E Diela IV e kreshmëve, Shën Joani i Shkallës, kreshmë ushqimesh dhe përmbajtje pasionesh, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 03.04.2022 (Tekst)
“Ky farë kombi s’mund të dalë me tjetër gjë, veçse me falje e me agjërim” (v.29)
Çfarë është kreshma? Nëse grumbullojmë gjithë mendimet për të, të Shkrimit të Shenjtë, të Etërve të Kishës, të Petagogëve dhe Etikologëve të sotëm, të Mjekëve dhe të të Urtëve të lashtë, do të shikojmë se kreshma është një institucion i Kishës. Është një nga mjetet që të fitojë njeriu lirinë më Krishtin. Ka si kusht dëshirën e përzemërt të besimtarit, që të hedhë tej lidhjet e forta të cilat e mbajnë shpirtin, në kuptimin e plotë të fjalës, të lidhur me zinxhirë ndaj dëshirave të dheshme.
* * * * *
Kreshma, e çliron luftëtarin e krishterë nga shqisat e kënaqësive të trupit, e çliron shpirtin nga tirania e pasioneve, pastron mendjen nga mendimet e ndotura, e armatos shpirtërisht besimtarin në kohën e ngasjes, godet sulmet e djallit, të drejton në njohjen e të qenit mëkatar, sjell dërrmim shpirtëror dhe pendim, stolis me virtyte botën e brendshme, e sjell njeriun më afër Perëndisë.
Shën Vasili i Madh thekson se: “Kreshma ka të njëjtën moshë me njeriun. Me të vërtetë, krijuesi Perëndi, tek të parëgatuarit, urdhëroi të ruanin një porosi kreshme; të mos hanë nga fryti i një peme konkrete. Kjo ishte një provë që do të tregonte besimin e tyre ndaj Perëndisë”. Ati i hirshëm thekson akoma se: “Nëse të parëgatuarit do të respektonin këtë porosi, tani nuk do të kishim nevojë për kreshmë”.
Kreshma, si një mjet, synon vetëpërmbajtjen dhe çlirimin e njeriut nga varësia ndaj të mirave materiale. Këtë e kishin kuptuar, me ndriçimin e Perëndisë, edhe të urtët e lashtë. Përmendet se Platoni, në kohë dreke, nxirrte ujë nga pusi, dhe ndërkohë që digjej goja e tij nga etja, nuk pinte, për të zbutur trupin e tij, të bëjë të çeliktë dëshirën e tij dhe të thotë jo, në pasionet.
Në jetëshkrimet e Profetëve shikojmë lashtësinë e institucionit të kreshmës. Moisiu, pas kreshmës dyzetëditëshe, iu afrua malit Sina, që digjej i tëri dhe bubullinte nga rrufetë -si tregim i prezencës së krijuesit Perëndi- dhe hyri në renë e ndritshme dhe mori pllakat e urdhërimeve. Samueli dhe Samsoni, erdhën në botë si dhurata të Perëndisë nga kreshma e prindërve të tyre. “Kreshma, lind profetë” -thekson përsëri shën Vasili i Madh- “fuqizon të fortët dhe i bën të urtë ligjvënësit”. Profeti Ilia, pasi pastroi shpirtin e tij me kreshmë dyzetëditëshe, u denjësua të ndiejë si fllad të hollë, prezencën e Perëndisë në shpellën e malit Horiv. Eliseu, me asgjë tjetër nuk i mikpriste profetët, përveçse me lakra të egra dhe pak miell.
Profeti dhe Mbreti David, deklaron nënshtrimin e tij ndaj institucionit të kreshmës, si një shprehje pendese, me frazën e tij karakteristike: “Gjunjët m’u dobësuan nga agjërimi, dhe trupi im për vaj u ligështua” (Psalmi 108:24). Tre djemat u futën në furrën e zjarrit, pasi veshën si amiant kreshmën. Dhe profeti Daniel i cili, për tre javë, nuk shijoi as bukë as ujë, u mësoi kreshmën edhe luanëve, të cilët e respektuan dhe nuk e prekën. Kurse në tempullin e Jerusalemit, Jisu Krishtin dyzetditësh, e pret bashkë me Simeonin e drejtë edhe profetesha Ana, e cila, sipas ungjillorit Lluka: “nuk largohej prej tempullit, duke u lutur me agjërime e me falje natë e ditë” (2:37).
Vetë Zoti ynë zbatoi këtë institucion të dhënë nga Perëndia dhe dorëzoi, me shembullin e Tij, porosinë e re të kreshmës. Dhe jeta e shën Joan Pararendësit, ishte një kreshmë e vazhdueshme “me karkaleca dhe mjaltë të egër” (Mat. 3:4). Kreshma shoqëron jetën e komunitetit të parë të krishterë të Jerusalemit, ashtu siç lexojmë në mënyrë karakteristike në Veprat e Apostujve. Dhe i madhi ndër apostujt, Pavli, e përmend kreshmën në mburrjet e tij, për pikëllimet që e ngjitën në qiellin e tretë (2 Kor. 11:27 – 12:2).
Në ecurinë dymijëvjeçare të Kishës, murgj, klerikë dhe laikë, burra dhe gra, të moshuar dhe fëmijë, e panë kreshmën “si mbrojtëse të shpirtit dhe shoqe të trupit, armë që fiton, palestër, pedagoge të rinisë, stoli e pleqve, nënë e shëndetit, shoqëruese e mirë e atyre që udhëtojnë, bashkëbanuese besnike e familjeve” (shën Vasili i Madh).
“Qëllimi i kreshmës dhe përgjithësisht i përmbajtjes, nuk është trupvrasës por, pasionvrasës”, sipas frazës së dashur të ava Pimenit, në Jerondiko. Armiku i njeriut nuk është trupi i tij, por pasionet e tij. Ato duhet të luftojë dhe të mposhtë. I krishteri i vërtetë adhuron Krijuesin dhe jo krijesën.
Qypit të shpuar të barkut mos iu përgjunj,
nuk është adhurimi i tij veçse mundim i kotë;
u plaka dhe rob akoma më mban
mjerë kush në pleqëri, shpresën e tij e var.
(Shkruan në poezinë e tij Murgu)
Nëse gjymtyrët e kreshmës janë kaq të bukura, kurora e saj është po aq e bukur. Dhe cila është ajo? Gojarti i hirshëm thotë: “Nuk duhet të kreshmojë vetëm trupi ynë, goja jonë, nga produktet ushqimore, por edhe shqisat e tjera nga të këqijat”. Dhe konkretisht, i njëjti Atë vazhdon: “Kreshmon verën, e megjithatë inatosesh. Kreshmon mishin, peshkun dhe ushqimet e tjera shtazore, e megjithatë, fut hundët në famën e vëllait tënd. Kreshmon qumështin, e megjithatë, nënën, e cila të ushqeu me qumështin e saj, të vjen turp ta quash nënë, e shan, e keqtrajton. Kreshmon vajin, e megjithatë, vartësit e tu i shqetëson dhe i shtyp aq shumë, saqë shtrydh prej tyre jo vetëm vajin, por edhe gjakun e tyre”. Dhe vazhdon: “Të kreshmojnë duart, duke mbetur të pastra nga rrëmbimi dhe nga lakmia. Në kreshmojnë këmbët e tua nga rrugët, duke prerë rrugët që të shpien në pamje mëkatare. Të kreshmojnë sytë, duke u ushtruar të mos bien kurrë me qëllime mëkatare në fytyra të bukura”. Dhe ava Doroteu, plotëson: “Pikërisht ashtu siç kreshmojmë nga ushqimet, kështu edhe gjuha jonë të jetë larg nga përgojimet, gënjeshtrat, fjalët e kota, mospëlqimi i të afërmit tonë, nga zemërimi dhe, përgjithësisht, nga prej çdo mëkati që bëhet nëpërmjet gjuhës. Të shmangemi prej çdo mëkati që kryhet nga të gjitha shqisat”.
Kreshma, bashkë me lutjen dhe lëmoshën, e lertësojnë shpirtin tonë drejt Perëndisë dhe e bëjnë trupin tonë më të lehtë, që të fluturojë për tek Krijuesi. Kreshma, me masë dhe përulësi, e lidhur dhe me virtytet e tjera, na dhuron qetësi, prehje, butësi dhe jetë të gjatë. Hipokrati, ati i mjekësisë, ndërroi jetë në moshën njëqindvjeçare. Dhe duke u pyetur se kujt i dedikohej jetëgjatësia e tij, u përgjigj: “Nuk u ngrita kurrë i ngopur nga tavolina”. Gjithashtu, mjeku nobelist Aleksis Karel, pranon, në librin e tij “Njeriu, ky i Panjohur”, se: “Kreshma dhe lutja janë mjete shërimi”. Por banori i shkretëtirës, shën Isak siriani, njohësi i shkëlqyer i psikologjisë së thellë, njohuritë e të cilit do t’i kishin zili edhe psikiatër bashkohorë, na vërtetonë se: “Kreshma është fillimi i luftës shpirtërore, nëna e lutjes, dhe burimi i urtësisë dhe pastërtisë”.
* * * * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Le të mbajmë kreshmën e ushqimeve bashkë me përmbajtjen e pasioneve, duke pastruar trupin nga çdo dëshirë dhe vepër mëkatare, që të kemi bekimin e Perëndisë në jetën tonë, si luftëtar të luftës së mirë, dhe të marrim kurorën e jetës së amshuar.