Nga Libri i Profetit Isaia 29:13-23. 

 

Prandaj Zoti thotë: “Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën e tij dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit, prandaj, ja, unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi: dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket”.

Mjerë ata që shkojnë në vende të thella për t’ia fshehur Zotit planet e tyre, që i bëjnë veprat e tyre në terr dhe thonë: “Kush na sheh? Kush na njeh?” I keni përmbysur plotësisht gjërat. A mund të konsiderohet poçari i barabartë me argjilën? A mundet vepra t’i thotë atij që e ka bërë: “Nuk më ka bërë ai”?, ose gjëja e formuar t’i thotë atij që e ka formuar: “Nuk ka zgjuarësi”?

Brenda një kohe shumë të shkurtër dhe Libani do të shndërrohet në një pemishte, dhe pemishtja do të konsiderohet si një pyll. Të shurdhët do të kuptojnë atë ditë fjalët e librit dhe, të çliruar nga errësira dhe terri, sytë e të verbërve kanë për të parë. Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit. Sepse tirani do të jetë zhdukur, tallësi do të jetë shkatërruar, dhe do të jenë shfarosur tërë ata që kurdisin paudhësi, që dënojnë një njeri për një fjalë, që i kurdisin kurthe atij që gjykon te porta, që prishin të drejtën e të drejtit për asgjë.

Prandaj kështu i thotë shtëpisë së Jakobit Zoti që shpengoi Abrahamin: “Tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më dhe fytyra e tij nuk do të zverdhet më; por kur do të shohë bijtë e tij, veprën e duarve të mia në mes të tij, ata do të shenjtërojnë emrin tim, do të shenjtërojnë të Shenjtin e Jakobit dhe do të kenë frikë nga Perëndia i Izraelit.

 

* * * * *

Nga Libri i Gjenezës 12:1-7.

 

Por Zoti i tha Abrahamit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj.

Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim.

Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës”.

Atëherë Abrahami u nis siç i kishte thënë Zoti dhe Loti shkoi me të. Abrahami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani. Dhe Abrahami mori me vete Sarën, gruan e tij, dhe Lotin, birin e të vëllait, dhe të gjithë pasurinë që kishin grumbulluar dhe personat që kishin blerë në Haran, dhe u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit. Abrahami e kapërceu vendin deri te lokaliteti i Sikemit, deri tek lisi i Morehut. Në atë kohë ndodheshin në atë vend Kanaanejtë. Atëherë u shfaq Zoti përpara Abrahamit dhe i tha: “Unë do t’ja jap këtë vend pasardhësve të tu”.

Atëherë Abrahami i ndërtoi aty një altar Zotit që i ishte shfaqur.

 

* * * * *

Nga Libri i Fjalëve të Urta 14:15-26.

 

Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij. Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull. Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer. Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.

Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve. Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues. Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur. A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën. Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.

Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi. Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.

Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.