E Diela III e kreshmëve, e Faljes së Kryqit, Privilegj mbretëror, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 27.03.2022 (Tekst)

 

 

“Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje ” (v. 16)

Është shumë ngushëllues, për të gjithë ne, vërtetimi i shën Pavlit, ashtu sikurse është formuluar në Letrën e tij, drejtuar Hebrenjve: Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje (v.16). Duke iu drejtuar, Apostulli i hyjfrymëzuar, mëkatarëve dhe fajtorëve të çdo epoke -dhe duke përfshirë, nga përulësia e madhe, edhe veten e tij midis tyre- dha një këshillë të çmueshme dhe bën një inkurajim të nxehtë: Vëllezërit e mi -thotë- të gjithë ju, që ndieni rrahjet e ndërgjegjes, për shkarjet dhe mëkatet tuaj, dhe dëshironi të çliroheni nga brejtjet e dhimbshme dhe fshikullimet e saj të padukshme, ja rruga. T’i përgjunjemi fronit të Shpëtimtarit dhe Çlirimtarit të dhembshur, dhe mirëdashës të shpirtrave tanë. Ai do t’ju çlirojë nga faji. Ai do ta qetësojë ndërgjegjen tonë të tronditur dhe të shqetësuar. Ai do t’ju ndihmojë edhe në të ardhmen, që të mos riktheheni në të njëjtat gjëra. “Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje ”. Ja pra tema, e fjalimit të sotëm.

* * *

Por, përse t’i afrohemi me kurajo dhe guxim fronit të hirit? Kush na e jep këtë të drejtë? -Sepse s’kemi kryeprift -vazhdon ai-, që nuk i vjen keq për sëmundjet dhe dobësitë tona shpirtërore dhe morale. Përkundrazi, kemi Kryeprift, i cili u nga në të gjitha mënyrat që ngitet edhe natyra njerëzore, i cili u luftua edhe nga mëkati, me sulmet e djallit të lig, por pa u përkulur dhe ndotur nga ai. Zoti e di, pra, sa e lodhshme është përpjekja dhe lufta që kemi, dhe prandaj është mëshirues dhe tregon kaq simpati përkundrejt nesh. E njeh mirë dhimbjen dhe luftën tonë, dhe qëndron gjithmonë në krahun tonë, për të na ndihmuar dhe shpëtuar nga çdo ngasje dhe rrezik shpirtëror.

Me të vërtetë, duke veshur Zoti natyrën njerëzore, provoi dhe shijoi -përveçse nuk mëkatoi- gjithë pikëllimet dhe ngasjet, që provojmë ne të vdekshmit, madje, edhe vdekjen. Kujtoni, për shembull, nga Ungjijtë e shenjtë, ngasjet që provoi në shkretëtirë, kur, pas kreshmës 40 ditore, pranoi sulmin e djallit. Dhe Zoti e mposhti me shumë lehtësi, por e njihte edhe si njeri, ligësinë e tij, dinakërinë e tij, propozimet e tij fajtore dhe kurthet, që ngre me mjeshtëri, armiku ynë tinëzar. Pra, si të mos jetë mirëdashës dhe i dhimbsur ndaj nesh, kur edhe ne provohemi nga ngasjet e djallit?

Le të mendojmë mirë, o vëllezër, atë që thotë Fryma e Perëndisë. Është aq themelore për jetën tonë. Tallesh pa arsye nga vëllezërit e tu? Përndiqesh për ndershmërinë dhe pastërtinë tënde? Të godasin pikëllimet dhe ngasjet? Mos thuaj asnjëherë: Asnjë nuk mund të ndiejë dhimbjen time, asnjë nuk mund të kuptojë dobësinë time. Sepse kjo nuk është e saktë. Sepse është dikush, që di ç’do të thotë të jetosh këtu në tokë, në luginën e dhimbjes, lotëve dhe ngasjeve. Ekziston dikush, që e përshkoi këtë rrugë të cilën përshkojmë edhe ne, dhe e di sa gjemba ka… Dhe ai nuk është një njeri i thjeshtë si ne, i pafuqishëm dhe mëkatar si ne, i padobishëm për ne… Është Jisu Krishti, Biri i Perëndisë, Kryeprifti ynë i madh, që mund të na ndiejë, të na simpatizojë, të në falë. Sepse ndjeu dhimbje edhe ai, qau edhe ai, dhe gjembat e tokës u bënë kurorë në kokën e tij… Nëse ekziston dikush, që mund të na ndiejë realisht, është Kryeprifti ynë, Jisui njeridashës. Na ndien shumë më tepër nga sa mund ta imagjinojmë.

* * *

Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit…”. Froni është simboli i pushtetit zotërues të një mbreti. Në kohët e hershme, mbretërit qëndronin në fronin e tyre, për të gjykuar, për të zgjidhur konfliktet dhe për t’i dhënë drejtësinë popullit. Ishte e frikshme për një ligjshkelës, për një fajtor, të drejtohej para fronit mbretëror. Rrufetë e ndëshkimit dhe dënimit do të binin mbi të. Rrallë ndodhte të jepej falje nga ai fron. Të bëhej “fron hiri – faljeje” .

Nga ai që qëndron mbi “fronin e hirit”, nuk lëshohen rrufe kundër njerëzve mëkatarë. Përkundrazi. Ofrohet mëshirë dhe falje. Nuk është gjykatësi i vrazhdë dhe hakmarrës, por Shpëtimtari mëshirues dhe mirëdashës, i mbushur me dashuri dhe zemërgjerësi, i cili “nuk erdhi të thërresë të drejtët, por mëkatarët në pendim” (Luka 5:32). Nëse të mëdhenjtë dhe të fortët e njerëzve, i përdorin të vegjlit, jo rrallë herë, për llogari dhe veprimtari personale, Mbreti i botës, i Cili preferoi kryqin si fron, nuk na tradhton asnjëherë. Froni i Tij është me të vërtetë “fron hiri”. Është një burim i pashtershëm dhuratash hyjnore. Një lum i pafund hiri, faljeje dhe mëshire.

Pikërisht, atë që kërkon shpirti ynë. Sepse mëkati, ndotjet e tij dhe rëniet tona morale, e shndërrojnë shpesh herë në “tokë të shkretë, të pakaluar dhe pa ujë” (Ps. 63:1). Dhe ka etje, pra, shpirti në këtë gjendje, është i shqetësuar dhe dëshiron çlirimin. Ndërgjegjja na thërret t’i afrohemi Krishtit, që është Çlirimtari i vetëm. Pra, nëse, me ndjenja përgjegjësie dhe pendim, kthehemi tek Zoti dhe pohojmë mëkatet tona, atëherë do të ndiejmë pasojat hyjnore. Hiri i bollshëm dhe qetësia e paanë do të përmbysin shpirtin tonë.

Froni i Mbretit Krisht është gjithmonë “fron hiri”. Në këtë moment, sot, nesër, sa kohëzgjatja e jetës sonë, sa të ekzistojë kjo botë dhe deri në momentin e ardhjes së dytë, kur të vijë, atë radhë, si gjykatës, deri atëherë, froni i Krishtit do të jetë fron hiri. Do të japë hir dhe falje tek të gjithë ata që e kërkojnë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Si bindës të Krishtit, le ta përdorim privilegjin tonë të madh. Na e tregon Apostulli: “Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir, për ndihmë në kohë nevoje ”. Gjithmonë duhet të bëhet kjo. Dhe, veçanërisht në këtë periudhë të Dyzetëditëshit të Madh, që të drejton ditë pas dite tek Kryqi i Golgothasë, tek froni i hirit. Lutja, pjesëmarrja në adhurimin hyjnor, pendimi dhe rrëfimi, na ndihmojnë t’i afrohemi dhe të përikim tek froni i hirit. Le ta përdorim të gjithë ashtu siç duhet. Atëherë do të ndjejmë thellë, ç’do të thotë të jemi bindës të Mbretit Krisht.