Hierodëshmor Vasili i Angirës.
Shën Vasili ishte prift në Kishën e Angirës në Galati, kur ishte episkop Markeli, i cili e kundërshtonte aq shumë arianizmin, saqë ra në një herezi tjetër, duke i bërë Tre Personat Hyjnorë si tri aspekte ose modalitete të Hyjnisë. Megjithatë, Vasili nuk i shpërndante këto mendime dhe mësonte me zell besimin e vërtetë, duke drejtuar shumë shpirtra në udhën e ngushtë që të çon te Perëndia. Kur e kapën dhe e çuan përpara perandorit Konstanc, e pohoi Orthodhoksinë me kaq vendosmëri, sa ai urdhëroi ta linin të lirë.
Kur Julian Apostati (360), mori pushtetin dhe filloi kthimin e perandorisë në paganizëm, pohuesi i guximshëm shpallte haptazi kotësinë e perëndive të rremë. Kur e akuzuan se kishte fyer perandorin, u përgjigj se ai i bindej vetëm Mbretit të qiellit dhe të dheut. Prokonsulli Saturnin urdhëroi që ta lidhnin shenjtorin në një rrotë; teksa e torturonin, ai i lutej Perëndisë: “O Zot, Perëndi i përjetshëm, të falënderoj që më bëre të denjë për të ecur në rrugën e vuajtjes, nëpërmjet së cilës besoj se do të arrij në jetën e përjetshme dhe do të gjendem në shoqërinë e atyre që u bënë trashëgimtarë të premtimit Tënd”.
Kur perandori ndaloi në Angira (sot Ankara), gjatë ekspeditës kundër persëve (362), Vasilin e çuan para tij. Pasi pohoi se ishte i krishterë, shenjtori profetizoi se Perëndia, altarët e të Cilit kishte përmbysur, do ta përmbyste atë nga froni dhe se trupi i tij do të mbetej pa varr e do të shkelej me këmbë. I fyer, Juliani urdhëroi që shenjtorit t’i pritej çdo ditë një copë nga trupi. Pasi e duroi me trimëri për disa ditë këtë torturë, Vasili kërkoi që të takonte perandorin. Juliani, i bindur se Vasili do të mohonte Zotin, shkoi në tempullin e Asklepionit dhe urdhëroi të bëhej gati therorja. Por, kur doli para tij, Vasili hoqi nga trupi një copë mishi që sapo ia kishin prerë dhe ia hodhi Julianit në fytyrë, duke i thënë: “Merre, haje këtë copë, meqë të pëlqen mishi. Dije se për mua vdekja është fitore; jam gati të vuaj për Zotin tim Jisu Krisht. Ai është streha ime, mbështetja dhe jeta ime!” I tërbuar, perandori urdhëroi që t’ia prisnin mishin derisa t’i dilnin të përbrendshmet. Mes këtyre torturave, shenjtori lutej që Perëndia t’i forconte besimin, që të fitonte kështu kurorën e lavdisë.
Atë natë e vizitoi në burg Krishti dhe mëngjesin tjetër, kur qeveritari Frumentin urdhëroi ushtarët t’ia sillnin para, me shpresën se do ta detyronte t’i përulej perandorit, i cili po bëhej gati të nisej për në Antioki, mbeti gojëhapur kur pa se në trupin e Vasilit nuk kishte asnjë plagë. Duke iu trembur më tepër tiranit sesa zemërimit të Perëndisë, qeveritari urdhëroi që t’i shponin trupin me hekur të nxehtë. Në mes të tymit dhe erës që dilte nga djegia e trupit, shën Vasili tha këto fjalë: “Jisu, drita ime; Jisu, shpresa ime, të falënderoj, o Perëndi i Etërve tanë, që e nxore shpirtin tim nga ky qëndrim i vdekshëm. Mos më lër që ta përdhos emrin e shenjtë që mbaj: është Yti, o Zot, ruaje tek unë të pastër dhe pa njollë. Merre shpirtin e shërbëtorit tënd; ai po vdes duke pohuar se Ti je Perëndi i vetëm dhe i vërtetë”, dhe dha shpirt.
* * * * *
Dëshmore Dhrosidha.
Në kohën e persekutimit në Antioki virgjëreshën Dhrosidha e dorëzuan te perandori pagan dhe ajo u tregua e fortë dhe e vendosur më tepër se luftëtarët trima. Meqë u kishte rezistuar gjithë tentativave për ta detyruar të mohonte Krishtin, e hodhën në furrë të ndezur, si dikur Tre Djemtë e shenjtë në Babiloni, por ajo e konsideronte zjarrin si vesë të freskët dhe turrën e druve si shkritore floriri, ku trupi i saj i vdekshëm do të shndërrohej në lëndë hyjnore, i paprishshëm më tepër se ari i pastër.
Pasi mishi i saj u përpi dhe u tret nga flakët, shpirti i saj i pastruar shtatë herë, zbuloi të mirat e premtuara për të zgjedhurit, dhe ndriste me shkëlqimin e dritës hyjnore, e cila i mbushi me frikë instrumentet e të ligut. Ajo hyri në flakë si në një banjë, e la mishin sikur të zhvishte rrobat për t’u larë dhe turrën e druve e ktheu në nusërore, në të cilën u bashkua me Krishtin, Dhëndrin e saj qiellor, në një dasmë të kulluar. Që nga ai çast, mbretëron me Të në Oborrin qiellor, duke u lënë besimtarëve si ngushëllim hirin e trupit të saj.
* * * *
Shën Oktaviani në Kartagjenë.
Oktaviani (emri i tij do të thotë “i teti” dhe i vihej zakonisht fëmijës së tetë të një familjeje) ishte Kryedhjakon në Kishën e Kartagjenës, një qytet mjaft i rëndësishëm romak që ndodhej në Afrikën veriore.
Shenjtori besonte në doktrinën e saktë të krishterë, se Krishti është një Person në dy natyra, tërësisht njerëzor dhe tërësisht hyjnor, doctrine e cila në atë kohë kundërshtohej nga ithtarët e Ariosit. Mësimi i Ariosit korruptoi edhe zemrën e mbretit Hunerik, sunduesit të Kartagjenës, saqë e nxiti atë të shpallte persekutim të egër ndaj atyre që nuk e besonin herezinë e Ariosit.
Një ndër viktimat e këtij persekutimi ishte edhe shën Oktaviani, bashkë me shumë të krishterë të tjerë të grigjës së tij. Shenjtori preferoi të jepte veten si flijim të gjallë, sesa të largohej nga burimi i Jetës dhe i së Vërtetës.