Oshënar Sofroni i Jerusalemit.
Ati ynë i shenjtë Sofroni lindi në Damask, në atdheun e himnografëve, rreth vitit 550. I pajisur me aftësi të rralla intelektuale dhe me talent poetik, kreu studimet dhe mori titullin “Sofist”. Por, i pakënaqur nga shkencat dhe me dëshirë të zjarrtë për përsosmëri, ndërmori një pelegrinazh në Palestinë, që të nderonte Vendet e Shenjta dhe të fliste me asketë që jetonin nëpër manastire dhe në shkretëtirë. Arriti në manastirin e themeluar nga shën Theodhosi (11 janar) dhe atje gjeti njeriun sipas zemrës së tij, Joan Moskon. Bashkatdhetar i Sofronit dhe pak më i madh, ai ishte bërë murg atje dhe nga ashpërsia e jetës kishte arritur, përveç dijes filozofike dhe shkencave “të jashtme”, një mençuri të madhe shpirtërore.
Për Sofronin, i cili ishte laik, ai u bë jo vetëm vëlla e shok, por edhe mësues e atë shpirtëror. Të bashkuar me këtë dashuri të shenjtë, të dy shërbëtorët e Perëndisë vendosën të shkonin në Aleksandri, pranë dijetarëve që gjendeshin atje, që të merrnin një dije filozofike më të plotë (578), por veçanërisht për të takuar asketët e shenjtë, “filozofët e Shpirtit të Shenjtë”.
Një ditë, kur vizituan njërin prej tyre, jerondi i lumur u tha: “Largohuni nga bota, bijtë e mi, sepse po afron koha! Mbylluni në një qeli, ku të doni, jetoni me vetëpërmbajtje dhe me qetësinë e mendjes dhe të shpirtit, duke u lutur pa pushim. Shpresoj që Perëndia do t’jua ndriçojë mendjen…”.
Këto fjalë ishin vendimtare që Sofroni të braktiste përfundimisht kërkimin e kotë për dituri njerëzore dhe të dy miqtë vendosën që atëherë të jetonin si të huaj dhe pelegrinë në kërkim të Jerusalemit të Sipërm, duke grumbulluar kudo që shkonin mësimet dhe traditat e Etërve të shenjtë.
Kur u kthyen në Palestinë, Sofroni u qeth murg në manastirin e shën Theodhosit, dhe u nisën që të dy për në Malin Sina, i cili shkëlqente nga yjet e mëdha të shkencës asketike, si shën Joani i Shkallës (30 mars). Pas dhjetë vjetësh, u nisën për një jetë eremite në shkretëtirat e Egjiptit dhe të Palestinës, për të korrur lulet e kësaj Lëndine Shpirtërore. Nën kërcënimin e invazionit pers (rreth 603), kaluan në Feniki, vizituan Antiokinë dhe shkretëtirat murgërore të Sirisë, Tarsit (Kilikisë) dhe Seleucisë, pastaj u kthyen në Egjipt dhe qëndruan për shumë vjet në Aleksandri, që të ndihmonin me oratorinë dhe dijen teologjike që zotëronin patriarkun e shenjtë Evlogj (13 shkurt) dhe pasuesin e tij, shën Joan Përdëllimtarin (12 nëntor), në luftën kundër monofizitëve. Arritën të shtonin numrin e kishave që u përkisnin orthodhoksëve në Aleksandri dhe shumë fshatra e manastire i kthyen në gjirin e Kishës.
Përgjatë këtyre udhëtimeve misionare mblodhën edhe shumë tregime të tjera me dobi shpirtërore, të cilat na japin një ikonë të gjallë të jetës fetare në atë epokë. Sofroni u sëmur nga sytë, por u shërua me një mrekulli me ndërmjetimin e Anargjendëve të shenjtë Kir dhe Joan (31 janar). Në shenjë mirënjohjeje, ai hartoi shumë përmbledhje të mrekullive të tyre, në të cilat tregoi se vetëm në Kishë mund të gjejmë Hirin Hyjnor. Në njërën nga vizitat të tyre, ata takuan një jerond, i cili u tha: “Asgjë tjetër brenda Kishës nuk ka shkaktuar skizmat dhe herezitë, përveç faktit që ne nuk e duam plotësisht Perëndinë dhe të afërmin tonë”.
Në vitin 614, mësuan se Jerusalemi kishte rënë në duart e persëve, që e kishin plaçkitur dhe kishin kryer masakra të përgjakshme dhe se patriarku Zaharia u mor rob bashkë me Kryqin e Nderuar. U duk se erdhën kohët e fundit dhe porosia për t’u larguar nga kjo botë, të cilën e kishin marrë në fillim të jetës së tyre murgërore, po bëhej gjithnjë e më e ngutshme, sepse invazioni pers po kërcënonte tani Egjiptin. Shën Joan Përdëllimtari u strehua në Qipro, në vendlindjen e tij, ku dhe vdiq më 620, ndërsa të dy murgjit filozofë shkuan në Romë dhe rrugës u ndalën në Samos dhe në Qipro, për të takuar njerëzit e Perëndisë. Gjatë qëndrimit në Romë, Joani ndjeu se po i afrohej fundi dhe me ndihmën e Sofronit nisi të rendiste rrëfimin e bisedave shpirtërore që kishte grumbulluar gjatë atyre viteve.
Pastaj u largua nga zhurma e kësaj bote, që të jetonte në qetësinë e përjetshme (619), duke e porositur vëllanë dhe birin e tij shpirtëror t’ia çonte trupin në manastirin e Sinait. Duke imituar Josifin që mori trupin e patriarkut Jakov nga Egjipti në tokën e etërve të tyre (Gjen. 50), Sofroni u nis me dymbëdhjetë dishepuj të tjerë. Por kur mësoi se ishte e pamundur të shkonte në Sina, për shkak të sulmeve të papritura arabe, shkuan ta varrosnin trupin në manastirin e Shën Theodhosit, ku Sofroni qëndroi për të përfunduar veprën Lëndina Shpirtërore dhe vepra të tjera, si Jetët e shën Joan Përdëllimtarit dhe të shën Marisë së Egjiptit (1 prill).
Rreth vitit 627, Sofroni u largua sërish, këtë herë nga kërcënimi i pushtimit arab dhe u strehua me murgj të tjerë në Afrikën e Veriut. Atje i takoi shën Maksim Konfesori (21 janar), i cili kishte ikur nga manastiri i tij, në Krisopol, për shkak të invazionit pers që po i afrohej Konstandinopojës dhe u bashkua me ta në manastirin e improvizuar që ngritën. Ai lidhi miqësi shpirtërore me Sofronin, të cilin e quan: “Imzot i bekuar, ati dhe mësuesi im…”. Falë mësimdhënieve të tij, shën Maksimi, mësuesi i madh i theologjisë së Personit të Krishtit, i cili deri atëherë kishte ushtruar thellësinë e mendjes së tij për të hedhur poshtë doktrinat e Origjenit, kuptoi se i gjithë misteri i hyjnizimit të njeriut dhe realiteti i shpëtimit tonë qëndrojnë në lidhjen e të dyja natyrave, hyjnore dhe njerëzore, në Personin unik të Fjalës së mishëruar dhe farkëtoi armët e nevojshme në luftën kundër një forme të re të herezisë monofizite: Monotelizmit, shpikur nga perandori Irakli dhe patriarku i Konstandinopojës, Sergji, me shpresën e bashkimit të Egjiptit të përçarë.
Në vitin 633, Sofroni, megjithëse ishte i moshuar, u kthye në Egjipt, që të luftonte aty për besimin e vërtetë. Duke mos pranuar asnjë kompromis të bërë me pretekstin për të arritur një bashkim politik të perandorisë së kërcënuar nga të gjitha anët nga persët dhe arabët, mësonte se duhet të pohoheshin të dyja energjitë e natyrshme të Krishtit, dhe jo vetëm një, përderisa ai është në të njëjtën kohë dhe Perëndi, dhe njeri. Por, meqë patriarku Kir ishte zhytur në herezi, Sofroni u kthye në Konstandinopojë për të rënë në këmbët e Sergjit, e t’i përgjërohej që të kthehej në dogmën që rrëfeu Sinodi i Shenjtë i Kalqedonisë, pasi formula dogmatike e kompromisit, që ai kishte sugjeruar, por pa arritur bashkimin e shpresuar, i bënte heretikët të thoshin: “Nuk jemi ne në kungim me Kalqedoninë, por Kalqedonia vjen te ne!”. Sergji u shtir sikur do të rregullonte situatën dhe ndaloi të flitej si për njërën, ashtu edhe për të dyja energjitë te Krishti; por problemi u rikthye vite më vonë, në kohën e rrëfimit të shën Maksimit.
Pas përfundimit të këtij misioni, Sofroni u rikthye në Jerusalem, i cili, ishte ringritur falë përpjekjeve të shën Modestit (16 dhjetor) dhe tashmë ishte në zi për fjetjen e patriarkut të tij. Banorët, kleri dhe murgjit e detyruan unanimisht ta pranonte detyrën. Shenjtori iu nënshtrua vullnetit të Perëndisë dhe pranoi të mbështeste besimin që kërcënohej nga herezitë dhe të rigjallëronte shpresën e dërrmuar nga pushtimet, nëpërmjet ligjëratave dhe himneve liturgjike, ku bukuria poetike i shërben thellësisë së dogmave. Menjëherë pas zgjedhjes së tij, sipas zakonit, ai hartoi një Letër sinodiale, të cilën ia dërgoi papës së Romës dhe patriarkut të Konstandinopojës, që t’u propozonte bashkimin e Kishave të tyre në të njëjtin besim.
Ky dokument i shkëlqyer është një ekspoze e plotë e doktrinës së Kishës për Personin e Krishtit. Patriarku i shenjtë rrëfen atje një Krisht të vetëm, Bir të vetëm të Perëndisë, i cili kryen veprat e secilës natyrë, hyjnore dhe njerëzore, sipas veçantive përkatëse të çdonjërës. Është i njëjti Krisht, që pa trazim apo përzierje (siç e supozojnë monofizitët) dhe pa ndarje (siç e nënkuptojnë nestorianët), kryen si Perëndi mrekulli, dhe vuan si njeri, duke na dhënë kështu ne njerëzve, mundësinë për t’u bashkuar me Perëndinë përmes hirit.
Shën Sofroni, u ngjit në fronin e Jerusalemit në kohën e ngritjes të papritur të Islamit, ku kalifi Omar duke i bashkuar fiset arabe, sulmoi perandorinë e krishterë, duke shkretuar qytete e fshatra. Damasku u mor pak kohë pas zgjedhjes së tij dhe disa muaj më vonë, në fillim të vitit 638, vetë qyteti i shenjtë ra në duart e pushtuesve. Patriarku i shenjtë bindi kalifin Omar të hynte në Qytet si pelegrin dhe jo si pushtues dhe të garantonte ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të shenjta të krishtera. I lodhur nga lufta për mbrojtjen e besimit dhe i pikëlluar kur pa qytetin e shenjtë në duart e të pabesëve, shën Sofroni u largua drejt Jerusalemit qiellor, qytetit të Paqes, ku nuk ka as dhimbje, as hidhërim dhe as psherëtimë, më 11 mars 638 (ose 639).
* * * * *
Oshënare Theodhora e Artës.
Shën Theodhora ishte bijë e perandorit të respektuar të Maqedonisë, Joan Petralifas. Ishte martuar me Despotin e Epirit, Mihaili II Angjello (1237-1271), dhe përfitoi nga ngjitja e saj në dinjitetin mbretëror, që të bëhej, duke imituar Perëndinë, Mbretin e qiellit dhe të tokës, burim mëshirash për të gjithë njerëzit. Por, me nxitjen e djallit, i cili ziente përbrenda nga xhelozia kur e shikonte Theodhorën të stolisur me të gjitha virtytet, bashkëshorti i saj ra pre e një vejushe, e cila e kishte tërhequr pas vetes si me magji. Djalli e shtyu madje ta urrente të shoqen e ligjshme deri në atë pikë, saqë sillej ndaj saj si të ishte prostituta më e përbuzur; e keqtrajtonte dhe i kishte urdhëruar shërbëtorët të mos e njihnin më si zonjën e tyre.
Theodhora i duroi të gjitha këto sprova me durim, pa u zemëruar me të shoqin dhe falënderonte Perëndinë, i Cili i dërgonte gurë të çmuar të diademës së paprishshme. Si përfundim, Mihaili e dëboi dhe ajo kaloi vend më vend për pesë vjet, duke pasur me vete edhe motrën e vogël. Një ditë, e uritur dhe e dëshpëruar, mbërriti buzë një pylli, ku i priti një prift.
Ndërkohë, Despoti, që kuptoi se ishte mashtruar nga magjitë, erdhi në vete dhe e kërkoi kudo Theodhorën besnike. Kur ajo u kthye në Artë, të gjithë e përshëndetën me britma gëzimi dhe që atëherë jetoi e lumtur me bashkëshortin e saj, duke e ndihmuar në marrëdhëniet e tij diplomatike me Mbretërinë e Nikeas dhe duke e frymëzuar për Mbretërinë e Qiejve.
Despoti Mihail vdiq pak kohë më vonë dhe Theodhora u bë murgeshë në manastirin që kishte themeluar pranë një kishe kushtuar shën Gjergjit. U ushtrua ashpër dhe u shërbente me përulësi të gjitha motrave. U lajmërua nga Perëndia për fundin e saj të afërt, por iu lut ta linte edhe gjashtë muaj, deri në përfundimin e kishës. Kur erdhi koha, e la këtë jetë të përkohshme, duke u dhënë motrave porositë e fundit. Trupi i saj u vendos në narteksin e kishës dhe kryen shumë shërime.