E Diela II e Kreshmës, e Orthodhoksisë, nga Mitropoliti i Apollonisë & Fierit, H. Nikolla, 20.03.2022. (Tekst)
“Ne mund të shohim Perëndinë”
Tregohet të dashur besimtarë, në Shkrimin e Shenjtë, që në shtëpinë e mbretit David ndodh një ngjarje shumë e dhimbshme. Një nga djemtë e tij vret të vëllanë. Kuptohet, kështu i frikësuar pas vrasjes, se babai i tij do të merte masë për atë, ai u largua në një vend të largët.
Ngaqë ishte shumë i dashur për popullin e Izraelit shumë njerëz, oborrtarë, ndërhynë tek mbreti që ta kthente të birin e tij. Pas një këmbëngulje të gjatë, Davidi pranon që i biri i tij të kthehet nga mërgimi. Davidi i thotë se nuk donte të shikonte fytyrën e tij dhe ta mbanin larg. Kaloi një kohë dhe i biri i Davidit thoshte: “ Më sollët nga larg, nga mërgimi dhe nuk po shikoi fytyrën e atit tim? Nuk ka kuptim që më sollët nga larg dhe unë nuk mund të takoi dhe ta shoh atin tim. Dua të shoh atin tim.” Këmbënguli për një kohë të gjatë. Në fund Davidi pranon ta shohi dhe e takon birin e tij dhe e fal atë.
E njëjta gjë është dhe me ne të gjithë. Edhe neve jemi larguar nga shtëpia e atit. Jemi larguar nga familja e atit dhe gjithë qëllimi i jetës sonë, gjthçka që bëjmë në jetn tonë, gjithë besimi, gjithë lutja, gjithë kreshma, gjithë pendimi- rrëfimi, gjithçka që bëjmë është që të takojmë atin. Të shikojmë Perëndinë. Të jetojmë në shtëpinë e Atit. Ky është i gjithë qëllimi i jetës sonë. Të gjitha gjërat e tjera nuk kanë asnjë vlerë. Asnjë gjë nuk ka vlerë, nëse ne në fund fare nuk denjësohemi të shikojmë Perëndinë dhe të jetojmë me Perëndinë.
Sot të Dielën e II të Kreshmëve të Mëdha, kisha ka vendosur që të përkujtojë Shën Grigor Pallamain. Është një shenjtor që jetoi në fillimin e shekullit të XIV. Në një nga mësimet e tij më kryesore ai thoshte:
“ Ne kemi mundësinë që ta shohim Perëndinë, sepse njeriu është i krijuar, në ndryshim nga gjithë pjesa tjetër e krijesës, është i vetmi që është krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe me këtë potencial ai ka mundësinë dhe ka destinacionin të shohë Perëndinë. Kafshët kur ngordhin, ato zhduken, por një diçka e tillë nuk ndodh me njeriun. Njeriu vazhdon të jetojë deri në përjetësi me dëshirën e madhe dhe llahtarën që të shohë Perëndinë.
Sigurisht që ne nuk mund të shohim dot esencën e Perëndisë, nuk mund ta shohim dot në qenien e Tij të mirëfilltë, por ne komunikojmë me Perëndinë nëpërmjet energjive të pakrijuara të Perëndisë. Këto energji me të cilat ne komunikojmë dhe përjetojmë janë nga esenca e Perëndisë, nuk janë esenca, por janë nga esenca e Perëndisë dhe nëpërmejt tyre ne komunikojmë me Perëndinë. Çfarë është shenjtëria? Shenjtëria është komunikimi ynë me energjitë e pakrijuara të Perëndisë. ”
Ne njerëzit, ndonëse brenda nesh është mbjellë dëshira për përjetësinë, ne shpesh herë, mos të na duket e çuditëshme kur e themi, por jetojmë si kafshët. Ne mendojmë se kjo është jeta jonë, do jetojmë disa vite, do hamë, do ushqehemi, do vdesim dhe mbaroi. E njëjta gjë ndodh edhe me kafshët. Nuk ka ndryshim se kafshët jetojnë disa dhjetë vjeçarë më pak sesa ne, nuk bën asnjë ndryshim në krahasim me përjetësinë. Ne e ulim veten tonë në atë shkallë, në atë kategori si kafshë, kur Zoti na ka krijuar me një predispozitë, destinacion dhe me një dëshirë të madhe, të bëhemi të përjetëshëm, të bëhemi hyjnorë dhe të shijojmë gëzimin e përjetëshëm të Perëndisë.
Ne nga ana tjetër çfarë bëjmë? Bëjmë të gjithë përpjekjen tonë që të jemi të përjetëshëm. Kemi frikë kur sëmuremi, menjëherë shkojmë të vizitohemi. Bëjmë përpjekjet tona që jeta jonë të jetë sa më e gjatë. Bëjmë pasardhës me të njëjtin qëllim që të mos harrohemi. Përpiqemi që sa më gjatë, më e mirë dhe më e gëzueshme të jetë jeta jonë, por nuk bëjmë atë që është më të vërtetë dëshira më e madhe që të jetojmë me gëzimin, me llahtarën që të shohim Perëndinë.
Kisha me shumë urtësi në këtë periudhë kreshme i cakton të dielat e kësaj periudhe me shumë kuptim. E diela e mëparshme ishte e Diela e Orthodhoksisë, ku na mësoi kisha që nëpërmjet besimit ne arrijmë, përmbushim, mund të udhëtojmë drejt destinacionit tonë. Sot në këtë të Dielë të Shën Grigor Pallamait, na thotë që gjithë përpjekja jonë në besim, gjithçka që bëjmë në besim, mund të realizohet. Nuk është një ide, por është një realitet që mundemi ta jetojmë. Shën Grigori na thoshte diçka teorike që kishte lexuar në disa libra, por ai e kishte përjetuar vetë Perëndinë. E kishte shijuar vetë shenjtërinë sepse i kushtoi të gjithë jetën e tij në mënyrë asketike, e përjetoi këtë dhe më pas na e mëson ne të gjithëve.
Ky është shembulli jo vetëm i Shën Grigorit por edhe i të gjithë shenjtorëve të tjerë. Nuk ka rëndësi jemi të vegjel, jemi të rritur, nuk ka rëndësi që jemi të ditur ose të paditur, nuk ka rëndësi që jemi të pasur apo të varfër, jemi intelektual apo jo, kushdo nga ne ka në zemrën e tij potencialin , mundësinë dhe destinacionin që të shohë Perëndinë.
Le të përpiqemi të dashur besimtarë në udhëtimin tonë që të arrijmë në destinacionin tonë, të shijojmë komunikimin tonë dhe të shijojmë gëzimin që do të prehet në zemrën tonë duke parë Perëndinë e gjallë. Amin!