E Diela II e kreshmëve, shën Grigor Pallamai, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 20.03.2022 (Tekst)
Besojmë realisht ?
“Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë” (v. 1)
Domosdoshmërinë e lutjes paraqet, në pjesën e sotme të apostullit, shën Pavli. Sigurisht, në hapësirën e jetës sonë të krishterë dhe, më konkretisht, në qëndrimin tonë përkundrejt fjalës së Perëndisë; predikimit të Krishtit dhe Apostujve të Tij.
Një nga dogmat më themelore të besimit tonë, qëndron në faktin se Perëndia ynë është krijues i gjithësisë, së dukshme dhe të padukshme. Por, edhe rikrijues dhe shpëtimtar i njerëzimit. Këto të vërteta shpall, Pavli i hirshëm, në letrën e tij drejtuar Hebrenjve, të cilat i dëgjuam sot.
* * *
Perëndia i përjetshëm dhe i pandryshueshëm, nga dashuria, dërgoi tek njerëzit Birin e Tij, të vetëmlindur, i Cili zbuloi madhështinë hyjnore dhe hapi rrugën e shpëtimit dhe përsosmërisë morale të njeriut. Mundet, që kjo rrugë të jetë e ngushtë dhe e mbushur me pikëllime, por të drejton në jetën e përjetshme, që fillon nga toka dhe vazhdon në qiell. Ungjilli i Krishtit na jep plotësinë e jetës. Kështu, Jisu Krishti u bë ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, dhe me vdekjen e Tij në kryq, dhuroi çlirimin, dhe njeriu u bë bir i dashur i Perëndisë.
* * *
Ne, a kujdesemi më tepër për ato që tha Zoti? A besojmë se Jisu Krishti është autoriteti i pakrahasueshëm në jetë tonë? A i kushtojmë rëndësi porosisë së Tij, shembullit të Tij, “më tepër” se çdo gjëje tjetër? Dhe, që të mos mbetemi në përgjithësime, le të kemi parasysh, për një moment, jetën tonë të përditshme familjare dhe profesionale. Kujdesemi për gjëra të ndryshme, për njerëz të ndryshëm. Studiojmë, ndoshta, filozofinë, historinë. Por, kujdesemi, vallë, “më tepër”, për urtësinë e Perëndisë, në rrugët dhe mënyrat, që ajo tregon? A e pranojmë me të vërtetë rrugën e thjeshtësisë, rrugën e zemërgjerësisë, rrugën e sakrificës, të cilën, Zoti na e tregon, që nga Betlehemi deri në Golgotha? I hapim gjithë interes veshët, për të dëgjuar ç’gjë të re këshillon shkenca, si shkon pushtimi i hapësirës. Dhe, mirë bëjmë… Por, a e intensifikojmë “më tepër” vëmendjen tonë, për të parë, pikërisht, çfarë na këshillon Zoti, “punë e duarve -të të cilit- janë qiejt”? Çfarë na thotë për jetën tonë, Ai që na solli në ekzistencë, që njeh ligjet e fshehta si asnjë tjetër? Që na deshi si asnjë tjetër? Fatkeqësisht, shumë herë nuk e bëjmë.
* * *
Ndërtesa e krishterimit mbështetet mbi besimin, mbi hyjninë e Krishtit, “mbi të cilin rri trupërisht gjithë plotësia e hyjnisë” (Kolos. 2:9). Devijimi nga ky besim dogmatik, e rrëzon plotësisht shpresën e shpëtimit. Krishti, siç e theksoi Sinodi i parë Ekumenik, nuk është një njeri që u hyjnizua, por Perëndi që u trupëzua, për të hyjnizuar njeriun dhe për ta risjellë në jetën dhe lavdinë para rënies, ashtu siç doli nga duart e Krijuesit. Dhe jeta e shenjtë dhe martirizimet në grup të të krishterëve, pas torturave të tmerrshme, i detyrohen pikërisht besimit, që Jisu Krishti është, nga natyra, Bir i Perëndisë dhe Perëndi që zbuloi vullnetin e Trinisë së Shenjtë, nëpërmjet Atij që lindi si njeri, për të mësuar me gjuhë njerëzore, të vërtetat më të larta rreth shpëtimit të të rënëve në mëkat. Dhe, ashtu siç tha apostull Pjetri ndaj prijësve të Izraelit: “Nuk ka shpëtim me anë të asnjë tjetri; sepse asnjë tjetër emër nën qiell s’është dhënë në mes njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtojmë” (Vep. 4:12).
Sa të drejtë ka Apostulli i shenjtë! Në botën ku jetojmë ekzistojnë shumë ngasje. Rryma të shumëllojshme ligësie, të dukshme apo të padukshme, rrezikojnë të na mashtrojnë dhe të na devijojnë nga rruga e detyrës dhe virtytit; dhe jo rrallë herë, edhe nga rruga e besës së drejtë. Ngjajmë, pra, me anijen, që udhëton dhe e godasin erërat, dallgët e dukshme dhe rrymat e padukshme të deteve, duke rrezikuar seriozisht, për ta larguar nga linja e drejtë. Por, cila është detyra e vazhdueshme e kapitenit, e veçanërisht në kohën e stuhisë dhe furtunës? Vigjilent dhe mendjekthjellët, me vëmendje të përqendruar, duhet të përdorë busullën dhe hartat detare, për të kontrolluar dhe verifikuar vendndodhjen e anijes në det dhe linjën që po ndjek. Mjerë nëse kapitenin e merr gjumi! Mjerë nëse tregohet indiferent! Ekziston rreziku vdekjeprurës, që ta përplasë anijen në shkëmbinj nënujor dhe të mbysë ekuipazhin, apo të rrëmbehet e të gjendet në situata armiqësore.
Kësaj përpjekjeje, që duhet të bëjë kapiteni i anijes, i përgjigjet porosia e hyjfrymëzuar: “t’ua vëmë më tepër veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë”. Se mos rrëmbeheni nga fjalët e zbrazëta të njerëzve të këqij dhe “tërhiqeni nga mashtrimi i të paligjve” (II Pjetri 3:17). Domethënë, mos vallë largohemi nga besimi dhe doktrina orthodhokse, nga shprestaria e trashëguar prej etërve.
Prandaj dhe nxitjet dhe porositë e Apostulli të shenjtë, u drejtohen të shpeshta dhe të theksuara të krishterëve. Ja, shën Pavli: “Që t’ju shkruaj dhe rishkruaj të njëjtat gjëra, ato që ua kam thënë edhe gojarisht, për mua nuk përbën shqetësim dhe mundim, po për ju janë të dobishme dhe siguri. Njerëzit i harrojnë lehtë dhe mësimdhëniet më të shenjta dhe shembujt më mbresëlënës. Pra, është e nevojshme të përsërisim edhe një herë, dhe shumë herë të tjera, të njëjtat gjëra, në mënyrë që me përsëritjen t’i risjellim në mendjen tonë dhe t’i vendosim në zbatim të vazhdueshëm.”
Ja dhe apostull Pjetri: “E di shumë mirë -u shkruan të gjithë të krishterëve- se këto që do t’ju shkruaj dhe ju kam thënë, i njihni, dhe jeni të qëndrueshëm në të vërtetën e krishterë. Por nuk do të resht, derisa të jetoj, t’jua kujtoj dhe t’ju zgjoj vëmendjen dhe gatishmërinë” (II Pjetri 1:12-13).
Por, përse? Sepse Apostulli i lumur e dinte sa lehtë harron njeriu edhe detyrat më thelbësore dhe të rëndësishme.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin. Nevojitet vigjilencë. Të çmojmë vlerën e shpëtimit tonë dhe të përpiqemi me gjithë fuqitë tona për sigurimin e tij. Dhe, luftërat janë të bukura. Nuk na sigurojnë vetëm të mirat e qiellit, jetën dhe lumturinë e përjetshme. Na bëjnë edhe tani të lumur. I japin kuptim dhe përmbajtje jetës sonë të përkohshme. Nuk e kufizojnë në kalimin e saj të shkurtër në tokë. E shtrijnë në përjetësi. Dhe, me këtë mënyrë, dëbojnë shqetësimin dhe pasigurinë, ofrojnë dhe vendosin paqen e Perëndisë.