Oshënare Maria Egjiptiane.
E shenjta Mari ishte me origjinë nga Egjipti. Ajo i braktisi prindërit kur ishte dymbëdhjetë vjeçe dhe shkoi në Aleksandri. Për shtatëmbëdhjetë vjet rresht jetoi aty mes shthurjes më të madhe. Bukën e fitonte me anë të lëmoshave, duke endur fije lini. Ajo shiste trupin e saj dhe këtë e bënte jo nga mjerimi, por e shtyrë nga pasioni i flaktë trupor, që nuk mund ta ndalonte asgjë. Një ditë, pa një grup pelegrinësh që po i drejtohej portit për të shkuar në Jerusalem. I ndoqi dhe hipi bashkë me ta në anije. Gjatë lundrimit tundonte pasagjerë të ndryshëm, duke ofruar trupin e saj si pagesë për shpenzimet e udhëtimit.
Kur mbërritën në Qytetin e Shenjtë, iu bashkua grupit të pelegrinëve që shkonte te Bazilika e Ngjalljes, ditën e Lartësimit të Kryqit të Nderuar. Por, kur vuri këmbën në pragun e kishës, një fuqi e padukshme e pengoi të hynte, me gjithë përpjekjet e përsëritura, ndërkohë që pelegrinët e kalonin pa asnjë problem. E mbetur vetëm në një cep pranë hyrjes, nisi të kuptonte se ishte papastërtia e jetës së saj që e pengonte t’i afrohej Kryqit të Shenjtë. Ndaj i shpërthyen lot, filloi të godiste gjoksin dhe, duke parë një ikonë të Nënës së Zotit, i drejtoi këtë lutje: “O Zonjë Virgjëreshë, që ke lindur Perëndinë në mish, unë e di se jam e padenjë të shikoj ikonën tënde, jam kaq e shthurur, sa Ty që je e pastër në trup dhe në shpirt, duhet të të ngjall neveri. Por, meqenëse Perëndia, që lindi prej teje, u bë njeri për të thirrur mëkatarët në pendim, eja dhe më ndihmo; më lejo të hyj në kishë për t’iu falur Kryqit të Tij të Shenjtë. E sapo t’i falem Kryqit, të premtoj se do të braktis botën dhe kënaqësitë dhe do të ndjek udhën e shpëtimit që ti do të më tregosh”.
Menjëherë u çlirua nga pengesa që e mbante të gozhduar dhe mundi të hynte në kishë, ku iu fal nxehtësisht Kryqit të Shenjtë. Pastaj, e kthyer nga ikona e Hyjlindëses, tha se ishte gati për të ndjekur rrugën që ajo do t’i tregonte. Një zë u dëgjua që lartazi: “Nëse kapërcen Jordanin, atje do të gjesh prehje”.
Kur doli nga kisha, bleu tri bukë me lëmoshën që i dha një pelegrin dhe pyeti për të mësuar rrugën që të çonte te lumi. Në darkë arriti në kishën e Shën Joan Pagëzorit. Pasi u la në ujërat e Jordanit, u kungua me Misteret e Shenjta, hëngri gjysmën e njërës bukë dhe fjeti në breg. Të nesërmen në mëngjes, kaloi lumin dhe që nga ajo ditë, për dyzet e shtatë vjet, jetoi në shkretëtirë pa takuar askënd, madje as kafshë.
Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të para të qëndrimit atje, rrobat iu bënë copë, trupi i përcëllohej nga dielli zhuritës i ditës dhe ngrinte nga e ftohta e natës. Ushqehej vetëm me barishte dhe rrënjë bimësh të egra. Por, përveç vështirësive të jashtme fizike, u përball edhe me sulmet e dhunshme të pasioneve dhe të mëkateve të saj, ndaj, e shtrirë përtokë, i lutej Nënës së Zotit që ta ndihmonte. E mbrojtur nga Perëndia, që nuk dëshiron asgjë më shumë sesa që mëkatari të kthehet tek Ai dhe të ketë jetë, oshënarja i çrrënjosi nga zemra të gjitha pasionet me anë të këtij asketizmi të jashtëzakonshëm. Zjarrin e dëshirës mishore arriti ta kthente në flakë të dashurisë hyjnore, që e bënte të duronte me gëzim shkretëtirën e egër, si të ishte qenie pa trup.
Pasi kaluan shumë vjet, një jerond i shenjtë, i quajtur Zosima (4 prill), që, sipas traditës së vendosur nga shën Efthimi, kishte shkuar në shkretëtirën përtej Jordanit për të kaluar Kreshmën e Madhe, pa një ditë një qenie me formë njerëzore, me trupin e nxirë nga dielli dhe me flokë të bardhë si dëbora që i binin mbi shpatulla. Ai vrapoi pas këtij imazhi që i largohej, duke e lutur që t’i jepte bekimin dhe t’i thoshte ndonjë fjalë shpëtimi. Kur arriti aq pranë sa mund t’i dëgjonte zërin, Maria e thirri me emër jerondin, të cilin nuk e kishte takuar kurrë. I tha se ishte grua dhe i kërkoi t’i hidhte mantelin e tij, që të mbulonte trupin e saj të zhveshur.
Pyetjeve dhe lutjeve të murgut të gëzuar, ngaqë kishte takuar më në fund një qenie hyjmbajtëse, që kishte arritur në majat e përsosmërisë murgërore, shenjtorja iu përgjigj duke i treguar jetën e saj dhe ndryshimin që i kishte ndodhur. Pasi përfundoi rrëfimin, ajo e luti të vinte përsëri në brigjet e Jordanit vitin tjetër, të Enjten e Madhe, me Kungatën e Shenjtë.
Kur mbërriti dita e caktuar, Maria u shfaq në bregun tjetër të lumit. Ajo bëri shenjën e Kryqit dhe kapërceu Jordanin, duke ecur sipër tij më këmbë. Pasi u kungua mes lotësh, ajo tha: “Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtoren tënde në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd” (shih Lluk. 2:29). Pastaj ajo u përshëndet me Zosimanë, duke i përsëritur të njëjtën kërkesë.
Kur kaloi një vit, Zosimai shkoi në vendin e caktuar dhe gjeti trupin e shenjtores të shtrirë përtokë, me krahët e kryqëzuar dhe fytyrën kthyer nga lindja. Emocioni dhe lotët nuk e penguan të dallonte çfarë ishte shkruar në tokë nga vetë shenjtorja, që thoshte: “Ava Zosima, varrose në këtë vend trupin e Marisë së përulur, ktheja dheut çka është e dheut, pasi të jesh lutur për mua. Vdiqa më 1 të muajit prill, natën e Pësimit të Zotit tonë Jisu Krisht, pasi mora pjesë në Eukaristinë e Shenjtë”.
I ngushëlluar në hidhërimin e tij, ngaqë i mësoi emrin, Zosimai u çudit kur kuptoi se ajo kishte përshkuar në disa orë një distancë, që zakonisht kërkonte njëzet ditë rrugë më këmbë. Pasi u përpoq më kot të hapte një gropë me një copë dru, papandehur ai pa një luan që iu afrua trupit të shenjtores dhe i lëpiu këmbët. Me urdhër të jerondit, kafsha gërmoi gropën me thonj dhe Zosimai e vendosi aty me devocion trupin e shenjtores.
Kur u kthye në manastir, ai ua tregoi këto mrekulli vëllezërve, për dobinë e atyre që duan të kthehen nga rruga e mëkatit dhe të shkojnë pranë Zotit me gjithë zemër. Maria, nga një grua shumë mëkatare, u bë burim shprese dhe model pendimi për shumë shpirtra të dërrmuar nga barra e mëkatit. Për këtë arsye Etërit e shenjtë e kanë vendosur festimin e kujtimit të saj në fund të kreshmës, si inkurajim për të gjithë ata që e kanë neglizhuar shpëtimin e tyre, duke shpallur se, edhe në çastin e fundit të jetës, pendimi mund të na çojë te Perëndia.
* * * *
Profetesha Olda/Hulda.
Në mbretërimin e Josias, mbretit të Judës (640-609 para Krishtit), i cili ndërmori një reformë fetare dhe një kthim te nderimi i Perëndisë së vërtetë, Libri i Ligjit u rigjet në Tempullin e Jerusalemit. Kur dëgjoi fjalët që ai përmbante, mbreti shqeu rrobat dhe vajtoi duke thënë: “E madhe duhet të jetë zemërata e Zotit, që është ndezur kundër nesh, sepse etërit tanë nuk u janë bindur fjalëve të këtij libri” (IV Mbret. 22:14).
Ai dërgoi priftërinj te profetesha Hulda, gruaja e Shallumit, që banonte në Jerusalem. Nën frymëzimin e Perëndisë, ajo ripohoi zemërimin e Perëndisë kundër Jerusalemit të pabesë, por i tha mbretit Josia këto fjalë: “Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit, meqë zemra jote është prekur dhe ti je përulur para Zotit, Perëndisë së Izraelit, kur dëgjove vendimin që unë shqiptova kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëhen objekt tmerri dhe mallkimi, dhe meqë ti ke grisur rrobat e tua dhe ke vajtuar përpara meje, unë të kam dëgjuar. Prandaj unë do të të bashkoj me etërit e tu; ti do të pritesh në paqe në varrin tënd, sytë e tu nuk do të shikojnë të gjitha fatkeqësitë që do të bëj të vijnë mbi këtë vend”.
Me të vërtetë, ndodhi që pas vdekjes së këtij mbreti të drejtë, filluan shumë fatkeqësi, të cilat çuan në rrënimin e Jerusalemit dhe internimin e popullit në Babiloni (609-587). Sa për profeteshën Hulda, Shkrimi i Shenjtë nuk jep detaje të tjera të jetës së saj.
* * * *
Hierodëshmor Grigori V, patriark i Konstandinopojës.
Shën Grigori lindi në vitin 1745, në gjirin e në familjeje të varfër nga Dhimicani, në Peloponez. Mbaroi shkollën fillore pranë të ungjit, që ishte hieromonak, pastaj shkoi e u vendos në Smirni. U bë murg në manastirin e Strofadhës dhe plotësoi studimet teologjike në Patmos. Kur u kthye në Smirni, mitropoliti Prokop, që ushqente dashuri atërore ndaj tij, e bëri kryedhjakon, më pas e hirotonisi prift dhe kur u bë patriark (1788), e caktoi Grigorin pasues të tij.
Për dymbëdhjetë vjet, hierarku i shenjtë e qeverisi me urtësi dhe zell apostolik qytetin e madh dhe të pasur të Smirnit, qendër shumë e rëndësishme e Orthodhoksisë në Azinë e Vogël. Ndërtoi shumë kisha, themeloi shkolla dhe organizoi sistemin e bamirësisë për të varfrit. Në vitin 1797, u zgjodh Patriark Ekumenik dhe filloi menjëherë ringritjen e pallatit të Fanarit. Ai themeloi edhe një shtypshkronjë, në të cilën botonte libra në gjuhën e popullit, të cilët kontribuuan jashtë mase në zgjimin shpirtëror dhe kulturor të popullit të krishterë. Hierarku i shenjtë vigjilonte për ruajtjen dhe zbatimin e rreptë të kanoneve të shenjta dhe për palëkundshmërinë morale të klerit. Në ato kohë të turbullta, kur populli i krishterë vuante nën zgjedhën otomane prej katër shekujsh, u brumos lëvizja për një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesve. I ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tij si bari, patriarku përpiqej të moderonte shpirtrat e trazuar, duke forcuar ndjenjën çlirimtare në gjirin e popullit.
Pas një viti e gjysmë, u denoncua te sulltani nga episkopë, të cilët i kishte qortuar për sjelljet e tyre. E internuan në Halkidonë dhe më pas në manastirin e Ivironit, në Malin e Shenjtë. Gjatë qëndrimit të tij të detyruar në Malin Athos, shenjtori vizitoi të gjitha manastiret, përhapi fjalën e Perëndisë dhe u bë për të gjithë model i jetës murgërore. Ai i dha bekimin shën Efthimit (22 mars), për t’u martirizuar dhe shprehu gëzimin e krenarinë për lajmin e martirizimit të shën Agathangjelit (19 prill). Me këtë tregoi se e shikonte vdekjen për hir të dashurisë së Perëndisë, si qëllimin më të lartë dhe kurorëzimin e jetës së krishterë.
I rithirrur në Patriarkanë në vitin 1806, u pranua me entuziazëm të madh nga populli i krishterë i Konstandinopojës. Rifilloi me guxim të madh punën baritore dhe korrigjimin e zakoneve e sjelljeve kishtare. Por, në vitin 1808, një grusht shteti solli në pushtet sulltanin Mehmeti II, që e detyroi të dorëhiqej përsëri dhe të shkonte në ishullin e Prinkipos. Pastaj shkoi sërish në Malin e Shenjtë, ku rifilloi studimet e tij patristike dhe ushtrimet asketike. Ai ishte i mirinformuar për gjendjen e Kishës dhe të popullit.
Pak kohë më vonë, u thirr për herë të tretë për të drejtuar fronin patriarkal, duke nxitur në mënyrë të veçantë themelimin e shkollave, ku nxënësit mund të merrnin një formim të krishterë dhe tradicional. Ai ngriti edhe një arkë ndihmash, ku grekët e pasur kontribuonin për të ndihmuar të krishterët që vuanin.
Kur nisi Kryengritja e principatave të Danubit, në zonën e Moldavisë (1 shkurt 1821), e karakterizuar nga mungesa e plotë e organizimit, në Konstandinopojë nisën raprezalje të tmerrshme dhe të përgjakshme, gjë që u përhap edhe në qendrat më të mëdha të Perandorisë Otomane. U masakruan të gjithë personat e rëndësishëm, që kishin lidhje me këtë kryengritje dhe u arrestuan katër episkopë. Kur qeveria dha urdhër të mblidheshin në Fanar familjet e parisë greke të Konstandipojës, patriarku, për të evituar masakrën, doli garant te Porta e Lartë për besnikërinë e tyre. I pakënaqur për këtë deklaratë, sulltani e detyroi shën Grigorin të nënshkruante aforizimin e kreut të kryengritjes, Aleksandër Ipsilantit dhe të shokëve të tij.
Më 31 mars, shpërtheu kryengritja greke e përgjithshme në Peloponez dhe tri ditë më vonë, të Hënën e Madhe, Dragomani i madh, që përfaqësonte komunitetin grek pranë oborrit të sulltanit, u ekzekutua bashkë me arkondë të tjerë. Shenjtori parashikoi se ky do të ishte fati i tij dhe prandaj refuzoi propozimet për t’u larguar, duke thënë: “Si mund të braktis grigjën time? Jam patriarku i tyre për ta shpëtuar grigjën dhe jo për ta lënë nën mëshirën e shpatës së jeniçerëve. Vdekja ime do të jetë më e dobishme sesa jeta ime, sepse të krishterët do të luftojnë të frymëzuar prej saj me energjinë e dëshpërimit, që shpesh sjell fitoren. Jo, nuk do të bëhem gazi i botës duke u arratisur, që të më tregojnë me gisht, duke thënë: ‘Ja patriarku vrasës!’”.
Ditën e Pashkës, më 10 prill, shën Grigori kremtoi me qetësi të madhe dhe madhështi Liturgjinë e Ngjalljes, që ndërpritej vetëm nga ngashërimat. Në mbarim të shërbesës, i konfirmuan lajmin e kryengritjes së Peloponezit. Atëherë ai tha: “U bëftë tani e përgjithmonë vullneti i Zotit”. Pak orë më vonë i bënë të ditur largimin e tij nga froni patriarkal dhe jeniçerët e burgosën, pa shumë ceremoni. E morën në pyetje dhe e torturuan, por ai ruajti një heshtje madhështore. Kur i thanë se do të shpëtonte po të mohonte Krishtin, u tha: “Patriarku i të krishterëve, duhet të vdesë i krishterë!”. Pak kohë pas zgjedhjes së pasuesit të tij nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, otomanët e varën në derën e Patriarkanës. Që nga ajo kohë, kjo derë ka mbetur e mbyllur, në kujtim të kësaj ngjarjeje mizore. Në çastin e fundit, Patriarku ngriti duart drejt qiellit, bekoi të krishterët e pranishëm dhe tha: “Zot Jisu Krisht, pranoje shpirtin tim!”. Ndërsa turqit dhe judenjtë gjuanin me gurë kufomën e patriarkut, veziri që ishte ngarkuar me ekzekutimin e tij, qëndronte i ulur përpara trupit, duke pirë duhan.
Trupin e patriarkut të shenjtë e lanë të varur për tri ditë, me vendimin e dënimit të varur në qafë, pastaj e tërhoqën nëpër rrugë, në mes të thirrjeve të tyre triumfuese, pastaj e hodhën në det. Edhe pse i varën një gur të rëndë në qafë, trupi arriti të dilte mbi ujë dhe u gjet nga një anije greke nën flamurin rus, që e çoi në Odesë. Atje, lipsani i tij, që nuk tregoi shenja dekompozimi, u nderua gjatë tri ditëve nga populli i krishterë.
Në vitin 1871, me rastin e pesëdhjetëvjetorit të Revolucionit Grek, trupi i patriarkut të shenjtë u transferua në Athinë dhe u vendos me nderime të mëdha në kishën metropolitane.
* * * *
Dëshmorë Miltiadhi