Oshënare Maria Egjiptiane.
E shenjta Mari ishte me origjinë nga Egjipti. Ajo i braktisi prindërit kur ishte dymbëdhjetë vjeçe dhe shkoi në Aleksandri. Për shtatëmbëdhjetë vjet rresht jetoi aty mes shthurjes më të madhe. Bukën e fitonte me anë të lëmoshave, duke endur fije lini. Ajo shiste trupin e saj dhe këtë e bënte jo nga mjerimi, por e shtyrë nga pasioni i flaktë trupor, që nuk mund ta ndalonte asgjë. Një ditë, pa një grup pelegrinësh që po i drejtohej portit për të shkuar në Jerusalem. I ndoqi dhe hipi bashkë me ta në anije. Gjatë lundrimit tundonte pasagjerë të ndryshëm, duke ofruar trupin e saj si pagesë për shpenzimet e udhëtimit.
Kur mbërritën në Qytetin e Shenjtë, iu bashkua grupit të pelegrinëve që shkonte te Bazilika e Ngjalljes, ditën e Lartësimit të Kryqit të Nderuar. Por, kur vuri këmbën në pragun e kishës, një fuqi e padukshme e pengoi të hynte, me gjithë përpjekjet e përsëritura, ndërkohë që pelegrinët e kalonin pa asnjë problem. E mbetur vetëm në një cep pranë hyrjes, nisi të kuptonte se ishte papastërtia e jetës së saj që e pengonte t’i afrohej Kryqit të Shenjtë. Ndaj i shpërthyen lot, filloi të godiste gjoksin dhe, duke parë një ikonë të Nënës së Zotit, i drejtoi këtë lutje: “O Zonjë Virgjëreshë, që ke lindur Perëndinë në mish, unë e di se jam e padenjë të shikoj ikonën tënde, jam kaq e shthurur, sa Ty që je e pastër në trup dhe në shpirt, duhet të të ngjall neveri. Por, meqenëse Perëndia, që lindi prej teje, u bë njeri për të thirrur mëkatarët në pendim, eja dhe më ndihmo; më lejo të hyj në kishë për t’iu falur Kryqit të Tij të Shenjtë. E sapo t’i falem Kryqit, të premtoj se do të braktis botën dhe kënaqësitë dhe do të ndjek udhën e shpëtimit që ti do të më tregosh”.
Menjëherë u çlirua nga pengesa që e mbante të gozhduar dhe mundi të hynte në kishë, ku iu fal nxehtësisht Kryqit të Shenjtë. Pastaj, e kthyer nga ikona e Hyjlindëses, tha se ishte gati për të ndjekur rrugën që ajo do t’i tregonte. Një zë u dëgjua që lartazi: “Nëse kapërcen Jordanin, atje do të gjesh prehje”.
Kur doli nga kisha, bleu tri bukë me lëmoshën që i dha një pelegrin dhe pyeti për të mësuar rrugën që të çonte te lumi. Në darkë arriti në kishën e Shën Joan Pagëzorit. Pasi u la në ujërat e Jordanit, u kungua me Misteret e Shenjta, hëngri gjysmën e njërës bukë dhe fjeti në breg. Të nesërmen në mëngjes, kaloi lumin dhe që nga ajo ditë, për dyzet e shtatë vjet, jetoi në shkretëtirë pa takuar askënd, madje as kafshë.
Gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të para të qëndrimit atje, rrobat iu bënë copë, trupi i përcëllohej nga dielli zhuritës i ditës dhe ngrinte nga e ftohta e natës. Ushqehej vetëm me barishte dhe rrënjë bimësh të egra. Por, përveç vështirësive të jashtme fizike, u përball edhe me sulmet e dhunshme të pasioneve dhe të mëkateve të saj, ndaj, e shtrirë përtokë, i lutej Nënës së Zotit që ta ndihmonte. E mbrojtur nga Perëndia, që nuk dëshiron asgjë më shumë sesa që mëkatari të kthehet tek Ai dhe të ketë jetë, oshënarja i çrrënjosi nga zemra të gjitha pasionet me anë të këtij asketizmi të jashtëzakonshëm. Zjarrin e dëshirës mishore arriti ta kthente në flakë të dashurisë hyjnore, që e bënte të duronte me gëzim shkretëtirën e egër, si të ishte qenie pa trup.
Pasi kaluan shumë vjet, një jerond i shenjtë, i quajtur Zosima (4 prill), që, sipas traditës së vendosur nga shën Efthimi, kishte shkuar në shkretëtirën përtej Jordanit për të kaluar Kreshmën e Madhe, pa një ditë një qenie me formë njerëzore, me trupin e nxirë nga dielli dhe me flokë të bardhë si dëbora që i binin mbi shpatulla. Ai vrapoi pas këtij imazhi që i largohej, duke e lutur që t’i jepte bekimin dhe t’i thoshte ndonjë fjalë shpëtimi. Kur arriti aq pranë sa mund t’i dëgjonte zërin, Maria e thirri me emër jerondin, të cilin nuk e kishte takuar kurrë. I tha se ishte grua dhe i kërkoi t’i hidhte mantelin e tij, që të mbulonte trupin e saj të zhveshur.
Pyetjeve dhe lutjeve të murgut të gëzuar, ngaqë kishte takuar më në fund një qenie hyjmbajtëse, që kishte arritur në majat e përsosmërisë murgërore, shenjtorja iu përgjigj duke i treguar jetën e saj dhe ndryshimin që i kishte ndodhur. Pasi përfundoi rrëfimin, ajo e luti të vinte përsëri në brigjet e Jordanit vitin tjetër, të Enjten e Madhe, me Kungatën e Shenjtë.
Kur mbërriti dita e caktuar, Maria u shfaq në bregun tjetër të lumit. Ajo bëri shenjën e Kryqit dhe kapërceu Jordanin, duke ecur sipër tij më këmbë. Pasi u kungua mes lotësh, ajo tha: “Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtoren tënde në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd” (shih Lluk. 2:29). Pastaj ajo u përshëndet me Zosimanë, duke i përsëritur të njëjtën kërkesë.
Kur kaloi një vit, Zosimai shkoi në vendin e caktuar dhe gjeti trupin e shenjtores të shtrirë përtokë, me krahët e kryqëzuar dhe fytyrën kthyer nga lindja. Emocioni dhe lotët nuk e penguan të dallonte çfarë ishte shkruar në tokë nga vetë shenjtorja, që thoshte: “Ava Zosima, varrose në këtë vend trupin e Marisë së përulur, ktheja dheut çka është e dheut, pasi të jesh lutur për mua. Vdiqa më 1 të muajit prill, natën e Pësimit të Zotit tonë Jisu Krisht, pasi mora pjesë në Eukaristinë e Shenjtë”.
I ngushëlluar në hidhërimin e tij, ngaqë i mësoi emrin, Zosimai u çudit kur kuptoi se ajo kishte përshkuar në disa orë një distancë, që zakonisht kërkonte njëzet ditë rrugë më këmbë. Pasi u përpoq më kot të hapte një gropë me një copë dru, papandehur ai pa një luan që iu afrua trupit të shenjtores dhe i lëpiu këmbët. Me urdhër të jerondit, kafsha gërmoi gropën me thonj dhe Zosimai e vendosi aty me devocion trupin e shenjtores.
Kur u kthye në manastir, ai ua tregoi këto mrekulli vëllezërve, për dobinë e atyre që duan të kthehen nga rruga e mëkatit dhe të shkojnë pranë Zotit me gjithë zemër. Maria, nga një grua shumë mëkatare, u bë burim shprese dhe model pendimi për shumë shpirtra të dërrmuar nga barra e mëkatit. Për këtë arsye Etërit e shenjtë e kanë vendosur festimin e kujtimit të saj në fund të kreshmës, si inkurajim për të gjithë ata që e kanë neglizhuar shpëtimin e tyre, duke shpallur se, edhe në çastin e fundit të jetës, pendimi mund të na çojë te Perëndia.