Nga Libri i Profetit Isaia 26:21-27:9.

 

Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj. Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.

Atë ditë do të thuhet: “Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të. Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë. Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t’i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t’i digjja të gjitha tok. Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua”.

Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte. A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë? Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore.

Në këtë mënyrë do të shpagohet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t’i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më.

 

Nga Libri i Gjenezës 9:18-10:1.

 

Dhe bijtë e Noeut që dolën nga arka qenë Semi, Kami dhe Jafeti; Kami është babai i Kanaanit. Këta janë tre bijtë e Noeut, dhe ata populluan tërë tokën.

Më vonë Noeu, që ishte bujk, filloi të mbjellë një vresht; dhe piu verë e u deh, dhe u zhvesh në mes të çadrës së tij. Dhe Kami, i ati i Kanaanit, pa babanë e tij lakuriq dhe vajti t’ua thotë vëllezërve të tij që ndodheshin jashtë. Por Semi dhe Jafeti muarrën një mantel, e hodhën mbi shpatullat e tyre dhe, duke ecur së prapthi, mbuluan lakuriqësinë e babait të tyre; dhe, me qënë se fytyrat e tyre ishin kthyer nga ana tjetër, ata nuk e panë lakuriqësinë e babait të tyre.

Kur Noeu u zgjua nga dehja e tij, mësoi atë që i kishte bërë i biri më i vogël, dhe tha: I mallkuar qoftë Kanaani! Ai qoftë shërbyesi i shërbëtorëve të vëllezërve të tij!.

Pastaj tha: “I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Semit, dhe Kanaani të jetë shërbëtori i tij. Perëndia ta rritë Jafetin dhe ky të banojë në çadrat e Semit; Kanaani qoftë shërbyesi i tij!”. Mbas përmbytjes, Noeu jetoi treqind e pesëdhjetë vjet. Kështu Noeu jetoi gjithsej nëntëqind e pesëdhjetë vjet; pastaj vdiq.

Këta janë pasardhësit e bijve të Noeut: Semit, Kamit dhe Jafetit; mbas përmbytjes, atyre u lindën fëmijë.

 

Nga Libri i Fjalëve të Urta 12:23-13:9.

 

Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.

Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t’i nënshtrohet punës së detyrueshme. Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë. I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.

Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme. Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje.

Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin. Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë. Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.

Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht. I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.

Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin. Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.

Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim. Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.