Nga Libri i Profetit Isaia 6:1-12.
Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte.
Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”. Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym. Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”.
Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari. Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet”. Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!”
Atëherë ai tha: “Shko dhe i thuaj këtij populli: Dëgjoni, pra, por pa kuptuar, shikoni, pra, por pa dalluar. Bëje të pandieshme zemrën e këtij populli, ngurtëso veshët e tij dhe mbyll sytë e tij që të mos shikojë me sytë e tij, të mos dëgjojë me veshët e tij dhe të mos kuptojë me zemrën e tij, dhe kështu do të kthehet dhe të jet shëruar”.
Unë thashë: “Deri kur, o Zot?”. Ai u përgjigj: “Deri sa qytetet të shkatërrohen dhe të jenë pa banorë, shtëpitë të mos kenë njeri dhe vendi të jetë i shkretuar dhe i pikëlluar, dhe deri sa Zoti të ketë larguar njerëzinë dhe të jetë një braktisje e madhe në mes të vendit.
Nga Libri i Gjenezës 5:1-24.
Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë. Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan.
Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth. Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija. Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq. Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi. Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq.
Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani. Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq. Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli. Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq.
Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi. Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq. Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku. Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë. Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq.
Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu. Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë. Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete.
Nga Libri i Fjalëve të Urta 6:3-20.
Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt. Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua; çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.
Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes. Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt? Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur; luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta; ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje. Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.
Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të: sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.
Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.
Apostulli- Hebrenjve 12:1-10.
Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh, duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, edhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.
Sepse kujtoni atë që duroi prej mëkatarëve një kundërshtim të tillë mbi veten e tij, që të mos lodheni duke u ligështuar në shpirtrat tuaj. Ju ende s’keni rezistuar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit. Edhe keni harruar këshillën, që posi bijve u flet juve: “Biri im, mos e shpërfill ndëshkimin e Zotit; mos e humb zemrën, kur qortohesh prej atij.
Sepse atë që do Zoti e ndëshkon, edhe rreh çdo bir që pret pranë vetes”. Në durofshi ndëshkimin, Perëndia sillet me ju si me bij; sepse cili është ai bir që s’e ndëshkon i ati? Po të jeni pa ndëshkim, në të cilin u bënë pjesëtarë të gjithë, atëherë jeni fëmijë të paligjshëm dhe jo bij.
Për më tepër ne kemi patur etërit tanë sipas mishit që na ndëshkonin edhe ne i nderonim ata; a nuk do t’i ulim kryet shumë më tepër Atit të shpirtrave, edhe të rrojmë? Sepse ata na ndëshkonin për pak ditë, siç e mendonin ata; ndërsa ai për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij.
Ungjilli – Mattheu 20:1-16.
Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që menatë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij. Edhe si u mor vesh me punëtorët për një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij.
Edhe si doli rreth orës së tretë, pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë. U thotë edhe atyre: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. Edhe ata shkuan. Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, edhe bëri po ashtu. Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë.
Edhe u thotë: Pse keni ndenjur këtu tërë ditën pa punë?
I thonë: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do të merrni ç’të jetë e udhës. Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, edhe jepu pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët. Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, edhe morën nga një dinar.
Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar. Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë se: Këta të fundit bënë një orë, edhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.
Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk po të bëj padrejtësi.
A nuk bëre fjalë me mua për një dinar? Merr tëndin dhe ik. Edhe këtij të fundit dua t’i jap njëlloj si edhe ty.
Apo nuk më lejohet të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë?
Kështu do të jenë të fundit të parë, edhe të parët të fundit. Sepse shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur.