tha: Zot dy talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta ishe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
Edhe erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha: Zot, të dija se je njeri i ashpër, që korr tek nuk mbolle, dhe mbledh tek nuk shpërndave. Edhe pasi pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhe. Ja tek e ke tënden. Edhe i zoti u përgjigj e i tha: Shërbëtor i lig e përtac, ti e dije se unë korr tek nuk mbolla, dhe mbledh tek nuk shpërndava. Duhej pra ta vije argjendin tim te kamatarët dhe kur të vija unë, do të merrja timen bashkë me kamatën. Merrni pra prej atij talantën, edhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat. Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë; edhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka, do të merret prej tij. Edhe shërbëtorin e pavlerë hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, edhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij. Edhe do të mblidhen përpara tij gjithë kombet; edhe do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, siç ndan bariu dhentë nga dhitë. Edhe do të vërë dhentë në të djathtë e dhitë në të majtë.
Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë të tij: Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kurse është themeluar bota. Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem? Apo duke pasur etje, e të dhamë të pish? Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm brenda? Apo të zhveshur, e të veshëm? Edhe kur të pamë të sëmurë ose në burg, edhe erdhëm tek ti? Edhe mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.
Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë: Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij. Sepse pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e s’më dhatë të pi; isha i huaj, e nuk më morët brenda; i zhveshur, edhe nuk më veshët; i sëmurë e në burg, edhe nuk erdhët të më shihni. Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri, a duke pasur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg, e nuk të shërbyem? Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa nuk i bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, as mua nuk ma keni bërë.
Edhe këta do të shkojnë në dënim të përjetshëm; edhe të drejtët në jetë të përjetshme.
Edhe Jisui, kur mbaroi gjithë këto fjalë, u tha nxënësve të tij: E dini se pas dy ditësh është pashka, edhe Biri i njeriut dorëzohet për t’u kryqëzuar.