Oshënar Kirili i Jerusalemit.

 

Ati ynë i shenjtë Kiril ka gjasa të ketë lindur në Jerusalem, rreth vitit 315, nga prindër të devotshëm orthodhoksë. U hirotonis prift nga kryepiskopi shën Maksim, i cili e ngarkoi me detyrën e përgatitjes së katikumenëve.

Njeri i qetë, i përulur, i butë, më tepër i dhënë pas ndërtimit shpirtëror të besimtarëve sesa pas debateve të panumërta doktrinore që po e përçanin Kishën pas Sinodit të Nikeas, ai e shmangte përdorimin e fjalës “i bashkëqenshëm” (homousios), por kishte plotësisht besimin orthodhoks.

Kjo rezervë krijoi tek arianët besimin se ai ishte në anën e tyre dhe, kur pas vdekjes së Maksimit (347), u zgjodh nga populli për ta pasuar atë, Arkadi, mitropoliti arian i Qesarisë së Palestinës, nga i cili varej atëherë Jerusalemi, e pranoi zgjedhjen dhe e hirotonisi episkop. Por menjëherë njohu me hidhërim “gabimin” e tij, pasi episkopi i ri mësonte qartë doktrinën orthodhokse për hyjninë e Birit dhe Fjalës së Perëndisë, duke u shpjeguar Simbolin e Besimit katikumenëve në Katekizmat e tij. Kështu, si një bari i mirë, e qeverisi me urtësi Qytetin e Shenjtë, i cili, falë ndërtimeve të ndërmarra nga shën Konstandini i Madh, rigjeti një lavdi të re dhe tërhiqte shumë pelegrinë të ardhur nga të gjitha skajet e botës së krishterë.

Në vitin 351, si të gjithë banorët e tjerë, edhe ai ishte dëshmitar i shfaqjes së mrekullueshme të një Kryqi të madh e të ndritshëm në qiell, nga Golgothaja deri në Malin e Ullinjve. Kirili i shkroi perandorit Konstanc për ta informuar. Kontribuoi në organizimin e festave dhe të litanive në Vendet e Shenjta, të cilat u bënë baza e shumë të kremteve të Kishës.

Pas disa vjetësh, i paraqiti mitropolitit të Qesarisë një kërkesë, në të cilën kërkonte njohjen e privilegjeve apostolike të Jerusalemit, që Etërit e Sinodit të Nikeas ia kishin njohur, por pa i përcaktuar me saktësi. Kjo kërkesë ngjalli urrejtjen e Akakit, i cili, me pretekstin se në kohë urie Kirili kishte shitur enët e shenjta dhe stolitë liturgjike të bazilikës së Ngjalljes për të ushqyer të varfrit, e thirri në një gjyq kishtar, me qëllim që ta dënonte. Meqë Kirili nuk iu paraqit as pas thirrjeve të përsëritura, e shkarkoi dhe e dëboi me forcë nga Jerusalemi, duke e zëvendësuar me një arian.

Shën Kirili bëri apel, duke kërkuar që kjo çështje t’i nënshtrohej një autoriteti më të lartë kishtar dhe gjatë pritjes u strehua në Tars të Kilikisë, pranë episkopit Silvan. Me gjithë kërcënimet e Akakit, ky e priti si vëlla dhe i kërkoi të predikonte në popull, i cili e dëgjonte me entuziazëm, si një apostull tjetër.

Sinodi që u mblodh në Seleuci, në vitin 359, i dha të drejtë Kirilit dhe shkarkoi Akakin. Por vendimi nuk pati kohë të ekzekutohej, pasi mitropoliti i Qesarisë, duke shpejtuar për në Konstandinopojë, i bëri presion perandorit Konstanc që ta anulonte vendimin e sinodit. Me një mbledhje të mbyllur të episkopëve arianë perandori konfirmoi shkarkimin e Kirilit (360).

Më pas, kur mori pushtetin Julian Apostati, shën Kirili, duke përfituar nga masat për tolerancë fetare që mori perandori, me qëllimin që të rivendoste paganizmin, u kthye në fronin e tij bashkë me episkopët e tjerë që ishin internuar në kohën e Konstancit. Por atje u përball me sprova të tjera. Të nxitur nga perandori, paganët e Gazës u ngritën kundër të krishterëve, duke shkaktuar shumë viktima. Ata shkatërruan manastirin e shën Ilarionit (21 tetor) dhe murgjit u shpërndanë.

Apostati, duke dashur të tregonte se ishin të gabuara profecitë e Krishtit për shkatërrimin përfundimtar të Tempullit të Jerusalemit (Matth. 24:2), që u shkatërrua nga romakët nën sundimin e Titit, u lejoi judenjve ta rindërtonin. Por, sipas atyre që kishte parathënë shën Kirili, punimet u ndërprenë menjëherë nga një tërmet i frikshëm, i cili i ktheu përmbys edhe themelet e tempullit të vjetër, mori jetën e shumë punëtorëve dhe disa i gjymtoi, duke treguar kështu zemërimin hyjnor me shenja të dukshme.

Pas vdekjes së Julianit, gjendja u qetësua dhe Kirili rinisi veprën e tij baritore. Pas vdekjes së Akakit, zgjodhi të nipin si mitropolit të Qesarisë. Me intrigat e tyre arianët e bindën perandorin Valens (364-378), ta shkarkonte episkopin e shenjtë të Jerusalemit dhe ta dënonte me një tjetër internim, siç u bë me episkopët e tjerë që u dëbuan nën sundimin e Konstancit (367).

Kur vdiq Valensi, shën Kirili u kthye përsëri në dioqezën e vet, pas 12 vitesh mungese dhe u hidhërua së tepërmi kur mori vesh se disa orthodhoksë, të ndikuar nga shpifjet e arianëve, nuk donin ta njihnin si episkopin e tyre të ligjshëm dhe të kishin komunikim me të. Për këtë arsye, Sinodi i Antiokisë (379) dërgoi shën Grigorin e Nisës (10 janar), që të vendoste paqen në dioqezën e Jerusalemit. Ky dështoi në këto përpjekje dhe u tërhoq i dekurajuar e plot trishtim, duke e lënë shën Kirilin të përballej i vetëm, me besim e shpresë, me ndasitë në Shtëpinë e Perëndisë.

Shenjtori mori pjesë në Sinodin e Dytë Ekumenik (381), që u mblodh nga perandori Theodhos dhe kontribuoi në dënimin përfundimtar të arianizmit dhe të varianteve të ndryshme brenda tij. Sinodi i njohu solemnisht betejat e episkopit të Jerusalemit për Orthodhoksisë. Kur u kthye në qytet, shën Kirili mundi për pak kohë të shijonte paqen pas shumë mundimesh dhe fjeti në vitin 386, pas 35 vjetësh si episkop, nga të cilat 16 i kaloi në mërgim.

 

* * * * *

Dëshmor Eduardi në Angli.

 

Eduardi ishte djali i madh i mbretit Edgar të Anglisë dhe gruas së tij të parë, Ethelfledës, e cila ndërroi jetë vetëm pak pas lindjes së të birit.

Pavarësisht statusit të tij të lartë, Eduardi dallohej për qashtërsinë dhe devotshmërinë e tij. Pas vdekjes së të atit, u vendos në fronin e Anglisë, kundër dëshirës së njerkës së tij, mbretëreshës Elfrida, e cila donte që të vihej në fron i biri, Ethelredi. Smira e helmoi aq shumë zemrën e mbretëreshës, saqë urdhëroi ta vrisnin Eduardin vetëm tre vjet pas fronëzimit të tij.

Lipsanet e shenjtorit u zbuluan nga banorët e zonës pasi një dritë e fortë hyjnore ndriçoi mbi vendin ku ai ishte varrosur. Sot, lipsanet e tij ruhen në një manastir rus pranë Londrës.

E përpirë nga pendimi, Elfrida u tërhoq nga bota dhe ndërtoi një manastir, ku edhe ndërroi jetë.