– Apostulli – Juda 1-10.
Juda, shërbëtor i Jisu Krishtit, edhe i vëllai i Jakovit, të thirrurve që janë të shenjtëruar prej Perëndisë Atë edhe të ruajtur prej Jisu Krishtit, përdëllim dhe paqe e dashuri, u shumoftë në ju.
Të dashur, pasi bëj çdo kujdes t’ju shkruaj juve për shpëtimin e përbashkët, pata nevojë t’ju shkruaj e t’ju lutem të luftoni për besimin që iu dha një herë e mirë shenjtëve. Sepse hynë fshehurazi disa njerëz, të cilët ishin shënuar që më parë për këtë dënim, njerëz të pabesë, që kthejnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje, edhe mohojnë të vetmin Kryezot Perëndi, dhe Zotin tonë Jisu Krisht.
Edhe dua t’ju kujtoj, ndonëse ju e dini mirë këtë, se Zoti, si shpëtoi popullin nga dheu i Egjiptit, pastaj i humbi ata që nuk besuan. Edhe engjëjt që nuk ruajtën gjendjen e tyre të parë, por lanë banesën e tyre, i ka ruajtur me vargonj të përjetshëm nën errësirë, për gjyqin e ditës së madhe. Porsi Sodoma e Gomorra edhe qytetet rreth tyre, që u dhanë në imoralitet në mënyrë të ngjashme me të atyre, edhe shkuan prapa tjetër mishi, janë vënë përpara si shembull duke u munduar me zjarr të përjetshëm. Gjithashtu edhe këta, duke parë ëndrra, ndotin trupin dhe nuk përfillin pushtetin, edhe ofiqet i blasfemojnë. Edhe Mihaili, kryeengjëlli, kur duke luftuar për trupin e Moisiut hahej me djallin, nuk guxoi të bjerë kundër atij ndonjë dënim blasfemie, por tha: Zoti të qortoftë. Edhe këta për gjëra që nuk i dinë blasfemojnë; edhe prishen për ato që i dinë prej natyre, porsi shtazët pa mend.