Apostujt Herodioni, Agavi, Rufi, Flegoni, Asinkriti nga të 70-t.
Shën Herodioni ishte nxënës i apostullit të shenjtë Petro dhe e shoqëroi në vizitat e tij hierapostolike, pastaj u hirotonis prej tij episkop i qytetit të Hipatisë (Patra e Re), në Fiotidë. Ai e predikonte Ungjillin me trimëri të madhe dhe ktheu shumë veta në të krishterë, prandaj u kap dhe u rrah nga paganët: disa e goditën me kamxhik e me shkopinj, të tjerë i thyen gjymtyrët me gurë. Në fund, pasi i prenë fytin, shën Herodioni fitoi kurorën e martirizimit.
Shën Agavi bënte pjesë në grupin e shtatëdhjetë nxënësve të Zotit dhe kishte marrë dhuratën e profecisë. Shën Llukai tregon në Veprat e Apostujve (11:28), se ai shkoi në Jerusalem nga Antiokia për të vizituar apostujt Petro dhe Varnava dhe, nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, paratha zinë e madhe të bukës, që, gjatë kohës së sundimit të Klaudit (44-48), shkatërroi për katër vjet me radhë Perandorinë Romake. Pas disa vjetësh, ai i bëri vizitë shën Pavlit, që ndodhej në shtëpinë e dhjakut Filip në Kesari dhe mori rripin e tij, ia lidhi duart dhe këmbët duke thënë: “Ja ajo që thotë Shpirti i Shenjtë: Njeriu të cilit i takon ky rrip, judejtë do ta lidhin kështu në Jerusalem dhe do ta dorëzojnë në duart e paganëve” (Vep. 21:11). Kur u krye kjo profeci, shën Agavi vazhdoi të predikonte Ungjillin deri në ditën e prehjes së tij të lumur.
Shën Rufi (Rufus) ka mundësi të ishte i biri i Simon Kireneasit, që përmendet në Ungjillin e Shën Markut (15:21). Në letrën drejtuar Romakëve, shën Pavli shkruan: “Përshëndeteni Rufin (Rufusin), të zgjedhurin në Zotin, dhe nënën e tij që është gjithashtu nëna ime” (16:13). Më pas u bë episkop i Thivës në Greqi.
Asinkriti dhe Flegoni, që përmenden nga shën Pavli në letrën për Romakët (16:11), predikuan Ungjillin në vende të ndryshme të botës dhe kthyen një numër të madh paganësh në besimin e vërtetë. Ata duruan të gjitha llojet e torturave dhe fituan së bashku, në të njëjtën ditë, kurorën e martirit.