– Ungjilli – Llukai 22:39-42, 45-23:1.

 

Dhe si doli shkoi, siç e kishte zakon, në Malin e Ullinjve; edhe i shkuan pas edhe nxënësit e tij. Edhe si erdhi tek vendi, u tha atyre: Lutuni për të mos hyrë në ngasje.

Edhe ai u shkëput nga ata sa një të hedhur guri, edhe si ra në gjunjë lutej, duke thënë: O Atë, nëse do ta largosh, këtë potir prej meje, largoje; veç jo dëshira ime, po jotja le të bëhet.

Edhe si u ngrit nga lutja, erdhi tek nxënësit e tij, e i gjeti duke fjetur nga hidhërimi, e u tha atyre: Pse flini? Ngrihuni e lutuni, që të mos hyni në ngasje.

Edhe ndërsa ai po fliste, ja turma, dhe ai që quhej Juda, një nga të dymbëdhjetët, po u paraprinte, edhe u afrua tek Jisui, që ta puthte. Sepse këtë shenjë u kishte dhënë atyre: Atë që do të puth, ai është. Edhe Jisui i tha: Judë, me puthje e tradhton të Birin e njeriut?

Edhe ata që ishin rreth tij kur panë se ç’do të bëhej, i thanë: Zot, t’u biem me thikë? Edhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit, dhe i preu veshin e djathtë. Po Jisui u përgjigj e tha: Lëreni deri këtu; edhe preku veshin e atij dhe e shëroi.

Edhe Jisui u tha kryepriftërinjve e kryerojeve të tempullit e pleqve që kishin ardhur kundër tij: Si mbi kusar keni dalë me thikë e me dru? Unë përditë isha me ju në tempull, edhe nuk shtritë duart mbi mua. Po kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës.

Edhe si e kapën, e çuan dhe e futën në shtëpinë e kryepriftit. Edhe Pjetri i vinte pas për së largu.

Edhe si ndezën ata zjarr në mes të oborrit dhe ndenjën bashkë, rrinte edhe Pjetri në mes tyre. Edhe një shërbëtore, kur e pa atë duke ndenjur kundrejt dritës, e duke vështruar mbi të, tha: Edhe ky ishte bashkë me atë. Po ai e mohoi, duke thënë: O grua, nuk e njoh. Edhe pas pak e pa atë një tjetër dhe tha: Edhe ti je prej atyre. Po Pjetri tha: O njeri, nuk jam. Edhe pasi shkoi rreth një orë, një tjetër ngulmonte, duke thënë: Me të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të; sepse është edhe galileas. Po Pjetri tha: O njeri, nuk di ç’thua. Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, këndoi gjeli. Edhe Zoti u kthye e vështroi Pjetrin; dhe Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotit që i pati thënë se para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë. Edhe Pjetri doli jashtë dhe qau hidhur.

Edhe ata burrat që mbanin Jisuin, e përqeshnin dhe e rrihnin. Edhe duke i mbuluar kryet, i binin faqes dhe e pyetnin duke thënë: Profetizo, cili është ai që të ra? Edhe shumë blasfemi të tjera i thoshin atij.

Edhe si u bë ditë, u mblodh pleqësia e popullit dhe kryepriftërinjtë e shkruesit, edhe e prunë lart në Këshillin e tyre, duke thënë: Nëse je ti Krishti, na thuaj. Edhe ai u tha atyre: Nëse ju them juve, nuk do të besoni. Edhe nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, as nuk do të më lëshoni. Që nga tani Biri i njeriut do të jetë duke ndenjur nga e djathta e fuqisë së Perëndisë. Atëherë të gjithë thanë: Ti pra je i Biri i Perëndisë? Edhe ai u tha atyre: Ju po thoni se unë jam. Edhe ata thanë: Ç’nevojë kemi më për dëshmi, sepse ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij.

Atëherë gjithë turma e tyre u ngrit dhe e çuan tek Pilati.