– Ungjilli – Marku 9:17-31.
Edhe një prej turmës u përgjigj, e tha: Mësues, prura tek ti tim bir që ka frymë të pagojë. Edhe kudo ta zërë, e hedh poshtë dhe shkumëzon, e kërcëllin dhëmbët e tij, dhe thahet. Edhe u thashë nxënësve të tu ta nxjerrin, por nuk mundën.
Edhe ai iu përgjigj e tha: O brez i pabesë, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Silleni atë tek unë. Edhe e prunë tek ai; edhe kur fryma e pa atë, përnjëherë e shkundi fort; edhe ai ra përdhe, edhe rrokullisej duke shkumëzuar.
Edhe Jisui pyeti të atin e atij: Sa kohë ka qëkurse i ngjau kjo? Edhe ai tha: Qëkurse ishte fëmijë i vogël. Edhe shumë herë e hodhi edhe në zjarr dhe në ujëra, që ta humbasë; po nëse mund të bësh gjë, le të të dhimbset për ne dhe ndihmona.
Edhe Jisui i tha këtë: Nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson. Edhe përnjëherë i ati i fëmijës së vogël thirri me lot, duke thënë: Besoj, Zot. Ndihmoje pabesinë sime. Edhe Jisui kur pa se shumë njerëz po mblidheshin duke vrapuar së bashku, qortoi frymën e ndyrë, duke i thënë: Frymë e pagojë dhe e shurdhër, unë të urdhëroj, dil nga ai, edhe të mos hysh më tek ai.
Edhe fryma duke bërtitur e duke e shkundur atë shumë fort, doli; edhe djali u bë si i vdekur, aq sa shumë veta thoshin se vdiq. Edhe Jisui e kapi për dore dhe e ngriti; edhe u çua.
Edhe kur hyri në një shtëpi, nxënësit e tij e pyesnin veçan se pse ne nuk mundëm ta nxjerrim. Edhe ai u tha atyre: Ky lloj s’mund të dalë, veçse me lutje e me agjërim.
Edhe si dolën andej, shkonin nëpër Galile, edhe s’donte ta marrë vesh njeri. Sepse mësonte nxënësit e tij, e u thoshte atyre se Biri i njeriut u dorëzohet njerëzve, edhe do ta vrasin, dhe si të vritet, të tretën ditë do të ngjallet.