Doli në qarkullim libri liturgjik “Psaltiri”.
Ky botim është bazuar në përkthimin fillestar të Konstandin Kristoforidhit, “Psaltiri”, i vitit 1868, botuar në Konstandinopojë; në psalmet që përdoren në shërbesat e ndryshme të Kishës, dhe është përshtatur sipas versionit të psalmeve të të Shtatëdhjetëve (Septuaginta) në greqisht.
Puna për këtë botim nisi me bekimin dhe përkujdesjen e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Libri i Psaltirit ose “Psaltiri i Profetit dhe Mbretit David” përmban 150 psalme, të ndara në 20 kathizma (ndenjësore). Grumbullimi në 20 njësi të tilla është bërë në mënyrë të tillë që ato të kishin afërsisht të njëjtën gjatësi, prandaj përmbajnë numër të ndryshëm psalmesh.
Profeti David i hartoi psalmet i frymëzuar prej Shpirtit të Shenjtë, prandaj vargjet ngërthejnë kuptime të thella. Psalmet, sipas shën Vasilit të Madh janë “thesari publik i mësimit shpirtëror”, “një spital i përbashkët që përmban shërimin nga çdo pasion”.
Psalmet janë të pranishme çdo ditë në çdo shërbesë të Natë-Ditës (Mbrëmësore, Mëngjesore, Orë, Pasdarka, Mesnata etj.), në Liturgjinë Hyjnore dhe në Misteret e tjera. E gjithë himnologjia e Kishës sonë mbështetet mbi psalmet.
Psalmet dhe Dhiata e Re të përkthyera nga Kristoforidhi mbizotëruan në jetën e orthodhoksëve të Shqipërisë për një kohë të gjatë dhe gjenden në të gjitha botimet e mëvonshme zyrtare të Shërbesave kishtare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.